Tech

Dronët kamikazë të “Kallashnikovit” të ndërtuar për të shpërthyer kur godasin

Kompania “Kallashnikov” është padyshim më e njohur për AK-47, por këto ditë gjiganti prodhues rus është duke përgatitur produkte të ndryshme. Përveç një hoverbike, një motoçiklete elektrike për të gjitha terrenet dhe një automjeti elektrik me stil retro, në portfolion e saj të projekteve të fokusuara në të ardhmen është edhe një dron sakrifikues ushtarak i dizajnuar që të përplaset në tokë, duke vënë në shënjestër objektiva poshtë nga distanca.

Droni me krahë të fiksuar u zhvillua së bashku me kompaninë ruse për fluturake “Zala Aero Group” dhe është emërtuar KUB-UAV. Duke e përshkruar atë si një "sistem ajror pa pilot për sulm me precizitet të lartë", Kalashnikov thotë se ai është dizajnuar për t’i shkatërruar nga distanca objektivat në tokë, duke e livruar një ngarkesë eksplozive prej 3 kg në një set koordinatash ose objektiv të fotografuar.

Kallashnikov gjithashtu thotë se droni me stil kamikazi do të jetë shumë i saktë, i aftë për lansime të fshehta dhe operim në heshtje. Ai është dizajnuar të fluturojë deri në 30 minuta me shpejtësi prej 80-130 km/h. Ka dimensione prej 121 x 95 x 16.5 cm dhe me sa duket është testuar me sukses dhe është i gatshëm për përdorim.

"Ngarkesa në këtë kompleks livrohet tek objektivi, pavarësisht nga fshehtësia dhe terreni i tij, si në lartësitë e ulëta ashtu edhe ato të larta", thotë Sergej Chemezov, drejtor ekzekutiv i korporatës Rostec, i cili e zotëron shumicën e aksioneve në Kallashnikov. "Kjo është një armë shumë precize dhe efektive të cilën është shumë e vështirë ta luftosh me sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore".

Derisa Kallashnikov nuk ka ofruar foto të dronit apo detaje të kostos apo disponueshmërisë së tij, kompania e ka ofruar një video të paqartë të tij në aksion me Zala Aero të cilën mund ta shikoni më poshtë.