Tech

Oppo patenton telefonin e palosshëm me pop-up kamerë

Në nëntor të vitit të kaluar, Chuck Vang – drejtor i produkteve i kompanisë Oppo, njoftoi në një takim me IT gazetarët evropianë se prodhuesi kinez po e zhvillon një telefon fleksibil. Kjo ishte hera e parë, dhe deri më tani e vetme, që Oppo e dha një deklaratë zyrtare për zhvillimin e telefonit të mençur me ekran fleksibil.

Sipas informatave, të cilat i ka siguruar sajti LetsGoDigital në fund të vitit të kaluar nga ana e agjencisë hulumtuese koreano-jugore CGS-CIMB Research, Oppo do ta prezantojë telefonin e palosshëm në gjysmën e dytë të vitit 2019.

Image

Kompania ende nuk ka publikuar informacione rreth dizajnit. Megjithatë, prodhuesi kinez ka aplikuar kohët e fundit për patenta të ndryshme për modelet e telefonave të mençur me ekran të palosshëm. Në vitin 2017, LetsGoDigital e gjeti patentën për dizajnin e telefonave të palosshëm, shkruan KOHA Ditore.

Pas kësaj, kompania gjithashtu kishte dizajne të ndryshme që zgjerohen në formatin tablet. Në njërin dizajn shihet një notch i vogël në formën e pikëzës, ndërsa në modelin tjetër kamera selfie del nga displeji në stilin pop-up.

Në bazë të dizajnit më të ri me kamerë pop-up, LetsGoDigital krijoi rendere të cilat tregojnë se si mund të duket telefoni. Nuk është e pakonceptueshme që një prodhues si Oppo ta zgjedh një dizajn të tillë për shkak se prodhuesi kinez i pari e zbuloi telefonin e mençur me sllajder automatik të kamerës - Oppo Find X.

Skicat e modelit e paraqesin një sistem pop-up të kamerës ku ndodhen dy kamera dhe një blic. Meqë ekrani është jashtë, kamera mund të përdoret në mënyra të ndryshme - madje edhe kur pajisja është e palosur edhe kur është shpalosur.

Telefoni i palosshëm Oppo e tregon ekranin e plotë mbi të gjithë sipërfaqen e displejit, gjë që e dallon atë nga modeli Galaxy Fold i prezantuar kohët e fundit.