Asamblistët e Komunës së Prishtinës arritën të heqin propozimin që çdo veturë të paguajë 2 euro për të hyrë brenda qendrës së kryeqytetit. Por, u vendos që të ketë taksë për automjete mbi 3.5 tonë, e cila do të jetë në lartësinë 5 dhe 10 euro
Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka thënë jo vendosjes së tarifës prej 2 eurosh për automjete deri në 3.5 tonë, që kalojnë në zonën e kufizuar të lëvizjes brenda Qendrës së kryeqytetit.
Ekzekutivi i komunës propozoi tarifën, në kuadër të ndryshimeve që i janë bërë rregullores për tarifa. Por, ajo u hoq para se të dalë për votim, pas kundërshtimit që bënë dy prej grupeve më të mëdha në Kuvendin Komunal.
Drejtori i Ekonomisë, Luftar Braha, bëri të ditur tërheqjen e ekzekutivit nga mësymja për ta vendosur tarifën edhe për vetura.
“Një propozim që erdhi tani është që veturat deri në 3.5 tonë nuk do të tarifohen, varësisht a vijnë nga qendra e Prishtinës, nga fshatrat, nga pjesë të ndryshme të Kosovës apo edhe nga jashtë shteti. Veturat mbi 3.5 tonë do të tarifohen varësisht prej cilës zonë janë”, ka thënë Braha.
Me 35 vota pro, asnjë kundër e dy abstenime, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi propozimin për vendosjen e tarifave brenda zonës së kufizuar të lëvizjes për mjetet 3.5 tonë deri në 7.5 tonë me 5 euro. Ndërsa mbi 7.5 euro me 10 euro. Ky kufizim vlen vetëm gjatë ditës, e cila do të përcaktohet me kohë specifike nga drejtoria e Ekonomisë.
Vendimi u mor pas një debati të gjatë në Kuvendin Komunal, ku drejtori për Ekonomisë, Luftar Braha ndër të tjera propozoi të vendoset zona e kufizuar e lëvizjes në kryeqytet, brenda së cilës, për vetura duhej të paguhej 2 euro.
“Kjo është një praktikë që është në 600 qytete të botës. Në shumicën e tyre nuk ka thjeshtë kufizim, por edhe ndalim të plotë të lëvizjes. Po e përmend Lubjanën që në zemër të saj ka 12 hektarë të liruar plotësisht”, ishte arsyetimi i drejtorit Braha.
Tarifën prej 2 eurosh që në start e kundërshtuan asamblistët e Partisë Demokratike që bashkëqeveris me kryetarin Përparim Rama, si dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje, në opozitë.
“Mendojmë që nuk janë krijuar kushtet e mjaftueshme për parkingje, për lëvizje me autobusë e mjete tjera në mënyrë që të krijohet një zonë e kufizuar e lëvizjes. Pa këto ndryshime, PDK-ja nuk e përkrahë këtë rregullore”, ka thëën Muhamet Selmani, asamblist i PDK-së.
Në këtë linjë ka folur edhe Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të LVV-së.
“Unaza e madhe e Prishtinës duhet t’i paraprijë çfarëdo krijimi të zonave të lira të trafikut. Deri në ndryshimin e këtyre, Vetëvendosje nuk e voton një rregullore të tillë”, pati paralajmëruar ai.
Sipas rregullores, zona e kufizuar e lëvizjes përfshin pjesët nga rrugët: “Fehmi Lladrovci”, “Xhevë Lladrovci”, “Afrim Zhitia”, “Agim Ramadani”, “Ilir Konushevci”, “Hekurudha”, “Sami Plakolli”, “Zagrebi”, “Tirana”, “Hekurudha”, “Jusuf Gërvalla” e rruga “5 Maji”.
Në këtë mbledhje, me propozim të drejtorit të Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, u krijua ndërmarrja e re “Pastrimi-Prishtina”. Sipas arsyetimit të Retkocerit, ajo do të funksionojë me 100 për qind të aksioneve nga Komuna e Prishtinës, për dallim nga ndërmarrja aktuale “Pastrimi”, në të cilën aksione kanë edhe komuna të tjera.
Директор јавних служби, Леутрим Реткоцери, предлагајући његово оснивање, нагласио је да Приштина треба да преузме контролу над чишћењем у главном граду.
“Kompania Pastrimi-Prishtina do t’u hyjë në punë qytetarëve dhe do të menaxhohet nga Kuvendi i Prishtinës me 100 për qind te aksioneve”, ka thënë ai.
Këtë e ka kundërshtuar shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, duke thënë se LVV-ja nuk do ta votojë këtë propozim.
“Është një tendencë me vazhdu klientelizimin e shpërfaqur nga PDK-ja, të shpërndarë në shumicën e ndërmarrjeve të kryeqytetit. Kjo është një kërkesë për një mundësi të re që një pjesë të tregut t’ia japin operatorit privat. Prishtina e ka ndërmarrjen e vet, kompania “Pastrimi” i ka ndërpre pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera dhe mund të koncentrohet vetëm në Prishtinë. Qytetarët duhet ta dinë se po duan ta bankrotojnë ‘Pastrimin’ dhe një pjesë të punëtorëve ta dërgojnë më ndërmarrjen e re”, ka thënë Sveçla.
Prishtina përballet me problem në menaxhimin e mbeturinave. Banorët vazhdimisht janë ankuar për kontejnerët që për javë të tëra nuk zbrazen në një numër lagjesh. Ndërkaq, punonjës të kompanisë kanë protestuar disa herë, shkaku i vonesës së pagave.