Për Gursel dhe Bajram Sylejmanin lufta kishte filluar shumë përpara vitit 1998. Kishte kaluar përmes arsimit dhe kulturës, veprimtarisë politike dhe burgut, përndjekjes dhe rezistencës, deri te bindja se Kosova duhej të kishte të drejtën ta përcaktonte vetë të ardhmen e saj. E, vazhdimësia ndërmjet brezave e bën të domosdoshme që kujtesa e luftës të mos mbetet vetëm brenda familjeve që e përjetuan atë
Me të njëjtin përkushtim e sakrificë edhe Lumnija, bashkëshortja e Bajram Sylejmanit, u përkujdes për Gentritin dhe Lirjonën, duke i mbështetur në formimin dhe rrugëtimin e tyre jetësor e profesional. Edhe vetë historia e Lumnijes dhe Bajramit lidhej me dijen dhe formimin profesional: ata ishin njohur që gjatë studimeve në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë. Bajrami u formua si inxhinier i gjeologjisë, ndërsa Lumnija vazhdoi rrugëtimin e saj akademik dhe profesional në fushën e teknologjisë ushqimore, duke arritur gradën master.
Në një familje ku shkenca e arti ishin përditshmëri
Në një familje ku shkenca, teknika, fotografia dhe kureshtja për të renë ishin pjesë e jetës së përditshme, edhe formimi i fëmijëve mori natyrshëm drejtime të lidhura me dijen dhe krijimtarinë. Kjo shihet veçanërisht te Gentriti, djali i Bajramit, sot inxhinier i softuerit. Kontakti i tij me teknologjinë nisi jashtëzakonisht herët: që në moshën katërvjeçare njohuritë e para për kompjuterin i mori nga babai dhe arriti të krijonte përfytyrimet e para për botën e programeve dhe të softuerit. Ajo që në fëmijëri ishte kureshtje ndaj një teknologjie të re, me kalimin e viteve u shndërrua në orientim profesional dhe në fushën e ekspertizës së tij. Në këtë rrugëtim mund të dallohet edhe ndikimi i mjedisit familjar: formimi teknik e shkencor i të dy prindërve krijoi një kulturë familjare ku dija, kërkimi dhe interesimi për teknologjinë kishin një vend të natyrshëm.
Por lidhja e Gentritit me të atin shfaqet edhe në një dimension tjetër, më personal. Nga Bajrami, i cili krahas profesionit të gjeologut kishte një pasion të veçantë për fotografinë, Gentriti trashëgoi edhe dashurinë për aparatin fotografik dhe imazhin. Kështu, tek ai ndërthuren në një mënyrë domethënëse dy anë të botës së të atit: prirja drejt teknikës dhe pasioni për fotografinë. Nëse profesioni i inxhinierit të softuerit përfaqëson botën e teknologjisë së brezit të tij, fotografia krijon një urë më intime me babanë, të cilin lufta ia mori shumë herët.
Arritjet e Gentritit dhe Lirjonës janë, para së gjithash, fryt i përpjekjeve dhe zgjedhjeve të tyre personale, si dhe i përkushtimit të Lumnijes për arsimimin dhe formimin e tyre. Por ato mbartin njëkohësisht edhe një domethënie familjare: përmes rrugëve të ndryshme që kanë zgjedhur, vazhdon kujtimi i Bajramit – inxhinierit të gjeologjisë dhe fotografit të pasionuar, jeta e të cilit u ndërpre në luftën për lirinë e Kosovës.
Dikur zhurma e armëve për liri, sot muzika e institucioneve
Një formë tjetër, po aq domethënëse, e kësaj vazhdimësie shfaqet në rrugëtimin e Lirjona Sylejmanit, vajzës së Bajramit, e cila sot, si oficere, drejton Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë pamje, historia sikur mbyll një rreth: aty ku dikur dëgjohej zhurma e armëve të luftës për liri, sot dëgjohet muzika e institucioneve të një shteti të lirë. Shkopi i dirigjentes bëhet kështu simbol i një realiteti që brezi i babait dhe i xhaxhait të saj nuk arriti ta përjetonte.
Kjo lidhje ndërmjet dy brezave merr peshë të veçantë nga historia personale e Lirjonës. Kur Bajrami ra në Jezerc, ajo ishte ende foshnjë; vetëm një ditë më pas do të mbushte një vit. Kujtesën për të atin e ndërtoi përmes rrëfimeve të nënës së saj, Lumnijes, dhe njerëzve që e kishin njohur, si dhe përmes fotografisë së tij, të cilën e ruan me krenari. Sipas vetë Lirjonës, nga kjo trashëgimi familjare ajo mori edhe atdhedashurinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë për t’i shërbyer vendit.
Një dëshmi veçanërisht prekëse e kësaj lidhjeje është shënimi që Lirjona bëri më 28 shtator 2020, në përvjetorin e 22-të të rënies së babait. Data kishte marrë atë vit një domethënie të dyfishtë: pikërisht atë ditë, vajza e Bajramit kishte mbajtur orën e saj të parë si mësimdhënëse. Duke reflektuar mbi mungesën e babait dhe dëshirën e natyrshme të fëmijës për ta bërë krenar prindin, edhe kur ai nuk është më fizikisht pranë, ajo shkruante:
“Çdo 28 shtator është i mbushur me ndjenja të përziera, ku malli e krenaria luftojnë mes vete ‘cila do të triumfojë’. [...] Por, nëse kishte me ekzistu ndonjë mënyrë se si me kuptu nëse po arrijmë t’i bëjmë krenarë edhe ma t’shtrenjtit tanë që nuk i kemi pranë fizikisht, do të kishim qenë shumë të përmbushun. Ndoshta jo rastësisht, sot, në përvjetorin e 22-të të rënies heroike të babit, unë, çika e Bajramit, mbajta orën e parë si mësimdhënëse. Do të mundohem të ec me krenari në rrugën e trasueme prej babit dhe të jap kontributin për atdheun dhe gjeneratat që vijnë.”
Rruga e Bajramit nuk përsëritet në formën e saj historike; ajo merr një përmbajtje të re në jetën e së bijës – përmes dijes, mësimdhënies, muzikës dhe, më vonë, shërbimit në institucionet e Republikës së Kosovës. Kështu, ajo që te babai ishte sakrificë për lirinë, te vajza shndërrohet në përgjegjësi për ta jetësuar dhe për t’ua përcjellë atë brezave që vijnë.
Gjashtë vjet më vonë, kjo kujtesë, dikur e shprehur në rrafshin intim e familjar, mori edhe një dimension të fuqishëm publik. Më 12 shtator 2026, kur Lirjona foli në “Marshin për Liri”, ajo iu referua babait, Bajramit, dhe xhaxhait, Gurselit, duke e paraqitur UÇK-në jo si një simbol abstrakt, por si pjesë të historisë së saj familjare dhe të përvojës së një brezi të tërë. “Kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk shoh vetëm tri shkronja”, tha ajo, duke kujtuar të rënët, të plagosurit, nënat që humbën bijtë e bijat dhe fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre. Në një nga formulimet më domethënëse të fjalimit, ajo shtoi se, kur përmendet UÇK-ja, sheh “një popull që në ditët më të vështira të historisë vendosi që ma mirë të vdiste në këmbë se sa të jetonte i gjunjëzuar”.
Pikërisht këtu uniforma që Lirjona vesh sot fiton një domethënie të veçantë. Bajrami veshi uniformën e UÇK-së në kohën e luftës; e bija, të cilën ai nuk pati mundësi ta shihte duke u rritur, vesh sot uniformën e oficeres dhe drejton me profesionalizëm Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndryshojnë koha, rrethanat dhe forma e shërbimit, por vazhdon një vijë e dukshme ndërmjet dy brezave: ajo që te babai mori formën e rezistencës dhe sakrificës, tek e bija shprehet përmes profesionit, artit dhe shërbimit ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Pikërisht kjo vazhdimësi ndërmjet brezave e bën të domosdoshme që kujtesa e luftës të mos mbetet vetëm brenda familjeve që e përjetuan atë. Në mënyrë të veçantë, nxënësit dhe studentët duhet të kenë mundësinë ta njohin këtë përvojë përmes burimeve, dëshmive dhe analizës kritike, duke kuptuar njëkohësisht kontekstin që e prodhoi luftën, sakrificën njerëzore që ajo kërkoi dhe rolin e saj në rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kujtesa bëhet e qëndrueshme pikërisht atëherë kur kalon nga rrëfimi familjar në njohje historike dhe nga emocioni i brezit që e përjetoi luftën në vetëdijen kritike të brezave që lindën pas saj.
Këtu qëndron edhe problemi themelor i çdo përmbysjeje të narrativës së luftës: kur historia lexohet vetëm nga fundi i saj, rrezikohet të humbasë rruga që çoi deri aty. Për Gurselin dhe Bajramin, ajo rrugë kishte filluar shumë përpara vitit 1998. Kishte kaluar përmes arsimit dhe kulturës, veprimtarisë politike dhe burgut, përndjekjes dhe rezistencës, deri te bindja se Kosova duhej të kishte të drejtën ta përcaktonte vetë të ardhmen e saj. Prandaj, kujtesa për ta nuk mund të mbetet vetëm kujtesë e rënies; ajo duhet të jetë edhe kujtesë e jetës, e formimit, e bindjeve dhe e idealit që e paraprinë sakrificën e tyre.
Sepse brezat e rinj nuk trashëgojnë vetëm lirinë e fituar; ata duhet të trashëgojnë edhe njohjen e rrugës që e bëri atë të mundur. Vetëm kështu historia e Gurselit dhe Bajramit, e bashkëluftëtarëve të tyre dhe e brezit të cilit i përkisnin nuk mbetet thjesht kujtesë e së kaluarës, por bëhet pjesë e vetëdijes historike të brezave të ardhshëm dhe një referencë për të kuptuar se si u ndërtua rruga drejt lirisë dhe shtetit të Kosovës
ПРОЧИТАЈТЕ ТАКОЂЕ: