Aktorja britanike, fituese e çmimit “Oscar”, Judi Dench, ka deklaruar se nuk është më në gjendje të lexojë, të luajë në filma apo të performojë në skenë, për shkak të përkeqësimit të një sëmundjeje të syve, më shumë se një dekadë pasi u diagnostikua me të, ka shkruar НБЦ Невс.
“Nuk mund të dal në skenë. Nuk mund të luaj më në teatër. Nuk mund të luaj më në një film. Nuk mund të lexoj më”, ka thënë Dench, 91 vjeçe, për emisionin Today të BBC Radio 4, të enjten.
Aktorja u diagnostikua në vitin 2012 me degjenerimin makular të lidhur me moshën, një sëmundje e syve që dëmton shikimin qendror dhe e vështirëson dallimin e detajeve drejtpërdrejt përpara syve.
Në vitin 2024, Dench i kishte thënë radios amerikane NPR se gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe kishte ndikuar në aftësinë për të punuar. Ajo kishte treguar gjithashtu se ndonjëherë mund të kalonte pranë një miku të vjetër pa e njohur.
Në intervistën e fundit për BBC-në, aktorja ka thënë se është detyruar të përshtatet me kufizimet që i shkakton sëmundja, e cila vazhdon të përparojë.
“Duhet të përshtatem me gjendjen dhe thjesht të vazhdoj përpara, pa menduar shumë për të”, u shpreh ajo.
E pyetur nga gazetarja Emma Barnett se si po e përjeton plakjen, Dench u përgjigj me një fjalë: “E tmerrshme”.
“Nuk ka asgjë të mirë për të thënë për të”, ka shtuar ajo, duke shpjeguar se nuk mendon shumë për konceptin e plakjes.
Judi Dench është një nga aktoret më të vlerësuara britanike, me një karrierë shumëdekadëshe në film dhe teatër. Ajo është e njohur për interpretimet në veprat e William Shakespeare. Gjatë karrierës, ajo ka fituar çmimin “Oscar” për aktoren më të mirë në rol dytësor për filmin “Shakespeare in Love”.
Pavarësisht vështirësive, aktorja vazhdon të ndajë këshilla të vlefshme për profesionin dhe jetën. Kur u pyet se çfarë do t’i këshillonte vetes kur ishte më e re, ajo theksoi rëndësinë e marrjes së rreziqeve dhe të zgjedhjes së roleve që të sfidojnë.
“Nëse njerëzit thonë: ‘Oh, ky rol është shumë për ty, duhet ta luash’, jo, ai nuk është roli që duhet të zgjedhësh”, ka thënë ajo.
Sipas Dench, frika dhe pasiguria janë pjesë e procesit krijues dhe nuk duhen shmangur.
“Përdore energjinë, por mos e merr kurrë asgjë si të mirëqenë. Është gjithmonë një punë në zhvillim. Gjithmonë”, ka përfunduar aktorja.