Tech

Androidi bëhet me certifikimin FIDO2 për logim pa password

Descriptive Text

Androidi tani është certifikuar me FIDO2, që do të thotë se aplikacionet dhe sajtet që e mbështesin standardin në fjalë mund t’ua mundësojnë shfrytëzuesve që të logohen në to duke i përdorur gjurmët e gishtave ose çelësin fizik të sigurisë.

Që kjo të funksionojë, pajisja duhet ta ekzekutojë versionin e ri të softuerit Android 7.0 Nougat ose ndonjë version më të ri të softuerit, ndërsa aplikacioni duhet të certifikohet me FIDO. Për pajisjet që nuk kanë mundësi të verifikimit përmes gjurmëve të gishtave, mund të përdoret pini i sigurisë për logim, përcjell NDTV.

Edhe nëse përdoret versioni më i ri i Androidit, jo çdo aplikacion dhe sajt do të mundësojnë qasje përmes sensorit të gjurmëve të gishtave. Vetëm aplikacionet dhe sajtet që mbështeten në standardin WebAuth do ta mundësojnë një funksion të pandërprerë identifikimi. Disa aplikacione bankare tashmë e kanë bërë të mundur këtë ndërsa në të ardhmen priten më shumë aplikacione të mbështetura, shkruan KOHA Ditore.

FIDO Alliance njofton se zhvilluesit e uebit dhe krijuesit e aplikacioneve tani mund ta shtojnë verifikimin FIDO në aplikacionet e Android dhe sajtet e tyre nëpërmjet një API të thjeshtë. Theksohet se FIDO2 mbështetet me një siguri të fortë kriptografike, e cila mbron nga phishingu dhe sulmet përmes të dhënave të vjedhura të përdoruesve.