Tech

Arrin epoka bioartificiale - trupi teknologjik i njeriut

Organe njerëzore të rritura me kompjuter, transplante të lëkurës dhe cepa të syrit të projektuara, proteza robotike që komandohen me anë të mendimit, tashmë ka filluar epoka bioartificiale, ku trupi i njeriut shkrihet gjithnjë e më shumë me teknologjinë për t’i hapur rrugën mjekësisë rigjeneruese të personalizuar.

“Në këto çaste mjekësia dhe teknologjitë e aplikuara për shëndetin po jetojnë një tranzicion nga artificialja drejt biologjikes”, shpjegon Manuela Raimondi, profesore e bioinxhinierisë në Politeknikun e Milanos.

“Kufiri mes këtyre dy botëve është gjithnjë e më i paqëndrueshëm. Këtë e tregon zhvillimi i terapive të reja inovuese, sikurse është implantimi i lëkurës që krijohen në baza artificiale të biodegradueshme dhe jo të dëmshme për organizmin, që tashmë janë një realitet për viktimat e djegieve”, thotë ekspertja, transmeton atsh.

Sipas Roberto Cingolani, drejtori i Institutit Italian të Teknologjisë, “kontribut të rëndësishëm në ndryshimin e botës së mjekësisë do të japin edhe Big Data, që do të ndihmojnë në zhvillimin e teknikave të reja për parandalimin e sëmundjeve dhe më pas të implantimit të organeve artificiale, për robotikën dhe kirurgjinë në distancë, reabilitimin dhe protezat dhë në fund sensorët për diagnostikim që do të mund të vishen madje edhe të gëlltiten”.

“Në të ardhmen teknologjia do të jetë brenda nesh”, shton Maria Chiara Carrozza, presidente e Grupit Kombëtar të Bioinxhinierisë.