Tech

Sony me tabletin e ri digjital dëshiron ta zëvendësojë letrën

Për shkak të përdorimit të gjerë dhe arritjeve të teknologjisë, letra është vjetruar dhe po përdoret gjithnjë e më pak.

Në vend se të bartim libra apo fletore të shumta, ne po përdorim tabletë të lehtë në të cilët mund ta ruajmë një sasi të pakufizuar të informacionit, transmeton “Koha Ditore”. Pikërisht kjo e ka shtyrë kompaninë Sony që ta krijojë tabletin e ri digjital DTPRP1.

Sony në thelb dëshiron që ta largojë plotësisht nga përdorimi letrën. DTP RP1 e ka një ekran me madhësi prej 13.3 inçësh për të cilin kompanitë pretendon se do ta rrisë përvojën e shkrimit të shënimeve me stilolaps digjital.

Ekrani është i parrëshqitshëm, duke u dhënë shfrytëzuesve ndjenjën se po shkruajnë vërtet në letër. Dizajni i ri i tabletit ia mundëson të jetë më i hollë, më i lehtë dhe më i shpejtë se paraardhësi.

Sony thekson se e gjithë pajisja e ka trashësinë prej rreth 30 fletëve të letrës, përcjell The Verge. Kompania Sony e ka zhvilluar edhe aplikacionin e ri Digital Paper, i cili përdoret në kombinim me tabletin e ri. Ai mund të përdoret për konvertimin dhe bartjen më të lehtë të të gjitha formateve të dokumenteve në tabletin DTP-RP1.

Për fat të keq, tableti i ri i përkrah vetëm dokumentet PDF. Shitja e tabletit DTP-RP1 fillon më 5 qershor në Japoni dhe do të kushtojë afërsisht 700 dollarë, përcjell “The Verge”.