КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Хаџију и Курти поново траже од Србије да отвори архиве за нестале особе

Kurti - Haxhiu

Zyrtarë të lartë të shtetit kanë përsëritur thirrjet për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë, për t’i hapur arkivat shtetërore dhe ushtarake që do të ndihmonin në zbulimin e vendndodhjes së mbi 1.500 personave të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe zyrtarë të tjerë, bënë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, nga ku edhe kërkuan bashkëpunim nga Serbia.

Liderë të institucioneve e partive politike kanë bërë homazhe tek  Memoriali i Personave të Zhdukur, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë se  ende janë mbi 1500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe se kërkimet po vazhdojnë.

“Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur. Për familjet pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur i cili nuk do të mbyllët deri sa të gjendet edhe personi i fundit. Kërkimet nuk janë ndalur dhe janë gjetur mbetje mortore. Vetëm në muajin e fundit në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave”, tha Haxhiu.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në hapjen e arkivave, duke theksuar rëndësinë e deklasifikimit të dosjeve të ushtrisë ish-jugosllave.

“Mos harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet që do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Më duhet ta ritheksoj që një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha Kurti.

Ai u shpreh se këto dosje duhet të hapen një ditë e më parë dhe kërkoi nga BE-ja t'i bëjë trysni shtetit serb që të hap këto arkiva.

“Prandaj, tash që kanë kaluar 10 vjet nga klasifikimi i kësaj dosje, nuk mund të presim ne edhe 18 vjet të tjera deri në vitin 2044 që duhet të hapen. Duhet të hapen një ditë e më parë. I falënderojmë edhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës që ishin të pranishëm sot këtu bashkë me ne për të bërë homazhe për të pagjeturit, por në të njëjtën kohë kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra-milionshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha Kurti.

E deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës ritheksuan se zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet një nga obligimet më të rëndësishme të institucioneve të Republikës.

”Me respekt dhe përulje kujtojmë të gjithë ata, fati i të cilëve ende mbetet i pazbardhur dhe qëndrojmë pranë familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin përgjigje për më të dashurit e tyre. Kosova nuk duhet dhe nuk do të pushojë së kërkuari drejtësi derisa të zbardhet fati i secilit të zhdukur. E vërteta, drejtësia dhe kujtesa janë detyrim i përhershëm i yni”.

Autoritetet vendore zbuluan mbetje mortore  të së paku 23 njerëzve, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, gjatë gërmimeve në tri zona në veri të vendit.

Mbetjet e gjetura në tri fshatra të Zubin Potokut janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.