Tech

LG lanson televizorin e parë në botë OLED të mbështjellshëm

Foto: Neowin

Kompania e njohur koreano-jugore, LG, ka bërë disa njoftime para fillimit të panairit të teknologjisë CES 2019, por disa prej tyre janë më unike sikurse që ka prezantuar sot televizorin Signature OLED.

LG Signature OLED TV R (65R9) është televizori i parë në botë OLED i mbështjellshëm, i cili mund të fshihet në bazën e tij ose të tërhiqet lartë sipas nevojës.

Ky televizor i mbështjellshëm duket se do të jetë në dispozicion me vetëm një madhësi, 65-inç, dhe përfshinë veçoritë e inteligjencës artificiale të cilat i kemi parë te brendi ThinQ i LG-së, me mbështetje për asistentët digjital të njohur si Google Assistant dhe Amazon Alexa, transmeton Koha.net. Të gjitha këto, janë të mundësuar nga procesori i kompanisë i gjeneratës së dytë – Alpha 9.

Gjithashtu, televizori i ri OLED i mbështjellshëm ofron mbështetje edhe për aplikacionin AirPlay 2 të Applet, përmes të cilit mund të bartni muzikën dhe videot nga çdo pajisje tjetër në këtë televizor, shkruan neowin. Mbështetja për HomeKit është po ashtu e përfshirë, kështu që mund ta kontrolloni televizorin duke përdorur asistentin digjital Siri nga iPhone ose iPad i juaj.

OLED TV R ofron disa module të përdorshme falë natyrës së tij mbështjellëse. Atë mund ta përdorni si një televizor të zakonshëm, duke e nxjerrë tërë ekranin jashtë nga baza e tij, mënyrë të cilën LG e quan “Full View”, përcjell Koha.net. Por, po ashtu mund ta përdorni edhe “Line View”, ku ju mund ta nxirrni jashtë vetëm një pjesë të ekranit dhe kjo ju mundëson ta përdorni televizorin si një orë muri ose një ‘player’ për muzikë, për shembull. Po ashtu, në dispozicion është edhe moduli “Mood Mode” i cili ju ndihmon që të krijoni atmosferën më relaksuese.

Dhe e fundit, në dispozicion është edhe moduli “Zero View” i cili nënkupton kur ju e mbështillni tërësisht televizorin brenda bazës/kutisë së tij nga metali. Në këtë modul, përsëri mund të përdorni altoparlantët prej 100W për të dëgjuar muzikë.

Por, ende nuk dihet se kur OLED TV R i mbështjellshëm do të shfaqet nëpër tregjet dhe sa i përket çmimit të tij, pritet të kushtojë shtrenjtë.