КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ВЕЧЕРЊЕ ВЕСТИ

25 година затвора за Егзона Шалтија који је аутомобилом ударио и убио Аурона Фериза

Egzon Shallti

Themelorja në Gjilan ia ka shqiptuar 25 vjet Egzon Shaltit, i cili akuzohet se ka goditur për vdekje Auron Ferizin, në afërsi të sheshit në komunën e Vitisë. Sipas aktakuzës, i pandehuri për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin Valton Gashi, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Auron Ferizi, duke rrezikuar rëndë edhe jetën e të dëmtuarve të tjerë

Gjykata Themelore në Gjilan, e ka dënuar me 25 vjet burgim Egzon Shalltin, i cili e ka goditur me veturë për vdekje Auron Ferizin, në shtator të vitit të kaluar, në afërsi të sheshit në Komunën e Vitisë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Shallti për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme me të dëmtuarin, Valton Gashi, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Auron Ferizi, duke rrezikuar rëndë jetën edhe të dëmtuarve të tjerë.

Shallti akuzohet se e ka shkaktuar aksidentin me vetëdije të plotë, duke goditur personat që ndodheshin aty.

“I akuzuari Egzon Shallti është fajtor për shkak se në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, andaj trupi gjykues të akuzuarin e gjykon me 25 vjet burgim. Të akuzuarit i shqiptohet masa e detyrueshme e ekzaminimit psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Rilind Sermaxhaj.

Gjykata ka marrë vendim që të pandehurit t’ia marrë lejen e vozitjes për 5 vjet.

Kryetari i trupit gjykues, Sermaxhaj, ka dhënë edhe arsyetimin për lartësinë e dënimit.

“Trupi gjykues nuk mund ta anashkalojë gjendjen mendore të të akuzuarit gjatë kohës së kryerjes së veprës penale, por as ta shkëpusë atë nga natyra e veprimit, mënyra e realizimit të tij si dhe pasojat e shkaktuara tek të dëmtuarit. Ka përcaktuar dënimin me burgim prej 25 vjetësh, e jo dënim me burgim të përjetshëm, meqë ndaj personave të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, janë nën moshën 21 vjeç dhe atyre që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë në aftësi esencialisht të zvogëluara mendore është e ndaluar një gjë e tillë”, ka thënë ai.

Vendim i gjykatës ka nxitur reagime te familjarët e të ndjerit, Auron Ferizit.

Një prej tyre, në gjykatë u është drejtuar familjarëve të të akuzuarit tij me fjalët: “prej sotit besë nuk keni”.

Për shkak të kanosjes ndaj familjarëve të të akuzuarit, Policia ka intervistuar dy persona.  Sipas njoftimit të Policisë, pas intervistimit ata janë liruar në procedurë të rregullt.

E pas seancës babai i Auronit, Arton Ferizi, ka thënë se do të ankohen për vendimin.

“Nuk është vendim i drejtë, është vendim i padrejtë. Pesë veta me tentu m’i myt dhe një prej tyre me myt, kjo nuk është vendim me 25 vjet. Këtu duhet veç burgim të përjetshëm. Unë do të shfrytëzoj të drejtën time deri në Gjykatën Supreme, nuk ka me lanë me kaq. Kjo është akt terrorist çka ka ndodhë, kjo është tmerr i tmerrit”, ka thënë Ferizi.

Përveç Ferizit, i cili nuk u ka mbijetuar plagëve, nga goditja e veturës kanë mbetur të lënduar edhe katër persona të tjerë.