КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Додатак за културу

„Фотограф“ гледа даље од прича о болу и људским искуствима

фото уметник

Gjashtë ekspozitat e inauguruara janë vendosur në hapësirat e hotelit “Grand”, ndërsa ekspozita “Në sytë e tjetrit” e fotografit Korab Basha është vendosur pranë hyrjes së hotelit, duke e sjellë temën e dhunës seksuale gjatë luftës

Me moton “Shiko përtej – Përtej asaj që shihet”, festivali ndërkombëtar i fotografisë, “Fotoist”, i fton vizitorët të ndalen jo vetëm tek ajo që paraqitet në imazh, por edhe te historitë, dhimbjet dhe përvojat njerëzore që fshihen pas tij. E trajton fotografinë si mënyrë për të ruajtur atë që rrezikon të humbasë nga kujtesa

Gjashtë ekspozita janë inauguruar të premten mbrëma, me hapjen e edicionit të katërt të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Sivjet nëpërmjet 12 ekspozitave dhe 36 ngjarjeve të tjera, e vendos fotografinë përtej kufijve të artit, si dëshmi të historisë, bartëse të kujtesës dhe si mënyrë për t’i rezistuar harresës.

Me moton “Shiko përtej – Përtej asaj që shihet”, festivali i fton vizitorët të ndalen jo vetëm tek ajo që paraqitet në imazh, por edhe te historitë, dhimbjet dhe përvojat njerëzore që fshihen pas tij. Në mesin e temave që marrin peshë të veçantë këtë vit janë dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe Masakra e Gollakut, dy kapituj të dhimbshëm të historisë që përmes fotografisë kërkojnë të mbeten pjesë e kujtesës kolektive.

Gjashtë ekspozitat e inauguruara janë vendosur në hapësirat e hotelit “Grand”, ndërsa ekspozita “Në sytë e tjetrit” e fotografit Korab Basha është vendosur pranë hyrjes së hotelit, duke e sjellë temën e dhunës seksuale gjatë luftës.

Dimension të dëshmisë historike në kuadër të festivalit sjell edhe “Kronologjia e Lirisë” e fotoreporterit Ridvan Slivova. Nëpërmjet fotografive të realizuara gjatë luftës së Kosovës më 1998–1999, ekspozita rikthen dëshmi të dëbimit të qytetarëve nga shtëpitë e tyre, rrugëtimit të vështirë drejt mbijetesës, krimeve të kryera nga forcat serbe dhe procesit të identifikimit të personave të vrarë në Masakrën e Gollakut.

Slivova ka thënë se dhuna ka qenë e pranishme në përvojën e popullit të Kosovës shumë kohë përpara luftës dhe se ai e ka dokumentuar atë në forma të ndryshme.

“Populli ynë ka shumë vuajtje, dhuna është prezente gjithkund. Dhunën që e kemi përjetuar me dekada e kam pasqyruar shpesh. Kam fotografuar ushtarët tanë me kufoma, kam përjetuar helmimet e nxënësve, dëbimet nga shkollat, nga puna, vrasjen e nxënësve, profesorëve e studentëve. Lufta është kurorë. Mblidhen lule për ta ndërtuar atë”, ka thënë ai, duke e përshkruar fotografinë si një mënyrë për të mbledhur dhe ruajtur dëshmi të historisë së dhimbshme.

Një vend të veçantë në ekspozitë zë Masakra e Gollakut, për të cilën Slivova ka kërkuar më shumë vëmendje dhe njohje në raport me historinë e Prishtinës.

“Kjo këtu është Masakra e Gollakut. Nga qendra këtu e deri ku ka ndodhur masakra janë tri kilometra. Më vjen keq, por pse nuk konsiderohet si masakër e Prishtinës? Masakër triditëshe, ku janë masakruar 90 persona, prej tyre fëmijë, gra e pleq”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se 36 fotografitë e paraqitura në këtë ekspozitë janë përzgjedhur edhe me synimin që të shërbejnë si dëshmi për dokumentimin institucional të krimeve të luftës.

“Jo rastësisht janë fotografuar 36 fotografi. Tash e kemi adresën ku mund t’i dorëzojmë materialet, në Institutin për Krime të Luftës. Unë kam dorëzuar aty 236 fotografi”, ka thënë ai.

Derisa “Kronologjia e Lirisë” e kthen shikimin te krimet e luftës dhe te nevoja për t’i dokumentuar ato, ekspozita “Në sytë e tjetrit” e Korab Bashës e trajton një tjetër plagë që për shumë kohë ka mbetur e rrethuar nga heshtja dhe stigma: dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Fotografitë e ekspozuara pranë hyrjes së hotelit “Grand”, gjithsej 18, janë pjesë e projektit që synon të krijojë hapësirë për reflektim mbi përvojën e të mbijetuarve dhe mbi mënyrën se si shoqëria e ndërton marrëdhënien me ta.

Ky është edicioni i dytë i “Fotoist” në të cilin fotografi Korab Basha merr pjesë dhe ekspozohet pikërisht para “Grandit”. Në edicionin e dytë të festivalit, dy vjet më parë, ai ishte paraqitur me ekspozitën “Keep Calm and Smile”, me fotografi të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kësaj radhe, ai ka zgjedhur një temë që kërkon ndjeshmëri dhe përgjegjësi të veçantë.

Duke folur për punën me të mbijetuarit, Basha ka thënë se në këtë projekt ka hyrë me njëfarë pasigurie, pasi nuk e ka ditur se si do të pritej nga personat që janë pjesë e tij.

“Unë jam futur në këtë projekt me një lloj vështirësie, sepse nuk kam ditur se si do të më presin, por kur kam dalë nga projekti kam qenë shumë i kënaqur, sepse shumica e këtyre personave janë munduar ta tejkalojnë”, ka thënë ai.

Fotografi ka theksuar se përtej vetë ekspozitës, e rëndësishme është që të mbijetuarit të mos mbeten pa mbështetjen e nevojshme institucionale dhe shoqërore.

“Kam vetëm një kërkesë: që asnjëherë të mos heqim dorë nga kjo kategori. Ata kanë nevojë për institucionet, të kemi në shkolla lëndë se si t’i ndihmojmë këta persona”, ka thënë Basha.

Kuratori i ekspozitës, Elton Koritari, ka treguar se ideja është zhvilluar për rreth një vit e gjysmë, duke u shndërruar gradualisht në një projekt që synon ta zgjerojë mënyrën se si shoqëria e sheh kujtesën e saj.

“Është një punë, kërkim i ndier, i domosdoshëm, i kërkuar dhe i menduar gjatë në kohë. Kemi një vit e gjysmë që kjo ide fantastike lindi te Korabi, u zhvillua, u rrit”, ka thënë ai.

Sipas Koritarit, titulli “Në sytë e tjetrit” bart mesazhin që shkon përtej shikimit të drejtpërdrejtë të së kaluarës. Kujtesa, ka thënë ai, nuk duhet të shihet vetëm nga këndvështrimi i atyre që e kanë përjetuar ose e kanë dokumentuar, por edhe përmes përpjekjes për të kuptuar përvojën e tjetrit.

“Gjëja më e rëndësishme është që mesazhi që përcjell kjo ekspozitë është që ta shikojmë kujtesën tonë që është e afërt dhe që mund të lartohet, edhe në sytë e tjetrit. Kur ta shohim edhe me sytë e tjetrit, do të mundohemi ta kthejmë atë kujtesë të historisë dhe ta bëjmë histori, ashtu siç i takon të jetë. Histori e dhimbshme, por histori e cila e ka bërë popullin tonë”, ka thënë Koritari.

Në ekspozitën “Monument”, fotografi Albes Fusha e zhvendos vëmendjen te lapidarët dhe te mënyra se si ka ndryshuar marrëdhënia e shoqërisë me simbolet e së kaluarës.

Fusha ka shpjeguar se synimi i tij nuk ka qenë thjesht dokumentimi i monumenteve, por kapja e ndjesisë që njerëzit kanë humbur ndaj tyre.

“Kam fotografuar monumentet jo për t’i dokumentuar ato, por ndjesinë që njerëzit nuk e kanë më ndaj këtij monumenti, këtij kulti. Të harruara nga përditshmëria, janë krijuar disa pika të tjera të heroizmit. Heroizmi që shfaqej në lapidarë deri dje është zëvendësuar me një heroizëm tjetër, të mbijetesës”, ka thënë ai. Sipas tij, fotografitë nuk synojnë të ndërtojnë një këndvështrim historik apo politik, por të pasqyrojnë pavëmendjen që është krijuar ndaj simboleve të dikurshme të kulturës, heroizmit dhe vlerave njerëzore.

“Nuk ka asnjë këndvështrim historik, politik, asnjë çik sarkazëm në fotografi, është tërësisht ajo që po e thosha – një pavëmendje ndaj asaj që deri dje ka qenë një monument kulture, heroizmi, i vlerave njerëzore për një luftë të caktuar. Tash jemi rrotull monumenteve, por jo me vëmendjen që kemi pasur dikur”, ka thënë ai.

Një tjetër rrëfim përmes fotografisë vjen nga italiani Gianni Bellesia, me ekspozitën “Albania 1994 – A People in Motion”. Në janar të vitit 1994, Bellesia kishte udhëtuar në Shqipëri si pjesë e një ekspedite humanitare, në periudhën kur vendi po përpiqej të gjente drejtimin e tij pas rënies së diktaturës. Fotografitë e tij rikthejnë fytyrat, vendet dhe jetën e përditshme të një shoqërie në tranzicion, duke e paraqitur historinë edhe përmes përvojave të njerëzve që i jetuan ato.

Bellesia ka thënë se përmes objektivit të aparatit ka parë fundin e një modeli politik e shoqëror, por mbi të gjitha ka dokumentuar jetën e atyre që u përballën me transformimet e kohës.

“Por mbi të gjitha pashë dhe fotografova fytyrat, vendet dhe jetën e përditshme të atyre që jetuan nëpër ato transformime të mëdha. Ekziston pesha e pasigurisë, por edhe forca e një shprese të sapogjetur dhe dëshira për përtëritje dhe vetëvendosje”, ka thënë ai.

Ekspozita, e cila ishte prezantuar paraprakisht në Durrës, e sjell këtë dëshmi të tranzicionit shqiptar në një kontekst tjetër, duke i dhënë mundësi publikut të lexojë të kaluarën përtej kufijve gjeografikë.

Qyteti bregdetar i Durrësit është në qendër edhe të ekspozitës “Sunset Lovers” të Griseld Hoxhës. Përmes fotografive të perëndimeve të diellit, autori ndjek takimin e përkohshëm mes dritës së fundit të ditës dhe horizontit të detit.

Fotografi Hoxha ka treguar se ka zgjedhur imazhe që synojnë ta afrojnë publikun me qytetin e Durrësit, të cilin shumë njerëz e vizitojnë për pushime, histori dhe trashëgimi arkeologjike.

“Kam përzgjedhur këto fotografi për të sjellë më afër qytetin që vërtet e dashuroni dhe ku ju çdo vit e vizitoni, ku kaloni pushimet, vizitoni arkeologjinë, historinë, lindjet dhe perëndimet e diellit që ofron qyteti i Durrësit”, ka thënë ai.

Ekspozita “Reflektime” e ka bashkuar shikimin e katër fotografëve, Arben Llapashtica, Sevdail Sulejmani, Ruzhdi Ibrahimi dhe Lorik Haxhiu, në një rrëfim që përfshin natyrën dhe botën e egër, jetën shoqërore, arkitekturën dhe hapësira të ndryshme të përvojës njerëzore. Katër autorët kanë sjellë qasjet e tyre nëpërmjet fotografive.

Sulejmani ka theksuar se ekspozita bashkon katër autorë me interesa dhe mënyra të ndryshme të fotografimit.

“Është ekspozitë e katër fotografëve të zhanreve të ndryshme. Unë fotografoj jetën e egër, Arbeni ka prezantuar trashëgiminë kulturore, Loriku prezantohet me fotografi të arkitekturës, që është shumë e veçantë në mënyrën e kompozimit dhe prezantimit. Ruzhdiu prezantohet me disa fotografi që i ka shkrepur në pjesën veriore të Evropës”, ka thënë ai.

Në kuadër të programit të “Fotoist” do të hapen edhe ekspozitat tjera si “Cymatic Watergrams” nga Liona Vorfi më 13 tetor, “Shqiptarë të panjohur” nga Ben Blushi më 20 nëntor e të tjera.

Përmes këtyre ekspozitave, edicioni i katërt i “Fotoist” e trajton fotografinë si mënyrë për të ruajtur atë që rrezikon të humbasë nga kujtesa.