“Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu” është titulli i dokumentarit të radhës të realizuar me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, e me ide të njërit prej komandantëve i cili më 1998 e 1999 i jepte urdhra këtij formacioni ushtarak, më pas i dënuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. “Derisa pjesa më e madhe e vendit tonë jetonte në paqe në vitin 1998, në Kosovë po vriteshin njerëz. Vriteshin policë dhe ushtarë, ndërsa civilët vriteshin mizorisht nga dora e terroristëve, të cilët në mënyrë hipokrite e quanin veten ‘ushtri çlirimtare’”, citohet të ketë thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë
Në propagandën e saj kundër Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Serbia ka mobilizuar Ministrinë e Mbrojtjes e cila edhe kësaj radhe si “armë” ka përdorur kinematografinë. Me ceremoni gjigante e fjalime pompoze të autoriteteve të larta, në Nish është organizuar shfaqja premierë e dokumentarit “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu”.
Korpusi i Prishtinës, i njohur edhe si Korpusi i 52-të, ka qenë njësi e madhe ushtarake që bënte pjesë në Armatën e Tretë të Ushtrisë Jugosllave. Dy kanë qenë komandantët e këtij korpusi gjatë luftës në Kosovë: fillimisht Nebojsha Pavkoviqi, më pas Vladimir Llazareviq. Të dy janë kriminelë lufte të dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë. I pari ka vdekur vitin e kaluar. I dyti, ka qenë i pranishëm në ceremoni jo vetëm si shikues, por edhe si folës i nderuar e hero i gjallë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka bërë edhe një përshkrim të gjatë ceremonisë së mbajtur javën e kaluar por jo edhe filmit dokumentar të prodhuar nga qendra filmike ushtarake “Zastava Film”, në kuadër të Drejtorisë për Marrëdhënie me Publikun të kësaj ministrie. Nuk jep shumë të dhëna për filmin, por theksohet qëllimi i tij: t’u lihet dëshmi gjeneratave që vijnë pas për të mos harruar “të bëmat heroike të pjesëtarëve të këtij korpusi”. Të bëmat dihen njësoj siç dihet se ky nuk është i pari film i ashtuquajtur dokumentar me të cilin Serbia propagandon keqas.
“Filmi dokumentar ‘Korpusi i Prishtinës – Na komandon atdheu’ u kushtohet të gjithë pjesëtarëve të Korpusit të Prishtinës, me synimin që heroizmat e tyre mbinjerëzorë dhe sakrificat që bënë në mbrojtje të atdheut gjatë viteve 1998 dhe 1999 të mos harrohen kurrë”, ka shkruar Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiq, sipas komunikatës, del ta ketë pasur të vështirë t’i gjejë “fjalët e duhura, mjaftueshëm të kthjellëta e të fuqishme, për t’i bërë jehonë të denjë e filmit të shfaqur”. Ka theksuar se është krenar që institucioni filmik ushtarak “ka arritur edhe një herë të shpëtojë nga harresa dhe të ruajë për brezat e ardhshëm dëshmitë për heroizmin e njerëzve të jashtëzakonshëm, të cilët, në kohë sfiduese, luftuan për lirinë e Serbisë dhe të popullit serb”.
“Në këtë mënyrë, si sistem dhe si shtet, treguam se kujtimi për të bëmat e Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë, në mbrojtje të Kosovës dhe Metohisë sonë dhe të atdheut tonë, është bërë pjesë e kujtesës dhe identitetit tonë kolektiv. Arritëm t’i rezistojmë procesit shkatërrues të mohimit të vetvetes, të ndalim dhe ta kthejmë turpin e largimit nga figurat dhe veprat e luftëtarëve dhe heronjve tanë”, citohet të ketë thënë ministri i Mbrojtjes. Por nuk është ndalur me kaq.
“Për aq sa flaka e këtij nderimi është e ndezur brenda nesh dhe kujtimi vazhdon gjëllijë, ne do ta dimë se kush e çfarë jemi. Duke u përpjekur të na largojnë nga vetvetja, ata që nuk na duan të mirën goditën pikërisht këtë ndjenjë të lidhjes së thellë me luftën heroike dhe liridashëse, me një të kaluar plot trimëri dhe vuajtje. Mesazhi i tubimit tonë të sotëm është: ata nuk ia dolën”, është cituar ky zyrtar i lartë i shtetit serb.
Filmi e ka rikthyer në një periudhë historike që “përfaqëson një prej më të vështirave të historisë serbe”.
“Derisa pjesa më e madhe e vendit tonë jetonte në paqe në vitin 1998, në Kosovë po vriteshin njerëz. Vriteshin policë dhe ushtarë, ndërsa civilët vriteshin mizorisht nga dora e terroristëve, të cilët në mënyrë hipokrite e quanin veten ‘ushtri çlirimtare’. Kjo ushtri banditësh dhe kriminelësh rrëmbente dhe vriste qytetarë të pafajshëm, përdhunonte vajza dhe gra dhe merrej me trafikimin e organeve njerëzore. Njerëzit të cilëve u kushtohet ky film nuk luftuan vetëm për ruajtjen e sovranitetit të vendit tonë, por edhe kundër së keqes”, citohet ministri serb i Mbrojtjes.
Ideja për realizimin e këtij filmi të ashtuquajtur dokumentar, del të ketë qenë e vetë Vladimir Llazareviq, i dënuar me 14 vjet burg nga Tribunali i Hagës më 2009. Pasi vuajti dy të tretat e dënimit, u lirua në fund të vitit 2015. Por gjenerali në pension nuk është “pensionuar” nga glorifikimi i krimeve serbe në Kosovë. Madje më 2017, vetë Ministria e Mbrojtjes e angazhoi si ligjërues në Akademinë Ushtarake të Serbisë. Kishte qenë pikërisht ministri Gashiq që mori vendimin për angazhimin e Llazareviqit e të shokëve të tij. Në premierën e “Korpusit...” atë dhe krejt pjesëtarët e këtij formacioni i ka falënderuar “për guximin dhe sakrificën e tyre, për netët pa gjumë, për gjakun dhe plagët”.
“Ju falënderoj që nuk u dorëzuat dhe që i mbajtët me dinjitet simbolet e ushtrisë dhe të shtetit tonë. Të krenarë, sepse do të keni me çfarë të dilni para Milloshit dhe Llazarit!”, ka thënë ministri Gashiq.
Por ky është vetëm fillimi i serisë së dokumentarëve për Korpusin e Prishtinës. “Vazhdoni projektin ‘Korpusi i Prishtinës’ me të njëjtin zell, profesionalizëm dhe përkushtim. Puna juaj lë gjurmë në kohë dhe është krenari për të gjithë ne”, ka urdhëruar ministri i Mbrojtjes i Serbisë.
E, ai që dikur jepte urdhra në Korpusin e Prishtinës si shef i shtabit gjatë vitit 1998 dhe komandant i kësaj njësie, e që tash gjeneratave të reja, krimet në Kosovë ua bart si doktrinë lufte, ka falënderuar të gjithë ata që i kanë kujtuar edhe në dokumentar “heroizmat” e tyre në atë me atë njihej edhe si “Korpusi i Hekurt”.
“Në emër të të gjithë pjesëtarëve të Korpusit të Prishtinës, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, të cilët gjatë dhjetë vjetëve të fundit mundësuan prodhimin e serialit ‘Ratnik’ (‘Luftëtari’), realizimin dhe prodhimin e serialeve dokumentare për brigadat dhe heronjtë e Korpusit të Prishtinës, si dhe, në fund, xhirimin e këtij filmi. Kjo tregon qëndrimin e shtetit të Serbisë ndaj mbrojtësve të vet dhe krijon kushte për të shkruar faqe të reja të historisë sonë”, është cituar gjenerali në pension Vladimir Llazareviq. Ka zbërthyer edhe nëntitullin e dokumentarit: “Na komandon atdheu”.
“Ai lidhet me një nga mesazhet e njohura historike të pjesëtarëve të Korpusit të Prishtinës, të cilat ata i përcillnin nga istikamet e tyre në Koshare, Pashtrik dhe gjithë Kosovën e Metohinë”, ka thënë ai.
Por mesazhi që Serbia ia jep sërish botës me një film si ky është ai se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga propaganda e të distancohet nga e kaluara. Ka jo pak raste.
Njëri prej tyre edhe dokumentari që mohon Masakrën e Reçakut, i cili u rikthye në Radiotelevizionin e Serbisë edhe në janarin e 2024-s, pikërisht në 25-vjetorin e ngjarjes ku u masakruan 45 civilë shqiptarë. Edhe “Dosije Kosovo – Račak” (“Dosja e Kosovës – Reçaku”) qe realizuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme me qëllimin që të “shfaqen edhe fotografi ekskluzive të pjesëtarëve të njësitit të UÇK-së në Reçak të Shtimes, të cilat hedhin poshtë tezën se në Reçak janë vrarë ‘civilë të pafajshëm’”. Filmi, nën regji të Slagjana Zariqit, do të prezantohej si një vepër që “hedh dritë mbi të vërtetën e Reçakut”. Lista e filmave të tillë është e gjatë, në mesin e tyre edhe aso artistikë me të cilët Serbia synonte “Oscar”. Por “Dosja e Kosovës – Reçaku” pati edhe një kthesë. Pamjet filmike dhe deklaratat e folësve, siç kishte raportuar KOHA në qershorin e sivjetmë, do të përbënin themelin e dyshimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për pesë të dyshuar për krime lufte.
“Dosja e Kosovës” është projekt shtetëror. Në vitin 2021 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe RTS-ja do të bashkonin forcat për seri dokumentarësh. “Dosja e Kosovës”. Në një takim midis ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, përfaqësuesve të RTS-it e strukturave të sigurisë në Serbi, qe biseduar për projektin që planifikohej t’i ketë 6 episode. Mediat serbe kishin raportuar se seria do të nxirrte në pah “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatet e civilëve dhe pjesëtarëve të policisë në Kosovë dhe Metohi, në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 2001”. Për autore qe përzgjedhur regjisorja Slagjana Zariq, e cila kishte realizuar edhe “Histori lufte në Pashtrik” e “Histori lufte në Koshare”. Që të dyja këto projekte qenë lansuar më 2019. Historinë e saj krijuese do ta niste në vitin 2005 me një dokumentar për largimin e Slobodan Milosheviqit nga pushteti e po ashtu nga Serbia.
E, si regjisor i dokumentarit “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu” figuron Marko Kamenica, me të cilin mburret edhe Akademia e Arteve e Beogradit e cila mbi të gjitha e ka mision të nxjerrë artistë të rinj.