Aktorja Angelina Jolie po planifikon një ndryshim të madh në jetën e saj. 51-vjeçja ka treguar se dëshiron të kalojë më shumë kohë jashtë SHBA-së dhe të jetojë për një periudhë me një stil më nomad, duke udhëtuar në vende të ndryshme të botës, ka shkruar Људи.
Jolie, e cila në fillim të këtij viti nxori në shitje rezidencën e saj në Kaliforni për 29.85 milionë dollarësh, thotë se po përjeton “fundin e një periudhe” të rëndësishme të jetës së saj. Dy fëmijët e saj më të vegjël, Vivienne dhe Knox, mbushën 18 vjeç në korrik.
E pyetur nëse planifikon të zhvendoset nga Los Angeles në New York, ajo ka thënë se nuk dëshiron të qëndrojë shumë në SHBA.
“Mendoj se do të kaloj më shumë kohë jashtë Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ylli.
Ajo ka shtuar se nuk dëshiron të ketë një vendbanim të përhershëm.
“Nuk planifikoj të kem një bazë të caktuar. Do të doja të kisha një shtëpi si bazë për familjen time, një vend ku janë gjërat e nënës dhe ruhen fotografitë familjare. Pastaj do të doja të jetoja pak si nomade”, ka thënë ajo
Jolie dëshiron gjithashtu të zgjerojë në nivel ndërkombëtar brendin “Atelier Jolie”, shtëpinë e saj kreative. Ajo ka treguar se Brazili mund të jetë vendi i parë jashtë SHBA-së ku do të hapet një hapësirë e re.
“Ideja ka qenë gjithmonë që ‘Atelier Jolie’ të jetë global. Brazili mund të jetë hapësira e parë që hapim jashtë SHBA-së”, ka thënë ajo.
Aktorja planifikon të rikthehet edhe në Kamboxhia, ku dëshiron të angazhohet më shumë me fondacionin e saj, i cili merret me zhvillimin e komuniteteve dhe mbrojtjen e natyrës.
“Shtëpia ime në Kamboxhia do të jetë gjithashtu një rezidencë për disa muaj të vitit, për të promovuar kulturën khmere”, ka thënë ajo.
Për Jolien, udhëtimet nuk kanë të bëjnë me pushimet luksoze apo blerjet. Ajo ka thënë se kërkon lidhje me njerëzit dhe komunitetet lokale.
“Nuk jam njeri që bën pushime, shkon për shopping apo gjëra të tilla. E imagjinoj veten më shumë në terren, duke udhëtuar dhe duke qenë jashtë në botë. Dua ta marr përsëri motorin tim, të udhëtoj me avion... nuk e di”, ka thënë ajo.
Tani që fëmijët e saj janë rritur, Jolie ka thënë se ata e mbështesin dëshirën e saj për të udhëtuar më shumë.
“Kjo është pikërisht ajo që duan fëmijët e mi! Ata e kishin mamin kur mami duhej të ishte mami. Tani do të donin që t’i telefonoja nga Tunizia, sapo të kisha zbritur nga avioni, për të takuar artistë vendas. Edhe unë mendoj se kjo do të ishte shumë bukur”, ka thënë ajo.