Tech

Raspberry Pi prodhon një version të lirë, 25 dollarësh të kompjuterit më të fuqishëm të saj

Synimi i kompanisë Raspberry Pi, është që të bëjnë kompjuterin sa më lirë që të jetë e mundur e sa më të qasshme nga njerëzit, duke prezantuar një kompjuter të ri 25 dollarësh i cili ka shumë tipare të njëjtë me kompjuterin më të fuqishëm të tyre, 35 dollarësh.

Ky model i ri, i quajtur Raspberry Pi 3 Model A+ përdor procesorin e njëjtë quad-core 1.4GHz Broadcom sikurse versioni i fuqishëm i tyre Model B+, transmeton koha.net.

Ky version gjithashtu përkrah lidhjet me Bluetooth 4.2 e po ashtu 2.4GHz e 5GHz Wi-Fi, duke e bërë shumë të lehtë përdorimin e tij kudo që ka rrjet.

Por disa tipare i janë hequr për shkak të zvogëlimit të çmimit për 10 dollarë. Kompjuteri më nuk ka port Ethernet pra duhet të përdoret vetëm me Wi-Fi, ndërsa ka vetëm 512MB RAM në vend të 1GB, dhe ka vetëm 1 USB portë në vend të 4 sa ishin.