КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

САД: Процес стратешког дијалога почиње када се испуне обавезе према Србима

SHBA -Kosove

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrimin karshi Kosovës në raport me nisjen e dialogut të planifikuar strategjik. Pengesë mbeten çështje që lidhen me serbët. Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kushtëzuar nisjen e diskutimeve për dialogun strategjik me Kosovën, me përmbushjen e zotimeve të saj në raport me serbët.

Përmes një përgjigje me shkrim, një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha KOHËS se Washingtoni zyrtar pret që të zhvillohet ky dialog kur të krijohen kushtet e duhura, por pa specifikuar për çfarë saktësisht bëhet fjalë.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim që të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga ana e Kosovës të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës.

Në të theksohet se dialogu i planifikuar strategjik me Kosovën është pezulluar në kohë të pacaktuar, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë.

Dialogu me SHBA-në u pezullua me arsyetimin se veprimet e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.

Në shtatorin e vitit të shkuar, KOHA raportoi se veprimi i Kurtit, që sipas SHBA-së “ka shkelur vijën e kuqe” dhe ka çuar në vendimin për pezullim të Dialogut të planifikuar strategjik, është, mes tjerash, “përpjekja për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje”. Këtë e pati thënë një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit me bazë në Washington. Në një bisedë me KOHËN, ai ka thënë se atë e ka paraprirë edhe një seri veprimesh të tjera që “kanë krijuar ndasi dhe jostabilitet brenda vendit, por edhe më gjerë në rajon”.

Lidhur me veprimet që duhet të ndërmarrin e ato që janë bërë deri më tani, në drejtim të zhvillimit të dialogut me SHBA-në, KOHA ka pyetur Qeverinë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje që nga e marta.

Heqjen e pezullimit të dialogut të planifikuar strategjik, dy ditë më parë e kërkoi presidentja Justina Shiroka-Pula gjatë takimit me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.

Por, njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë se pas konstituimit të plotë të institucioneve, duhet të intensifikohet komunikimi me SHBA-në, jo vetëm për nisjen e dialogut strategjik.

Profesori universitar, Arben Fetoshi, konsideron se komunikimi duhet të fokusohet në nivelin politik dhe diplomatik.

“Nëse i referohemi zhvillimeve që kanë të bëjnë me FSK-në dhe në përgjithësi me sektorin e sigurisë në Kosovë, Kosova nuk ka pasur asnjë problem në raportet e saj strategjike me SHBA-në. Por natyrisht, kjo nënkupton gjithsesi edhe koordinimin e ngushtë të Kosovës për të mos ndërmarrë veprime të cilat potencialisht çojnë në keqkuptim me aleatin tonë më të rëndësishëm dhe të ndërmarrë veprime të koordinuara në përputhje me interesat strategjike reciproke”, ka thënë ai.

Sipas Fetoshit, rikthimi i dialogut të planifikuar strategjik është interes jetik për Kosovën.

“(Ai) do të ofronte një mekanizëm për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, sidomos në fushën e sigurisë, por pa përjashtuar edhe ekonominë dhe diplomacinë. Nëse i referohemi kontekstit aktual gjeopolitik kur Kosova duhet vetëm përmes koordinimit me SHBA-në të angazhohet për forcimin e pozitës së vet ndërkombëtare dhe të koncentrohet maksimalisht në objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO”, ka thënë ai.

Fetoshi ka shprehur pritjen që presidentja Shiroka-Pula të vërë komunikim edhe me Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk duhet veprime specifike të cilat sot do t’i listonim për rikthimin e dialogut strategji, duhet një komunikim i cili nuk i lë hapësirë keqkuptimeve eventuale në komunikimin e institucioneve të Kosovës me Uashingtonin zyrtar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë se krahas adresimit të shkaqeve që kanë çuar në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, institucionet duhet të punojnë edhe në argumentimin te SHBA-ja për veprimet e ndërmarra.

“Qeveria duhet të insistojë që i ka adresuar të gjitha, apo shumicën e pikave, për të cilat ka pasur shqetësime Departamenti i Shtetit, dhe po besoj janë të mjaftueshme për ta rifilluar dialogun e përbashkët Kosovë-SHBA. Mandej, ato gjatë rrugës mund të përmirësohen nëse ka mbetur diçka pa u përmirësuar”, ka thënë ai.

Sipas Arifit, institucionet duhet të jenë të koordinuara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të mos ndërmerren veprime të njëanshme.

“Janë bërë disa veprime, por janë bërë veprime që nuk janë adresuar në formën e duhur dhe shteti duhet, e ka obligim që t’i drejtohet Departamentit të Shtetit, ose përmes ambasadës ose drejtpërdrejt, që disa çështje janë ndërmarrë dhe është relaksuar situata në veri, edhe me komunitetin serb është në përfundim të integrimit”, ka thënë ai.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen për temat si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, e të tjera.