КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Хаџију: Захтеви демонстраната треба да се чују

Албулена Хаџиу

Фото: Дритон Мехмети

Në ditën e shtatë të protestave në Shqipëri, është thyer heshtja institucionale në Kosovë. Pasi është pyetur nga mediat, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se zhvillimet janë duke i përcjellë me shqetësim dhe ka bërë thirrje që të ndalet dhuna që ka shoqëruar protestat

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje institucioneve në Shqipëri, që të dëgjojnë kërkesat e protestuesve. 

Haxhiu ka thënë se zhvillimet në Shqipëri janë duke i përcjellë me shqetësim, derisa ka theksuar se nuk mbështesin dhunën që është duke u ushtruar. 

“Mendoj që është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta e jo arroganca, mendoj që arroganca vetëm nxit protestat. Prandaj edhe thërras që me maturi, me seriozitet të tejkalohen ndasitë apo qëndrimet e ndryshme që mund t`i kenë”, ka deklaruar Haxhiu. 

Ajo ndërkohë ka reaguar edhe ndaj, siç ka thënë, shtrembërimit të përgjigjes për protestat në Shqipëri. 

“Siç e kam thënë, zhvillimet atje janë shqetësuese për të gjithë ne. Ajo që po shohim kërkon trajtim serioz. Kërkesat e studentëve dhe të protestuesve duhet të dëgjohen nga institucionet, ndërsa dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët. Kur kam thënë se arroganca vetëm i nxit protestat, kam folur për mënyrën si duhet t'u qasemi protestave në përgjithësi, me seriozitet dhe me gatishmëri për të dëgjuar. Ky ishte një qëndrim parimor, jo gjykim për shkaqet e protestave apo akuzë ndaj ndonjë institucioni në Shqipëri. Si shqiptare e Kosovës, për të cilën Shqipëria është shtëpi, u kërkoj të gjitha palëve që me maturi të gjejnë rrugën përpara. Besoj se përmes dialogut, ndasitë mund të tejkalohen dhe qetësia të rikthehet sa më shpejt”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. 

Para se të merren me protestat në Shqipëri, shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se kanë punë dhe detyra në Kosovë, e që lidhen me varfërinë, shëndetësinë e arsimin. 

Megjithëkëtë, Tahiri ka thënë se është e dhimbshme ajo se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri. 

“Se çka po ndodh atje, ata janë përgjegjës, sikurse se qysh s`duhet me u përzi në punët tona këtu... Mirëpo një porosi e kem: ruajeni Shqipërinë se është e shqiptarëve, është e një historie, është e një gjaku, është e një sakrifice”, ka thënë Tahiri. 
Për protestat në Shqipëri ka reaguar edhe deputetja Time Kadrijaj. Ajo ka thënë se protesta është e drejtë e çdo qytetari në një vend demokratik, por ka kundërshtuar veprimet e dhunshme. 
“Ajo që nuk më pëlqen është dhuna që po zhvillohet, si nga protestuesit, ashtu edhe nga policia. Edhe djegiet që po bëhen atje, nuk duhet të shkatërrohet Shqipëria; të ulen, të diskutojnë, të gjejnë një gjuhë mirëkuptimi dhe të diskutojnë, e jo të shkatërrohet Shqipëria. Njësoj sikurse në protestat që janë zhvilluar në Kosovë, po t’i kishim sulmuar institucionet tona dhe po t’i kishim djegur ato, për mua kjo do të ishte e papranueshme”, ka deklaruar ajo.

Të hënën është shënuar dita e shtatë e protestave të studentëve në Shqipëri. 

Gjatë këtyre ditëve, ato janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë. 
Studentët, përmes protestave, janë duke kundërshtuar rritjen e kostove të arsimit dhe korrupsionit, derisa janë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.