Në fillim të viteve 1990, shpërbërja e Jugosllavisë dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës krijuan një konfiguracion të ri politik. Për Gursel dhe Bajram Sylejmanin, zhvillimet e kësaj periudhe e forcuan bindjen se çështja e Kosovës kishte hyrë në një fazë në të cilën projekti shtetformues duhej të kërkonte forma të reja të veprimit politik. Në këtë kuptim, dallimet që u shfaqën brenda politikës shqiptare gjatë viteve 1990 nuk duhet reduktuar në një ndarje të thjeshtë ndërmjet “paqësorëve” dhe “radikalëve”
Arti si shprehje e horizontit politik
Krijimtaria artistike e Gursel Sylejmanit nuk duhet trajtuar si element anësor biografik. Ajo ndihmon për të kuptuar mënyrën se si identiteti kombëtar, kultura dhe projekti politik ndërthureshin në botëkuptimin e tij. Prania e figurave dhe motiveve kombëtare në krijimtarinë e tij dhe, sidomos, poezia e shkruar më 23 shtator 1991, tregojnë se ideali politik kishte marrë edhe formë estetike dhe simbolike.
Krijimtaria, veprimtaria ilegale, burgimet dhe angazhimi politik nuk përbëjnë dimensione të shkëputura të jetës së tij. Ato janë shprehje të ndryshme të të njëjtit horizont ideor. Pikërisht kjo vazhdimësi shpjegon pse, kur kriza e Kosovës kaloi nga përballja politike në konflikt të hapur, rreshtimi i Gurselit dhe Bajramit në rezistencën e armatosur nuk përfaqësonte shkëputje nga e kaluara e tyre, por ndryshimin e mjeteve të veprimit në funksion të një qëllimi politik që kishte mbetur, në thelb, i pandryshuar.
Nga rezistenca politike te rezistenca e armatosur
Në fillim të viteve 1990, shpërbërja e Jugosllavisë dhe suprimimi i autonomisë së Kosovës krijuan një konfiguracion të ri politik. Çështja nuk shtrohej më vetëm nëse rendi jugosllav mund të reformohej në favor të një pozite më të avancuar të Kosovës, por nëse ky rend kishte ende kapacitet për të ofruar ndonjë zgjidhje të pranueshme për shumicën shqiptare. Për Gurselin dhe Bajramin, zhvillimet e kësaj periudhe e forcuan bindjen se çështja e Kosovës kishte hyrë në një fazë në të cilën projekti shtetformues duhej të kërkonte forma të reja të veprimit politik.
Në këtë kuptim, dallimet që u shfaqën brenda politikës shqiptare gjatë viteve 1990 nuk duhet reduktuar në një ndarje të thjeshtë ndërmjet “paqësorëve” dhe “radikalëve”. Ato shprehnin vlerësime të ndryshme për mënyrën se si mund të ndryshohej raporti i forcave me Serbinë. Strategjia joviolente ndërtoi institucione paralele, ruajti kohezionin shoqëror dhe kontribuoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Por, për një segment të lëvizjes shqiptare, vazhdimi i kontrollit serb dhe mungesa e ndryshimit të statusit politik ngritën pikëpyetje për kufijtë e kësaj strategjie kur ajo vepronte e vetme.
Gurseli dhe Bajrami i përkisnin këtij segmenti kritik. Rezervat e tyre nuk drejtoheshin domosdoshmërisht kundër rezistencës paqësore si instrument politik, por kundër mundësisë që ajo të shndërrohej nga një strategji kalimtare në administrim afatgjatë të status quo-së. Përvoja e tyre me aparatin represiv jugosllav dhe më pas serb ndikonte drejtpërdrejt në këtë vlerësim: një sistem që ata e kishin përjetuar përmes burgimit, izolimit dhe përndjekjes vështirë se mund të perceptohej prej tyre si sistem që do të tërhiqej vetëm nën presionin moral dhe diplomatik.
Dalja e parë publike e UÇK-së konsiderohet 28 nëntori 1997, në Llaushë të Skenderajt, gjatë varrimit të mësuesit Halit Geci, dhe zgjerimi i saj gjatë vitit 1998 e ndryshuan natyrën e këtij debati. Alternativa e rezistencës së armatosur nuk ishte më vetëm koncept i diskutuar brenda qarqeve ilegale, por ishte shndërruar në faktor konkret politik dhe ushtarak. Për Gurselin dhe Bajramin, kjo krijoi mundësinë që bindjet e formuara gjatë dy dekadave të përktheheshin në një formë të re veprimi.
Sulmet e forcave serbe në rajonin e Drenicës, veçanërisht goditja ushtarake dhe policore mbi kompleksin e familjes Jashari në Prekaz, më 5–7 mars 1998, ku u vranë rreth 58 persona, shumica anëtarë të familjes së gjerë Jashari, përfshirë gra dhe fëmijë, përshpejtuan këtë proces. Ky moment shënoi një kthesë radikale në Kosovë: zgjeroi me shpejtësi bazën shoqërore të UÇK-së dhe dobësoi bindjen se status quo-ja mund të ndryshohej vetëm përmes mjeteve politike joviolente. Në këtë kontekst, kalimi i Gurselit dhe Bajramit në UÇK nuk përfaqësonte një shkëputje nga veprimtaria e tyre e mëparshme. Përkundrazi, ai përbënte vazhdimin, me mjete të tjera, të një orientimi politik që kishte nisur shumë më herët. Zgjerimi i UÇK-së gjatë pranverës së vitit 1998 nuk përfaqësonte vetëm rritje të kapaciteteve të saj ushtarake, por edhe zgjerim të ndjeshëm të bazës së saj shoqërore.
James Pettifer vëren se, nga fillimi i qershorit, UÇK-ja kishte fituar mbështetje të fortë ndër shumicën e shqiptarëve të Kosovës nën moshën tridhjetepesë vjeç dhe një shkallë mbështetjeje në të gjitha grupmoshat. Sipas tij, edhe vlerësimet e shërbimeve perëndimore sugjeronin se organizata kishte kaluar tashmë disa nga kriteret informale për suksesin e hershëm të një lëvizjeje kryengritëse. Pettifer veçon gjithashtu si një nga arritjet e rëndësishme të UÇK-së faktin se ajo shmangu përfshirjen në islamizmin politik, pavarësisht pretendimeve serbe për ta paraqitur rezistencën shqiptare përmes një kornize të tillë. Në këtë kuptim, zgjerimi i UÇK-së mbeti i lidhur para së gjithash me projektin kombëtar dhe politik të çlirimit të Kosovës, jo me një projekt fetar. Këto zhvillime ndihmojnë për të kuptuar se kalimi drejt rezistencës së armatosur nuk ishte më, në verën e vitit 1998, zgjedhje e një rrethi të ngushtë ilegal, por pjesë e një transformimi më të gjerë politik dhe shoqëror. Pikërisht në këtë mjedis duhet vendosur edhe rreshtimi i Gurselit dhe Bajramit: për dy veprimtarë të formuar në traditën e shqiptarizmit, të emancipimit kulturor dhe të projektit shtetformues, UÇK-ja përfaqësonte vazhdimin, me mjete të reja, të një aspirate politike kombëtare të formuar shumë më herët.
Vendimi i tyre për t’iu bashkuar UÇK-së duhet kuptuar, rrjedhimisht, si rezultat i ndërthurjes së tri përvojave: traditës së gjatë të rezistencës politike, përvojës personale të represionit dhe vlerësimit se rrethanat e vitit 1998 kishin krijuar një moment të ri politik. Ata po shkonin në luftë për lirinë e fëmijëve të Kosovës, me bindjen se brezat që do të vinin pas tyre duhej të jetonin në një Kosovë të lirë dhe me shtetin e vet. Për këtë qëllim, mbyllën kompaninë që kishin ngritur me punën e tyre, u ndanë nga nëna, bashkëshortet dhe fëmijët dhe iu bashkuan luftës, të vetëdijshëm se kjo zgjedhje mund t’u kushtonte edhe jetën. Sakrifica personale merrte kështu kuptim përtej fatit individual: ajo lidhej me aspiratën që brezat e ardhshëm të jetonin të lirë dhe që Kosova të bëhej shtet.
Ishte një vendim i peshuar mirë dhe shprehte njëkohësisht vendosmërinë për të luftuar deri në fund për çlirimin e vendit, por edhe emocionin e ndarjes nga familja. Dimensioni njerëzor i kësaj zgjedhjeje shfaqet veçanërisht në kujtimin e Lumnijes, bashkëshortes së Bajramit, për ditën kur ai u nis për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Ajo rrëfen se Gentriti i vogël, sikur ta parandiente ndarjen, nuk po i ndahej të atit dhe kundërshtonte largimin e tij nga shtëpia. Për ta qetësuar, Bajrami i thotë: “Genti, unë po shkoj me punë dhe do të të blej ty një biçikletë”. Ishte një premtim i thjeshtë i një babai për të birin, pas të cilit fshihej një e vërtetë shumë e madhe: Bajrami nuk po nisej për një punë të zakonshme, por drejt një lufte nga e cila mund të mos kthehej. Dhe vërtet, ai nuk u kthye më. Bajrami nuk arriti t’ia sillte Gentritit biçikletën që i kishte premtuar; por u nis të luftonte për diçka shumë më të madhe: për lirinë e vendit ku Gentriti, Lirjona dhe fëmijët e brezit të tyre do të mund të rriteshin dhe ta ndërtonin jetën e tyre të lirë.
Nga lëvizja në organizim ushtarak
Organizimi i formacioneve të UÇK-së në Nënzonën Operative të Nerodimës dëshmon një proces më të gjerë të transformimit të saj gjatë vitit 1998. Nga grupe relativisht të vogla dhe struktura fleksibile, ajo po kalonte drejt njësive me përgjegjësi territoriale, hierarki komanduese, ndarje detyrash dhe mekanizma më të qëndrueshëm komunikimi. Në këtë proces duhet vendosur edhe roli i Gurselit dhe Bajramit.
Emërimi i Bajramit në përgjegjësi komanduese dhe angazhimi i Gurselit në fushën e informimit nuk janë thjesht të dhëna biografike. Ato tregojnë mënyrën se si organizata filloi t’i shpërndante funksionet sipas përvojës dhe aftësive të individëve. Bajrami mori përgjegjësi të drejtpërdrejta në organizimin e luftëtarëve, ndërsa Gurseli u angazhua edhe në komunikim dhe informim. Kjo ndarje funksionale është një tregues i institucionalizimit gradual të UÇK-së në nivel lokal.
Edhe përplasjet e para në Jezerc duhen lexuar brenda këtij transformimi. Rëndësia e tyre nuk qëndron në rindërtimin minutë pas minute të lëvizjes së luftëtarëve, por në atë që zbulojnë për kushtet në të cilat po ndërtohej një strukturë e re ushtarake: pabarazi të theksuar në armatim, mungesë përvoje të mjaftueshme luftarake, vështirësi komunikimi dhe njëkohësisht nevojë për disiplinë, komandim dhe solidaritet ndërmjet njësive. Konsolidimi i pozicioneve në Jezerc dhe formimi i njësive më të strukturuara tregojnë se gjatë verës së vitit 1998 UÇK-ja po kalonte nga faza e mobilizimit në atë të institucionalizimit ushtarak.
Epopeja e Jezercit: lufta, sakrifica dhe dimensioni njerëzor
Rëndësia e Jezercit gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1998 lidhej me përpjekjen e UÇK-së për të krijuar dhe ruajtur hapësira të kontrollit territorial. Përballjet në këtë zonë tregojnë se konflikti po largohej nga modeli i aksioneve të kufizuara dhe po hynte në një fazë ku kontrolli i territorit merrte rëndësi operative dhe politike. Për forcat ushtarake dhe policore serbe, rikthimi i kontrollit mbi zona të tilla synonte rivendosjen e autoritetit shtetëror; për UÇK-në, mbajtja e tyre ishte e rëndësishme për vazhdimësinë organizative, lëvizjen e njësive dhe qëndrueshmërinë e rezistencës në terren.
Kjo asimetri shpjegon edhe natyrën e luftimeve të shtatorit 1998. UÇK-ja kishte arritur të krijonte struktura lokale dhe një shkallë kontrolli territorial, por përballej me forca serbe që dispononin epërsi të dukshme në njerëz, armatim dhe mjete të rënda. Rrethimi i Jezercit duhet parë, prandaj, jo si episod i izoluar, por si pjesë e përpjekjes së forcave serbe për të goditur zonat ku UÇK-ja kishte arritur të krijonte struktura më të qëndrueshme.
Në shpatet e Jezercit, njësitë e Zonës Operative të Nerodimës, nën drejtimin e komandantit Imri Ilazi – “Ferri”, u përballën me një ofensivë të përqendruar të forcave ushtarake dhe policore serbe, të mbështetura nga artileria dhe mjetet e blinduara. Për disa ditë, luftimet u zhvilluan në pozicionet mbrojtëse të vendosura rreth fshatit, duke e shndërruar Jezercin në një nga pikat e rëndësishme të përballjes së UÇK-së në këtë zonë. Përtej rezultatit të drejtpërdrejtë ushtarak, qëndresa kishte rëndësi për ruajtjen e strukturave lokale të UÇK-së, mbrojtjen e popullsisë civile dhe vazhdimin e organizimit të rezistencës në Zonën Operative të Nerodimës.
Një element që e dallon Epopene e Jezercit është karakteri i saj i qartë frontal. Përballja nuk kishte natyrën e një aksioni të kufizuar gueril, por të një beteje për mbajtjen e pozicioneve përballë forcave të përqendruara ushtarake dhe policore serbe. Siç rrëfen ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Elmi Reçica (“Petriti”), sulmi serb u zhvillua nga 17 pozicione, me përdorimin e armatimit të rëndë dhe të mjeteve të blinduara, çka dëshmon për përmasën e operacionit dhe rëndësinë që forcat serbe i kushtonin thyerjes së rezistencës në Jezerc. Përballë kësaj epërsie materiale, luftëtarët e UÇK-së zgjodhën të qëndronin në pozicione dhe të zhvillonin një përballje të drejtpërdrejtë. Në këtë kuptim, Jezerca përbën një dëshmi të kalimit të UÇK-së nga aksionet kryesisht guerile drejt aftësisë për të zhvilluar, në zona të caktuara, edhe luftë frontale dhe mbrojtje të organizuar territoriale.
Kësaj përballjeje i jep peshë të veçantë edhe struktura e humbjeve. Fakti se në betejë ranë nëntë luftëtarë të UÇK-së, të shpërndarë në disa pozicione mbrojtëse, dëshmon intensitetin e luftimeve dhe peshën që mbajtën njësitë e armatosura në terren. Ky element, i kombinuar me shpërndarjen e pozicioneve, përdorimin e armatimit të rëndë dhe dëshmitë e pjesëmarrësve, e përforcon karakterizimin e Jezercit si një përballje kryesisht frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave ushtarake e policore serbe.
Në rrafshin politik, qëndresa e Jezercit merrte rëndësi edhe për shkak të momentit në të cilin zhvillohej. Në komunikimet me diplomatët perëndimorë, Slobodan Millosheviqi përpiqej ta paraqiste ofensivën serbe të verës dhe fillimit të vjeshtës 1998 si dëshmi se UÇK-ja ishte thyer ushtarakisht dhe se autoritetet serbe kishin rivendosur kontrollin. Rezistenca në Jezerc e vinte në pikëpyetje këtë pretendim. Fakti që njësitë e UÇK-së, përballë një sulmi të ndërmarrë nga shumë drejtime dhe të mbështetur me armatim të rëndë, vazhdonin të mbanin pozicione dhe të zhvillonin luftime frontale, tregonte se UÇK-ja nuk ishte zhbërë si forcë e organizuar ushtarake. Për këtë arsye, Epopeja e Jezercit kishte jo vetëm rëndësi operative për Zonën e Nerodimës, por edhe një dimension më të gjerë politik: ajo dëshmonte vazhdimësinë e rezistencës së armatosur në një moment kur Beogradi pretendonte të kundërtën.
Çmimi i kësaj qëndrese ishte, megjithatë, i lartë. Në betejë ranë nëntë luftëtarë të UÇK-së: Bajram Sylejmani dhe Kemajl Hetemi në pozicionin e parë; Sejdi Sejdiu, Bashkim Vishi dhe Nazim Tërziu në pozicionin e dytë; Gursel Sylejmani në pozicionin e tretë; Lulzim Guta në pozicionin e pestë; si dhe Arsim Zeqiri dhe Sali Baliu në pozicionin e gjashtë. Shpërndarja e të rënëve në disa pozicione mbrojtëse dëshmon intensitetin dhe shtrirjen e përballjes, ndërsa përmasat e humbjeve e vendosin rënien e Gurselit dhe Bajramit jo si një episod të izoluar familjar, por brenda sakrificës kolektive të njësive të UÇK-së që mbronin Jezercin. Pikërisht brenda kësaj historie më të gjerë ushtarake dhe kolektive merr kuptimin e plotë edhe drama e dy vëllezërve Sylejmani, të cilët ranë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën betejë, secili në pozicionin e vet.
Në këtë kontekst ndodhi edhe beteja e 28 shtatorit 1998. Pikërisht këtu historia politike e Gurselit dhe Bajramit takohet me dramën njerëzore të dy vëllezërve që, pas shumë vitesh veprimtarie ilegale, burgimesh dhe përndjekjesh, gjendeshin tashmë në vijën e drejtpërdrejtë të përballjes së armatosur. Dëshmitë e bashkëluftëtarëve marrin për këtë arsye rëndësi të veçantë: ato nuk dokumentojnë vetëm zhvillimin e betejës, por na lejojnë të shohim njeriun pas figurës së luftëtarit të lirisë.
Ata që hynin në betejë nuk linin pas vetëm shtëpitë e tyre; linin fëmijë, bashkëshorte, prindër, premtime të papërmbushura dhe një jetë që do të mund ta kishin jetuar. Pak më vonë, Bajrami ra në pozicionin që komandonte. Ndërkohë, disa qindra metra më tutje, Gurseli vazhdonte luftimet pa e ditur se vëllai i tij kishte rënë. Kjo rrethanë e bën betejën e Jezercit edhe më tragjike në historinë e dy vëllezërve: ata kishin hyrë së bashku në ilegalitet, kishin përjetuar përndjekjen e sistemit, ishin rreshtuar së bashku në UÇK dhe tani ndodheshin në të njëjtën betejë, por secili po përjetonte fundin e vet pa e ditur fundin e tjetrit.
Kur Gurseli u plagos rëndë, reagimi i tij ishte po aq domethënës. Sipas dëshmive të bashkëluftëtarëve, ai kërkoi: “Mos ma lini armën dhe mos nxitoni të më largoni prej këtij vendi dhe mos i lëshoni pozicionet”. Edhe kjo dëshmi fiton kuptim më të gjerë kur vendoset në vazhdimësinë e jetës së tij. Qëndrimi në çastet e fundit nuk ishte një episod i shkëputur heroik, por shprehje e së njëjtës kulturë përgjegjësie që kishte karakterizuar veprimtarinë e tij gjatë ilegales, burgimeve dhe përndjekjeve.
Në këtë pikë, dy historitë individuale bashkohen përsëri. Bajrami kishte menduar për djalin që po linte pas; Gurseli për bashkëluftëtarët dhe pozicionet që nuk duhej të braktiseshin. Njëri na shfaqet në çastet e fundit si baba, tjetri si bashkëveprimtar. Të dyja dëshmitë, pikërisht sepse janë kaq njerëzore, thonë më shumë për karakterin e tyre sesa çdo përshkrim i përgjithshëm i heroizmit.
Ata kishin ecur së bashku nëpër pothuajse të gjitha etapat vendimtare të jetës: nga familja dhe shkollimi, te idealet e rinisë, veprimtaria ilegale, përndjekjet, burgimet dhe, në fund, rezistenca e armatosur. Fati deshi që edhe rruga e tyre e fundit të ishte e përbashkët. Më 28 shtator 1998, dy vëllezërit, të njohur dhe të respektuar në Ferizaj, në Anamoravë dhe më gjerë, ranë në të njëjtën betejë. Gursel e Bajram Sylejmani kishin ndarë gjithçka: familjen dhe kujtimet, bindjet dhe idealet, rreziqet dhe ëndrrën për lirinë. Në fund, ndanë edhe sakrificën më të madhe — ranë në të njëjtën ditë, në të njëjtën betejë, për të njëjtin ideal. Por ajo ditë nuk e mbylli historinë e tyre. Gurseli dhe Bajrami nuk u kthyen më në shtëpitë prej të cilave ishin nisur, nuk i përqafuan më nënën, bashkëshortet dhe fëmijët e tyre. Por liria për të cilën kishin luftuar dhe kishin dhënë jetën trokiti, pak kohë më vonë, edhe në dyert e atyre shtëpive. Fëmijët që i lanë pas u rritën në Kosovën për të cilën etërit e tyre kishin ëndërruar, kishin vepruar dhe, në fund, ishin flijuar.
Pikërisht këtu qëndron edhe domethënia më e thellë historike e jetës së Gurselit dhe Bajramit. Ata nuk mbetën në histori vetëm sepse ranë si pjesëtarë të UÇK-së, por sepse te rruga e tyre ekzistonte një vazhdimësi e rrallë ndërmjet bindjes dhe veprimit, ndërmjet idealit dhe sakrificës. Rezistenca e armatosur nuk ishte fillimi i angazhimit të tyre politik dhe as një zgjedhje e shkëputur nga e kaluara; ajo ishte etapa e fundit e një rruge shumë më të gjatë: nga tradita familjare e shqiptarizmit te formimi intelektual, nga veprimtaria ilegale te përballja me burgjet politike, nga kundërshtimi i rendit jugosllav te artikulimi i alternativës shtetformuese dhe, më në fund, te lufta për liri. Në këtë kuptim, rënia e tyre nuk mund të lexohet e shkëputur nga jeta që e parapriu: ajo ishte akti i fundit i një bindjeje së cilës i kishin qëndruar besnik për vite me radhë.
Наставак у следећем броју Културног додатка