КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Бивши министар Лекај се брани ћутањем у случају „53 милиона“

Пал Лекај - 53 милионер

Фото: Архив

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar rigjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”. Të akuzuarit në këtë rast Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, janë mbrojtur në heshtje, ndërsa palët kanë kundërshtuar relevancën e disa provave të administruara nga trupi gjykues. Rigjykimi pritet të vazhdojë me fjalët përfundimtare të palëve në seancën e radhës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten ka vazhduar seanca e rigjykimit të rastit të njohur si “53-milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, Nebih Shatri, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik, Besim Tahiri.

Ata akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me pagesën prej 53 milionë eurosh për punët në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në seancën e së enjtes, të gjithë të akuzuarit shfrytëzuan të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

E trupi gjykues, administroi disa prova materiale sipas detyrës zyrtare.

Në mesin e tyre ishin marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Bechtel and Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, përgjigjja e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, informatat e Zyrës së Kryeministrit, si dhe rendi i ditës së një mbledhjeje të Qeverisë.

Prokurori special, Valdet Gashi, e kundërshtoi relevancën e këtyre provave.

Ai tha se çështja kryesore në këtë rast është baza ligjore mbi të cilën është bërë pagesa prej 53 milionë eurosh për punët në autostradën “Arbën Xhaferi”.

“Shtrohet pyetja çfarë relevance ka kjo, sepse nuk është kontestues fakti që është bërë pagesa prej 53 milionë. Por, pretendimet e Prokurorisë janë se mbi çfarë baze është bërë kjo pagesë, për shkak se referuar të gjitha provave përfshirë edhe super ekspertizën është vërtetuar fakti se në asnjë rrethanë nuk ka pasur bazë dhe arsye që të bëhet një pagesë e tillë. Prandaj edhe kjo është arsyeja pse unë mendoj që është jorelevante kjo, dhe se nuk ndryshon pretendimet e paraqitura nga Prokuroria se kjo pagesë prej 53 milionë euro është e pabazuar dhe në kundërshtim me rekomandimet e kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill International’, e vërtetuar edhe nga provat, respektivisht ekspertiza dhe super ekspertiza”, ka thënë prokurori Gashi.

Avokati i Pal Lekajt, Artan Qerkini, tha se njëra prej provave dëshmon se klienti i tij nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale. Sipas tij, Lekaj vetëm e ka zbatuar vendimin e Qeverisë për realizimin e pagesës shtesë ndaj kompanisë “Bechtel and Enka”.

Me këtë qëndrim u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë – avokatët Driton Musliu, Urim Vokshi dhe Teuta Xhema.

Gjatë seancës, me propozim të avokatit Vokshi, gjykata administroi edhe pesë vendime të Qeverisë së Kosovës të viteve 2017 dhe 2018, të cilat lidhen me shpronësimet e pronave.

Këto prova u mbështetën nga mbrojtja, ndërsa prokurori Gashi i kundërshtoi. Ai tha se nuk është kontestuese shtyrja e afatit të punimeve për shkak të shpronësimeve, por mënyra se si është vlerësuar kompensimi për këtë shtyrje.

Pas përfundimit të deklarimeve, seanca u ndërpre për të vazhduar një ditë tjetër kur palët pritet të paraqesin fjalët përfundimtare.

Në fakt, gjatë trajtimit të parë të rastit, më 31 janar 2024, Themelorja e pati dënuar Pal Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv, Nebih Shatrin me 1 vit e 8 muaj burgim, Besim Tahirin me 1 vit e 8 muaj burgim dhe Eset Berishën me 3 vjet e 3 muaj burgim.

Por më pas, pas ankesës në Apel, rasti u kthye në rigjykim.