КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Студенти марширају у понедељак, позивају политичке странке на јединство

студенте

Pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me studentë të universiteteve të tjera, kanë paralajmëruar marsh paqësor në Prishtinë. Thirrja e tyre është për unitet dhe drejtësi. Marshi të hënën pritet të nisë nga Qendra e Studentëve dhe do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”

Për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, studentët e Universitetit të Prishtinës së bashku me ata të universiteteve të tjera publike e private në vend, kanë paralajmëruar marshim për të hënën.

Ata kanë bërë thirrje për unitet e drejtësi.

Përmes një konference për media, të dielën, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, kanë shpalosur planin e protestës, që pritet të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”.

Flon Kastrati duke bërë thirrje që të gjithë studentët, rinia dhe qytetarët t’i bashkohen marshit paqësor, ka thënë se të hënën do të shpaloset edhe një memorandum prej gjashtë pikash.

“Ky marsh është thirrje për unitet dhe e ka në qendër unitetin si e vetmja zgjidhje deri në fjalën e fundit të drejtësisë. Studentët e UP-së, së bashku me universitetet e tjera publike dhe private, kanë përgatitur edhe një memorandum prej 6 pikash, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit. Ju ftojmë të gjithëve që të na bashkoheni”, ka thënë ai.

E Donart Humolli nga Parlamenti Studentor, ka thënë se ndjejnë obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që ta ngrenë zërin ndaj një vendimi që e konsiderojnë krejtësisht të padrejtë.

Disa nga kërkesat e studentëve janë edhe mbështetja financiare e pakushtëzuar, si dhe mbështetja e plotë politike e morale për të akuzuarit.

“Njëkohësisht, kërkojmë hetim dhe monitorim të detajuar të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Besojmë fuqimisht se ky vendim dënues ka qenë i padrejtë dhe bie ndesh me parimet e drejtësisë, duke cenuar vetë themelet e historisë sonë të lavdishme çlirimtare dhe luftës sonë mbrojtëse. Një proces i tillë meriton transparencë maksimale dhe syrin vigjilent të botës demokratike, për të garantuar se nuk po prodhohet një padrejtësi historike”, ka thënë Donart Humolli nga Parlamenti Studentor.

Studentët kanë bërë thirrje për partitë politike që të tregojnë pjekuri dhe të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit, në mënyrë që të vendosin unitetin mbi interesat ditore.

Nga Parlamenti Studentor kanë theksuar se, si rini, duan të riafirmojnë se nuk e kanë humbur besimin te drejtësia e vërtetë perëndimore.

Ndërkohë, protesta e nisur më 16 shtator po vazhdon çdo mbrëmje.

Po ashtu, qindra mërgimtarë shqiptarë kanë vazhduar të mblidhen edhe në sheshet e qendrave evropiane, në tubime paqësore.