“Always wanted to be God and never wanted to be good”, “A train leaves the station”, “SightNodtSeeing” dhe “The weary hours of two lab assistants” sjellin qasje të ndryshme ndaj përvojave personale e kolektive, duke u vendosur, sipas përzgjedhëses Yun-hua Chen, në hapësirat midis fenomeneve dhe përvojave të ndryshme njerëzore
Katër filma të shkurtër, që trajtojnë marrëdhënien e njeriut me fenë, familjen, migrimin, kujtesën dhe mënyrën se si individi e gjen vendin e tij në botë, janë pjesë e garës në kategorinë “International Shorts” të DokuFestit. “Always wanted to be God and never wanted to be good”, “A train leaves the station”, “SightNodtSeeing” dhe “The weary hours of two lab assistants” sjellin qasje të ndryshme ndaj përvojave personale e kolektive, duke u vendosur, sipas përzgjedhëses Yun-hua Chen, në hapësirat midis fenomeneve dhe përvojave të ndryshme njerëzore.
Njëri prej filmave, “Always wanted to be God and never wanted to be good”, i bashkëregjisorëve Noa Epars dhe Marvin Merkel, fokusohet në praninë e simboleve fetare në Zvicër. Filmi vë në qendër kryqet e krishtera që gjenden në majat e shumë maleve, por edhe tabelat e mëdha në qytete që përmbajnë fjali nga Bibla.
Epars ka shpjeguar se filmi është nisur pikërisht nga dëshira për të pyetur se përse këto simbole janë kaq të pranishme në hapësirën publike dhe se si mund të bashkëjetohet me to.
“Filmi flet për praninë e simboleve fetare në Zvicër. Në Zvicër, pothuajse në çdo mal kemi kryqe të krishtera në maja, ndërsa në qytete kemi tabela të mëdha me fjali nga Bibla. Donim ta trajtonim këtë temë kryesisht për të pyetur pse janë aty dhe si mund të përballemi me këto simbole?”, ka thënë Epars për KOHËN.
Për bashkëregjisorin, Marvin Merkel, procesi i realizimit të filmit ka qenë një mënyrë për të ndryshuar edhe vetë këndvështrimin e tyre ndaj këtyre simboleve. Ai ka treguar se filmi, përtej pyetjes që ia drejton publikut, ka shërbyer edhe si një proces personal për autorët.
такође
„Џудит тражи“ се суочава са недовољним добром да спасе свет
“Në fund, tani që filmi është përfunduar, e shohim edhe si një mënyrë për ta nxjerrë këtë pyetje para publikut dhe njerëzve që e shikojnë filmin. Por për ne, më e rëndësishmja ishte se gjatë këtij procesi të realizimit të filmit gjetëm një mënyrë për t’u përballur më mirë me këto simbole”, ka shpjeguar Merkel, i cili e ka drejtuar e shkruar skenarin e filmit bashkë me Epars.
Ai ka vlerësuar edhe përfshirjen e filmit në garën ndërkombëtare të “DokuFestit”, duke theksuar se edhe pse rrëfimi lidhet me realitetin zviceran, çështja e fesë shkon përtej kufijve të vendit të dy regjisorëve.
“Është një film që flet për diçka që po ndodh lokalisht në Zvicër, për mënyrën se si ekziston feja në Zvicër. Jemi shumë të lumtur që tani është edhe në vende të tjera dhe tregon se kjo pyetje për fenë është më e gjerë sesa vetëm Zvicra”, ka thënë Merkel.
Në “A train leaves the station” i regjisorit egjiptian, Mahmoud Ibrahim, fokusi zhvendoset te një i ri që përballet me pyetjen nëse duhet të qëndrojë pranë familjes së tij apo të largohet për të ndërtuar rrugën e vet. Sipas selektores së filmave ndërkombëtarë në programin e “DokuFest”, filmi prek një përvojë që mund të jetë e njohur për publikun në Kosovë, por edhe për njerëzit në pjesë të tjera të botës: dilemën mes largimit dhe qëndrimit, si dhe migrimin dhe marrëdhënien me komunitetin.
“Ishte edhe një film për një të ri që po përpiqet të kërkojë një rrugë të vetën, duke vendosur nëse do të largohet nga familja, nga nëna e tij, dhe të bëjë diçka të vetën”, ka treguar Chen.
Ajo ka veçuar edhe karakterin e papërpunuar dhe autentik të imazheve të filmit, duke e lidhur rrëfimin me një përvojë universale.
“Ka diçka shumë të papërpunuar në cilësinë e imazheve, diçka shumë autentike, dhe ishte gjithashtu një histori që lidhet me të gjithë, mendoj edhe këtu në Kosovë, sikurse edhe kudo në botë, për largimin ose qëndrimin, migrimin dhe marrëdhënien me komunitetin”, ka shpjeguar ajo.
такође
Мисија НАТО-а процењује побољшања безбедности, Косовска полиција део је обезбеђења манастира Дечани
Ndërkohë, “SightNotSeeing” nga Sheungman Yim nga Hong Kongu dhe “The weary hours of two lab assistants” nga turku Burak Çevik vazhdojnë eksplorimin e atyre hapësirave të ndërmjetme që përzgjedhësja e “International Shorts” i sheh si një prej pikave lidhëse të programit.
Chen ka thënë se filmat e përzgjedhur janë vendosur mes temave dhe gjendjeve që nuk janë gjithmonë të përcaktuara qartë.
“Filmat që përzgjedhim, natyrisht, më pëlqejnë, prandaj edhe i kemi përzgjedhur. Ata janë në mes të hapësirave, në çarjet mes, për shembull filmi i fundit ishte mes harrimit dhe kujtimit, shkencës, spiritualitetit dhe fallit”, ka thënë ajo.
Ajo ka shpjeguar se programi prek ekzistencën njerëzore, rezistencën, kujtesën dhe raportin mes përvojës personale dhe asaj kolektive.
“Është shumë për ekzistencën e qenieve njerëzore në botë dhe për çarjet, hapësirat e ndërmjetme, rezistencën, harrimin dhe kujtimin, si dhe rrugët personale dhe kolektive së bashku”, ka thënë ajo.
Për Eparsin dhe Merkelin, pjesëmarrja në “DokuFest” është edhe një mundësi për të parë se si një çështje e trajtuar nga një realitet i caktuar mund të marrë kuptim në një kontekst ndërkombëtar. Të dy kanë treguar se kjo është hera e parë që marrin pjesë në Kosovë dhe se janë të interesuar ta zbulojnë festivalin përtej ditëve të para të qëndrimit.
такође
Академик Адем Бунгури: Дисциплинске мере против археолога Гашија апсурдне
Epars ka thënë se ndien një lidhje të fortë mes Zvicrës dhe Kosovës, duke përmendur miqtë e tyre me prejardhje nga Kosova. Ai ka veçuar edhe shfaqjet jashtë ambienteve të mbyllura, të cilat, sipas tij, i japin festivalit një energji tjetër.
Merkel, ndërkaq, ka vlerësuar karakterin politik të “DokuFestit”, duke thënë se mënyra se si festivali komunikon me publikun, përfshirë edhe përmes tabelave në rrugët e qytetit, e ka frymëzuar.
Katër filmat e “International Shorts” sjellin në garë histori të ndryshme, por që bashkohen pikërisht në hapësirat e pasigurta ku takohen përvoja personale, shoqëria, besimi, kujtesa dhe zgjedhjet e individit.