Tech

Galaxy S10 lë skanerin e syrit për atë me gishtërinj nën ekran dhe identifikim të fytyrës

Edhe pse Galaxy S10 dhe S10 Plus janë larg nga lansimi dhe pritet që në treg të shfaqen diku ka tremujori i parë i 2019-ës, sipas medies koreane, “The Bell” ka disa informacione interesante rreth pajisjeve të ardhshme të avancuara të gjigantit të teknologjisë – Samsungut.

Sipas burimit, Samsung do të anashkalojë skanerin e syrit duke lënë kështu sugjerime se Note9 do të jetë pajisja e fundit Galaxy me këtë lloj teknologjie, transmeton Koha.net. Gjiganti korean duket se do të kursejë dhe do të investojë në teknologjinë e re 3D për identifikim të fytyrës. Samsung tashmë është duke bashkëpunuar me firmën izraelite të quajtur Mantis Vision për të zhvilluar këtë teknologji.

Por, më interesante është se Galaxy S10 dhe S10 Plus do të ofrojnë edhe skanerin për gishtërinj të vendosur nën ekran si një veçori biometrike alternative për siguri. Disa nga pajisjet e sivjetshme tashmë e kanë këtë teknologji të re, por me shumë gjasë Samsung është duke punuar në një teknologji të ngjashme të sajën.

Gjithashtu, ka shumë gjasa që skaneri për gishtërinj të jetë edhe sensor për matjen e shtypjes së gjakut dhe matjen e pulsit, por kjo mund të kërkojë më shumë kohë për zhvillim dhe mbetet të presim nëse Samsung do të mund të arrijë që ta zhvillojë këtë teknologji me kohë.