КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

Беким Сејдиу, кандидат који је ујединио Ветевендосје и Демократску лигу

Беким Сејдиу

Фото: Дритон Пацхарада

Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për president. Emri i tyre është profesori universitar, Bekim Sejdiu, por për zgjedhjen e tij në krye të shtetit, marrëveshja mes dy partive duhet të sigurojë edhe votat e nevojshme në Kuvend.

Bekim Sejdiu është kandidati i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për t’u bërë presidenti i shtatë i Kosovës.

Ai u prezantua si emri konsensual mes dy subjekteve në një konferencë të përbashkët  të mbajtur të hënën në hollin e Kuvendit.

Profesori Universitar tha se angazhimi në politikë nuk ishte ndër qëllimet e tij, megjithatë deklaroi se në rrethanat aktuale nuk do t‘i ikë përgjegjësisë.

“Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale, por sidoqoftë, duke qenë tërësisht i vetëdijshëm edhe me barrën dhe përgjegjësinë që e sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual politik të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë, që t'i shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë kudo dhe kurdo që më është dhënë rasti brenda kapaciteteve të mia”, tha Sejdiu.

Sejdiun si kandidat të përbashkët të dy partive e prezantoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai lexoi një rezyme të shkurtër të Sejdiut dhe falënderoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin, për siç tha, konstruktivitetin e treguar.

“Kemi qenë të vendosur që të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe t'i evitojmë zgjedhjet e reja të katërta në këto dy vjet. Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi pasur takime të gjata e diskutime të vazhdueshme e bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuara që të përcaktohemi për një emër konsensual për presidentin e Republikës së Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.

Ujdinë mes dy partive e ka mirëpritur Albulena Haxhiu, e cila aktualisht ushtron pozitën të cilën synon ta marrë Sejdiu.

“Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, vlerësoi Haxhiu.

Fjalë të mira për kandidaturën e Sejdiut pati edhe Vjosa Osmani, e cila gjatë mandatit të saj si presidente e kishte atë këshilltar.

Osmani ishte pjesë e negociatave mes partive që çuan në marrëveshjen për kandidatin për president, por ajo theksoi se për zgjedhjen e tij në krye të shtetit mbetet edhe një test në Kuvend.

“Në fund, vendimi u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, theksoi Osmani.

Që votimi për presidentin e ri të Kosovës të jetë i vlefshëm, kërkohet prania e 80 deputetëve në Kuvend.

Së bashku me 18 mandatet e LDK-së, 53 nga LVV-ja dhe 10 nga komunitetet joserbe janë të paktën 80 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet edhe më 61 vota.