КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Таписерија из Бајеа, ремек-дело из 11. века, посећује Британију

Tapiceria e Bayeuxit

E realizuar pak kohë pas 1066-s, tapiceria rrëfen në 58 skena të pasura me detaje ngjarjet që çuan në Betejën e Hastingsit dhe fitoren e normanëve ndaj anglo-saksonëve. Anije, bankete, përgatitje ushtarake dhe beteja të përgjakshme pasojnë njëra-tjetrën, duke ofruar një pasqyrë të rrallë dhe jashtëzakonisht të detajuar të jetës në shekullin e 11-të

Vepra e cila përjetëson 1066-n, që konsiderohet si njëri prej viteve më me peshë në historinë angleze, ka ardhur për herë të parë në Britani prej se u realizua. Konsiderohet të jetë një praj ekspozitave më të mëdha në Muzeun Britanik që llogarit të tërheqë një milion vizitorë deri në verën e vitit që vjen. E gjatë rreth 70 metra, tapiceria paraqet pushtimin norman të Anglisë

Pas gati një mijë vjetësh dhe një udhëtimi prej qindra kilometrash, tapiceria e Bayeux është rikthyer në tokën britanike dhe po rezulton të jetë një nga ekspozitat më të kërkuara në Muzeun Britanik. Vepra e qëndisur e cila paraqet pushtimin norman të Anglisë në vitin 1066, po ekspozohet për publikun këtë javë për herë të parë në Britani që nga shekulli i 11-të. Biletat janë shitur të gjitha për muajt në vijim, ndërsa muzeu pret rreth një milion vizitorë përpara përfundimit të ekspozitës në korrik të 2027-s.
Mbreti Charles III dhe presidenti francez Emmanuel Macron e kanë parë tashmë tapicerinë privatisht, ndërsa nxënësit e shkollave në të gjithë Britaninë e Madhe pritet të marrin mësime të veçanta historie rreth saj.

E gjatë rreth 70 metra, tapiceria paraqet pushtimin norman të Anglisë. Kur William e mposhti Haroldin e Dytë në Betejën e Hastingsit në vitin 1066, ajo u shndërrua në një mjet të rëndësishëm propagande për të mbështetur pretendimin e Williamit ndaj fronit anglez. E realizuar pak kohë pas 1066-s, tapiceria rrëfen në 58 skena të pasura me detaje ngjarjet që çuan në Betejën e Hastingsit dhe fitoren e normanëve ndaj anglo-saksonëve. Anije, bankete, përgatitje ushtarake dhe beteja të përgjakshme pasojnë njëra-tjetrën, duke ofruar një pasqyrë të rrallë dhe jashtëzakonisht të detajuar të jetës në shekullin e 11-të. Besohet se vepra u porosit nga peshkopi Odo i Bayeux, por u realizua në Angli. Gjatë shekujve është ekspozuar në vende të ndryshme nëpër Francë, së fundmi në Muzeun e Bayeux në Normandi.

Kuratori i ekspozitës, Michael Lewis, e përshkroi vitin 1066 si ngjarjen më të rëndësishme në historinë angleze.

“Epo, viti 1066 ishte hera e fundit kur Anglia u pushtua me sukses. Ka historianë që ndonjëherë e vënë pak në dyshim këtë; ata përfshijnë edhe data të tjera. Por, në njëfarë mënyre, ky vit shënon një moment të rëndësishëm në histori. Në fakt, në historinë angleze, ne e shohim vitin 1066 si vijën ndarëse midis periudhës së hershme mesjetare dhe periudhës mesjetare. Pra, kështu mësohet, besoj, në këtë vend, si një datë themelore për këtë komb”, ka thënë ai. 

Tapiceria e Bayeuxit vazhdon t’i mahnitë studiuesit dhe vizitorët, jo vetëm për përmasat e saj mbresëlënëse, por edhe sepse konsiderohet një dokument historik unik që dëshmon një nga momentet më vendimtare në historinë britanike

Tapiceria paraqet tradhti, gjakderdhje dhe pushtim, krahas detajeve nga jeta e përditshme mesjetare, përfshirë ushtarë që gatuajnë, hanë dhe vjedhin bagëti. Për historianët, ajo ofron gjithashtu një pasqyrë të jetës në shekullin e 11-të, nga ndërtimi i anijeve dhe moda deri te kuzhina, e arkitektura. Ajo paraqet madje edhe kometën e Halleyt, e cila u shfaq në vitin 1066.

“Mendoj se fakti që kjo vepër është kaq e gjatë ngre një tjetër çështje. Dua të them, kjo është një vepër gjigante, 70 metra e gjatë. Dhe megjithëse materialet — linoja dhe fijet e qëndisjes — janë materiale mjaft të thjeshta, sasia që nevojitet është jashtëzakonisht e madhe, kështu që dikush duhet të ketë qenë shumë i pasur për ta porositur ose për ta pasur këtë vepër. Mund të imagjinoni se në shtëpitë e njerëzve të tjerë, në pallate apo në vende të tjera ku ata mund të kenë jetuar, do të kishte pasur edhe paraqitje të tjera pamore që tregonin histori si kjo, ndoshta për ngjarje laike, ndoshta për ngjarje fetare. Por mendoj se shumë pak prej tyre do të kenë qenë aq të mëdha sa kjo, sepse për ta ekspozuar këtë vepër të duhet patjetër një ndërtesë gjigante, apo jo? Edhe ne na është dashur një hapësirë e madhe për ta ekspozuar këtu, në Muzeun Britanik”, ka thënë Lewis.

Tapiceria ka qëndruar për gati një mijë vjet në qytetin francez Bayeux. Huazimi i saj për në Londër erdhi pas vitesh diplomacie dhe u vonua për shkak të pandemisë COVID-19 dhe tensioneve të lidhura me Brexit-in.

Artefakti i brishtë, i siguruar për 960 milionë euro (1.1 miliardë dollarë), u transportua në Londër në një paketim të kontrolluar klimatikisht dhe rezistent ndaj goditjeve, nën shoqërimin e policisë. Ai po ekspozohet i shtrirë, brenda një vitrine të teknologjisë së fundit.

Tapiceria ka qëndruar për gati një mijë vjet në qytetin francez Bayeux. Huazimi i saj për në Londër erdhi pas vitesh diplomacie dhe u vonua për shkak të pandemisë COVID-19 dhe tensioneve të lidhura me Brexit-in. Artefakti i brishtë, është siguruar me 960 milionë euro

Sipas Lewisit, tapiceria pasqyron lidhjet e thella historike midis Anglisë dhe Francës.

“Ajo që është interesante për këtë artefakt është se është një objekt me rëndësi për kombin anglez, por ruhet në Francë; është një objekt në pronësi franceze. Dhe, sigurisht, ai pasqyron faktin se normanët pushtuan Anglinë, por më pas edhe anglezët, së bashku me aleatët e tyre, çliruan Normandinë. Pra, ekzistojnë lidhje të gjata dhe të thella midis dy vendeve, të cilat tapiceria e Bayeux në njëfarë mënyre i pasqyron. Dhe një gjë që mendoj se është e mahnitshme në Bayeux, në varrezat e luftës atje, është se ekziston një moto në latinisht që thotë diçka të tillë: ‘Ne jemi njerëzit që u pushtuam nga Williami, tani jemi kthyer për të çliruar tokën’. Pra, kjo lidhje midis Anglisë dhe Francës, e cila filloi në thelb në vitin 1066, vazhdon edhe sot dhe mendoj se kjo është vërtet shumë domethënëse”.

Tapiceria e Bayeuxit vazhdon t’i mahnitë studiuesit dhe vizitorët, jo vetëm për përmasat e saj mbresëlënëse, por edhe sepse konsiderohet një dokument historik unik që dëshmon një nga momentet më vendimtare në historinë britanike. Ajo ekspozohet për publikun e gjerë prej 10 shtatorit.