КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

„Побуна и сећање“ са девет гласова који инспиришу чула

Ардијан Пајазити

“Rebelim dhe kujtesë” i Ardianë Pajazitit sjell nëntë portrete, nëntë zëra dhe nëntë fate të grave që kanë sfiduar një mentalitet, kanë kundërshtuar një regjim apo kanë dhënë shembuj suksesi, mbijetese, dashurie dhe përkushtimi

Në një hark kohor prej gjashtë vjetësh, gazetarja e redaktorja, Ardianë Pajaziti, ka realizuar nëntë intervista me gra që, përgjatë shekullit të kaluar dhe këtij shekulli, kanë lënë gjurmë në art, politikë e histori. Janë rrëfime të detajuara që përthekojnë botët e tetë grave shqiptare dhe një serbeje, të cilën me shqiptarët e lidh dashuria. “Rebelim dhe kujtesë” me nëntë zëra vjen si një rrëfim që inkurajon e frymëzon breza

Një prej veprave të ciklit “Hasjania” të skulptorit Luan Mulliqi është imazhi i ballinës së librit. Është një nga skulpturat e ekspozitës së vitit 2016 me të njëjtin titull. Mulliqi, pas një pune shumëvjeçare, kishte vendosur që t’i kthehej identitetit nëpërmjet grave të Hasit. Nëpërmjet skulpturave, anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili vdiq më 2023, gërshetonte tradicionalen me modernen. Veprat e tij, sikurse ato të këtij cikli, janë identitare, por nëpërmjet shkathtësisë artistike i flasin bashkëkohores. 

Një prej tyre është ilustrimi më i mirë për ballinën e librit “Rebelim dhe kujtesë”, të gazetares së kulturës dhe themelueses e drejtueses së portalit për kulturë “KultPlus”, Ardianë Pajaziti.

Në një hark kohor prej gjashtë vjetësh, ajo ka realizuar nëntë intervista me gra që, përgjatë shekullit të kaluar dhe këtij shekulli, kanë lënë gjurmë në art, politikë e histori. Janë rrëfime të detajuara që përthekojnë botët e tetë grave shqiptare dhe një serbeje, të cilën me shqiptarët e lidh dashuria.
Libri i botuar nga “Bard Books” është promovuar të mërkurën mbrëma në kafe-galerinë “KultPlus” në Prishtinë dhe bashkon historitë e Ferdeze Mujaj-Sadikut, Edita Tahirit, Edi Shukriut, Saranda Bogujevcit, Valbona Pula-Petrovcit, Ornela Vorpsit, Shukrije Ramadanit, Branka Petriqit dhe Luljeta Pulës.

Përtej politikës, Edita Tahiri shpjegon se si kufiri me Shqipërinë ishte mbyllur kur e ëma e saj nga Shqipëria u martua në Kosovë dhe, pas vdekjes së saj, kufiri qe hapur. Shukrije Ramadani rrëfen se si  mori lajmin për vrasjen e bashkëshortit, Agim Ramadanit, në fushëbetejë, ndërsa Ornela Vorpsi rrëfen për ditët e rënda të persekutimit komunist në Shqipëri. Intervistat, që paraprakisht janë shpalosur për publikun online, para të pranishmëve në ceremoni janë lexuar shkurtimisht nga aktorja Aurita Agushi.

“Gjithçka ka nisur nga takimi me Ferdezen. Aty kam vendosur që rrëfimi i saj duhet të dokumentohet. Kam bërë intervista që prej vitit 2019 deri më 2025. Kam dashur t’i takoj dhe jo nëpërmjet ndonjë mënyre tjetër. Më është dashur t’i shoh në sy”, ka thënë autorja Ardianë Pajaziti, gjatë ceremonisë së promovimit, të moderuar nga Arbër Selmani.

Themeluesi i shtëpisë botuese “Bard Books”, profesori universitar i letërsisë dhe shkrimtari, Ag Apolloni, ka thënë se, pavarësisht që intervistat janë publikuar paraprakisht online, shpesh ndodh që materialet online të mos gjenden.

“Këto histori duhet të ishin një libër”, ka thënë ai. Sipas tij, “Rebelim dhe kujtesë” i Ardianë Pajazitit sjell nëntë portrete, nëntë zëra dhe nëntë fate të grave që kanë sfiduar një mentalitet, kanë kundërshtuar një regjim apo kanë dhënë shembuj suksesi, mbijetese, dashurie dhe përkushtimi. Ka thënë se ky libër, duke prezantuar nëntë histori grash nga perspektiva e tyre dhe me zërin e tyre, frymëzon dhe inkurajon brezat.

“Në fakt, ky nuk është thjesht një libër me nëntë biseda, por një material potencial për nëntë filma”, ka thënë Apolloni. Këtë e ka shkruar edhe në vepër. Sipas Apollonit, historitë e këtij libri dëgjohen, lexohen, shikohen dhe përjetohen. Sipas tij, ato janë nëntë histori të veçanta dhe interesante për ta kuptuar një kohë, një mendësi, një mosdorëzim.

“Historia e dhjetë është ajo që mund të lexohet në përzgjedhjen e tyre, në përshkrimet para dhe pas fjalëve të protagonisteve, si dhe mes rreshtave. Është historia e vetë autores së librit, që është kujtuar t’i regjistrojë me kujdes dhe respekt këto gra, ashtu siç regjistrohen zërat e përmallimit dhe sakrificës, apo zërat që s’kanë heshtur në të kaluarën dhe që s’mund t’i heshtë as e ardhmja”, ka shkruar ai në libër. Në ceremoni ka thënë se intervista e të vesë së Bekim Fehmiut, Branka Petriq, e bën librin t’i kalojë kufijtë gjeografikë dhe të tregojë se si dashuria e lidhi atë me një shqiptar.

Autorja e veprës, Ardianë Pajaziti, ka treguar se dokumentimin e historisë së grave e ka parë si një detyrë. Ka thënë se historia zyrtare nuk jep shumë të dhëna për përjetimet, ndodhitë që ndryshuan jetë dhe të bëmat që këto gra i bëjnë tejet të veçanta.

“E kam peng të madh që nuk e kam intervistuar aktoren Irene Papas. Është dashur të shkoja në Greqi për të marrë rrëfimin e saj. Imagjinojeni sikur të kishim edhe atë dhe të pranonte se ka prejardhje shqiptare, siç na tregon Bekim Fehmiu në autobiografinë e tij”, ka thënë Pajaziti. 

Para të pranishmëve të shumtë, aktorja Aurita Agushi ka lexuar pak nga secila intervistë. Është prekur momenti kur Saranda Bogujevci shpëtoi në masakrën ku familja e saj dhe ajo Duriqi në Podujevë pësuan nga forcat serbe. Lufta është kapitull më vete te gratë që e kanë përjetuar atë në Kosovë.

“I kam thënë Agut se jam duke kërkuar edhe rrëfimin apo gruan e 10-të dhe ai më ka thënë se ajo je ti”, ka rrëfyer autorja Pajaziti. Por ajo ka lënë të kuptohet se, sa u përket intervistave të tilla, ky është fillimi. Ngjarja është mbajtur pikërisht në ditën kur është shënuar edhe 13-vjetori i themelimit të portalit për kulturë “KultPlus”, i pari në Kosovë në formatin e vet. E formati i intervistave, që shtrihen si rrëfime, bashkon histori që shpalosin deri në detaje durim, dije, përkushtim, rebelim e luftë për dinjitet.