Tech

IDC: Tregu i pajisjeve të bartshme ka pasur rritje të konsiderueshme në tremujorin e fundit të 2018

Sipas kompanisë analitike IDC, tregu i pajisjeve të bartshme në nivel global ka pasur rritje prej 31.4 përqind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018. Për këtë rritje më meritor ka qenë sezoni i festave, si dhe shitja e telefonave të caktuar që vinin në pako me pajisjet e bartshme, raporton Neowin.

Nëse e shikojmë gjithë vitin 2018, tregu i pajisjeve të bartshme është rritur me 27.5 për qind. Janë livruar 172.2 milionë pajisje, nga të cilat pothuajse një e katërta ishin modele që barteshin në vesh, si Apple AirPods dhe Google Pixel Buds, shkruan KOHA Ditore.

IDC gjithashtu analizoi kategori të tjera të bartshme, dhe thekson se orët e mençura kanë arritur rritje prej 55.2% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2017 dhe përbën 34.3% të tregut të përgjithshëm. Byzylykët e mençur paraqesin 30 për qind të tregut, falë njoftimeve nga kompanitë Huawei, Xiaomi dhe Fitbit.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, Apple e kishte përqindjen më të madhe të tregut (27.4%), ndërsa pasojnë Xiaomi (12.6%), Huawei (9.6%), Fitbit (9.4%) dhe Samsung (6 , 8%).