Dora robotike e krijuar nga shpikës të Kosovës

Dora robotike e krijuar nga shpikës të Kosovës

11 April 2017 11:07

Profesor Artan Dermaku gjatë kohës sa ishte mësimdhënës dhe dekan në Universitetin e Prizrenit në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike ka themeluar një institut, i cili sot merret me hulumtime shkencore.

Dermaku i tha RTK-së se bashkë me studentët Adem Kika dhe Sali Maloku kemi krijuar këtë platformë, dorën robotike, e cila është unike në rajon. Ai sqaroi se një projekt të tillë e kanë parë të realizuar nga gjermanët, por me një kosto 30 000 eurosh. Ndërsa këta të njëjtin projekt, pra dorën robotike, kanë arritur ta realizojnë me 1 500 eurosh.

“Këtë platformë e kemi realizuar me shpenzime 1 500 euro. Komplet është krijuar nga ne. Kuptohet se dora robotike është blerë sepse është aspekt mekanik, por elektronika, programimi dhe aspekti inteligjent i këtij produkti janë bërë nga ne dhe studentët”, ka thënë Dermaku.

Ai ka bërë me dije se kjo dorë robotike është për hulumtime shkencore. “Nivelin e lojës e ka të njëjtë nga aspekti inteligjent. Është paguar 20 herë më lirë nga ajo gjermane, e cila e ka precizitetin dhe shpejtësinë më të madhe”, ka shpjeguar profesor Dermaku.

Ndërsa studenti Adem Kika, që ishte bashkë me profesorin e tij, është shprehur i kënaqur që, përveç studimeve teorike, tash ka mundësi të bëjë diçka praktike. “Edhe pse ka munguar përkrahja e universitetit, pas një pauze të gjatë, për shkak të mungesës së mjeteve për ta realizuar këtë projekt, e kemi realizuar vetëm pjesën logjike. Fillimisht kemi pasur mundësi ta zhvillojmë në mënyrë simulative në kompjuter derisa blerjen e dorës robotike na ka sponsorizuar ‘Meridian’-i. Risi është lëvizja e robotit. Ka qindra mundësi të algoritmeve të ndryshme, por e zgjedh më të mirën. Ky është më i ndjeshëm në dritë, nëse nuk është në rregull drita, por në kushte optimale luan një lojë autonome me njeriun. Versioni i parë është bërë brenda gjashtë muajve, por ende është duke u punuar në të”, ka thënë studenti Kika.

Profesor Dermaku, ish-dekan në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prizrenit, tash profesor në Universitetin e Gjilanit, ka thënë se ka mbështetje nga Universiteti i Gjilanit dhe nga dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, por mbështetje nuk ka nga Ministria e Teknologjisë, nga e cila ka kërkuar t’i ndihmojë këto projekte.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme