КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Косово назадује на ПИСА тесту, стручњаци позивају на хитне мере

ПУПИЛС

Kosova ka ngelur edhe në Rezultatet e testit PISA 2025. Nxënësit 15-vjeçarë vazhdojnë të kenë rezultate dukshëm nën mesataren e vendeve të OECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë. Madje, në matematikë dhe lexim është shënuar rënie krahasuar me vitin 2022. Raporti nxjerr në pah edhe mungesën e nxënësve me performancë të lartë dhe probleme të tjera që lidhen me procesin mësimor dhe mjedisin shkollor.

Kosova ka shënuar regres në rezultatet e testit PISA 2025 në matematikë, ndërsa  performanca e nxënësve 15-vjeçarë ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2022 në shkencë dhe lexim.

Nga 6632 nxënës 15-vjeçarë, të cilët u testuan në lexim, matematikë dhe shkencë, sipas raportit, në këto tri fusha, pothuajse asnjë nxënës nuk tregoi performancë të nivelit të lartë.

Kosova në PISA 2025 renditet e 8-ta nga fundi, me 357 pikë në shkencë, njëjtë sikurse në vitin 2022. Në lexim, 340 pikë, dy më pak se në vitin 2022. Dhe në matematikë, 351 pikë, katër më pak se në vitin 2022.

Në këto fusha të testimit, Kosova ka mbi 120 pikë më pak sesa mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që është deri në 482.

PISA 2025 përfshiu edhe një vlerësim të ri të zgjidhjes së problemeve në mënyrë kompjuterike, ku Kosova mori 359 pikë, e që mesatarja ishte 500.

“Pothuajse asnjë nxënës në Kosovë nuk ishte performues i nivelit të lartë në matematikë, që do të thotë se kishte arritur Nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës PISA (mesatarja e OECD-së: 8%)”, thuhet në raportin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – Raporti PISA 2025.

PISA 2025 ka testuar edhe qëndrimet e nxënësve ndaj shkollës dhe të nxënit në Kosovë, 21% e tyre pajtohen plotësisht se shkolla ka qenë humbje kohe.

Në raport u trajtua edhe ngacmimi dhe ngacmimi kibernetik, ku në Kosovë 24% e nxënësve raportuan se ishin viktimë e të paktën një forme të ngacmimit disa herë në muaj.

Raporti flet edhe për disa problemet që kanë institucionet arsimore në Kosovë.

“Të dhënat e PISA 2025 tregojnë se mungesa e perceptuar e burimeve materiale mbetet shqetësim në shumicën e vendeve dhe ekonomive. Rreth 60% e nxënësve në Kosovë ndiqnin mësimin në shkolla, drejtuesit e të cilave raportuan se mungesa e materialeve arsimore – si tekstet shkollore, pajisjet e teknologjisë informative, materialet e bibliotekës ose laboratorit – pengonte procesin mësimor, të paktën deri në një masë. Ndërkaq, 33% e nxënësve ishin në shkolla ku mungesa e infrastrukturës fizike – si ndërtesat, hapësirat shkollore, sistemet e ngrohjes/ftohjes, ndriçimi dhe sistemet akustike – perceptohej si pengesë për mësimin. Në vitin 2022, këto përqindje ishin përkatësisht 70% dhe 53%”, thuhet në raportin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – Raporti PISA 2025.

Raporti thekson rënie të ndjeshme në pothuajse të gjitha vendet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Kosovën, ku për vitin 2025, 64% e nxënësve raportuan se prindërit ose kujdestarët i pyesin të paktën një herë në javë se çfarë kanë bërë në shkollë. Kjo përqindje në vitin 2022 ishte 74%.

Nga ekspertët bëhet thirrje për veprime urgjente nga institucionet.

Nga njohësit e fushës së arsimit është bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet.
“Realisht mendoj që kjo duhet me qenë alarmi i fundit. Ministria e Arsimit, akterët e arsimit, të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë situatë dhe t’i adresojnë problemet reale që ka arsimi. Është urgjencë kombëtare kjo çështje, sepse jemi duke shkuar drejt analfabetizmit total”, ka thënë Agon Ahmeti, drejtor në organizatën ETEA.

E njohësi tjetër i arsimit, Ismet Potera, nuk ka pritur ndonjë rezultat të madh, por as rënie krahasuar me vitin 2022.

“Është e dhimbshme, po tregojnë që nuk jemi shumë seriozë. Nuk kam pritur që do të ketë ndonjë rezultat, por nuk e kam mendu që do të ketë rënie. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk mësojmë nga pësimet dhe nuk ndërmarrim diçka. Gjithmonë tri ditë pas rezultateve i kemi komentuar, por aty ka përfunduar gjithçka. Sepse testi PISA po na tregon ku jemi. Atëherë ne duhet të gjejmë rrugën të dalim nga kjo gjendje”, ka thënë ai.Për dallim nga Kosova, një përqindje e vogël e nxënësve në Shqipëri, krahasuar me mesataren e vendeve të OECD-së, ishin performues të nivelit të lartë (niveli 5 ose 6), të paktën në një lëndë.

Në PISA 2025 u testuan më shumë se 750 mijë nxënës nga 91 vende të botës. Kina renditet e para me më së shumti pikë, e pas saj Singapori dhe në vendin e tretë Japonia.