КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Предмети у реновирању, уметници као номади

Реновирање позоришта „Ода“, које се налази у комплексу Палате омладине и спорта, почело је лета прошле године, али његов завршетак је још увек далеко од завршетка.

Реновирање позоришта „Ода“, које се налази у комплексу Палате омладине и спорта, почело је лета прошле године, али његов завршетак је још увек далеко од завршетка.

Mungesa e hapësirave kulturore në kryeqytet është shndërruar në problem më të gjerë për skenën teatrore, e cila po përballet me kufizime të vazhdueshme për shfaqjet dhe gjithë procesin e tyre. Projekti i rinovimit të teatrit “Oda” është cilësuar kaherë i domosdoshëm, por në anën tjetër, nisja e punimeve pa një alternativë sikurse edhe objektet e tjera në rinovim, kanë thelluar krizën. Teatri “Oda” dhe qendra “Multimedia” – janë detyruar të funksionojnë si nomadë dhe ky është vetëm një ilustrim. Pasojat: humbja e kontaktit me publikun e zhvendosje projektesh jashtë vendit

Përderisa teatri “Oda” është në renovim, sikurse edhe objekti i institucionit qendror teatror, Teatri Kombëtar i Kosovës, dy organizata që prej vitesh veprojnë në hapësirat e “Odës” – teatri “Oda” dhe qendra “Multimedia” – janë detyruar të funksionojnë si nomadë. Në mungesë të një hapësire të qëndrueshme për prova dhe shfaqje, ato për më shumë se një vit po i zhvendosin aktivitetet nga njëra hapësirë në tjetrën, ndërsa për produksionet e qendrës “Multimedia” hapësirat alternative dhe skenat ndërkombëtare po bëhen gjithnjë e më të domosdoshme për të mbajtur gjallë komunikimin me publikun.

Mbi të gjitha, problemi nuk lidhet vetëm me “Odën”. Mungesa e hapësirave kulturore në kryeqytet është shndërruar në problem më të gjerë për skenën teatrore, e cila po përballet me kufizime të vazhdueshme për shfaqjet dhe gjithë procesin e tyre. 

Për më shumë se katër vjet, hapësira që përdoret si Amfiteatër i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka shërbyer si një prej alternativave për shfaqjet që nuk kanë ku të prezantohen. Por as kjo hapësirë nuk shihet si zgjidhje afatgjatë nga drejtuesit e dy organizatave, të cilët thonë se kushtet aty janë të vështira.

Rinovimi i teatrit “Oda”, i vendosur në kompleksin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ka nisur në verën e vitit të kaluar, por përfundimi i tij mbetet larg. Projekti me titull “Adaptimi dhe revitalizimi i hapësirave të teatrit në kompleksin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” parashihet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm. 

Gjatë verës së kaluar, Ministria e Kulturës kishte shpallur tenderin me vlerë prej 2.5 milionë eurosh, të ndarë në dy projekte: 1.3 milion euro për renovimin e objektit të teatrit “Oda” dhe 1.2 milion euro për teatrin “Adriana” në Ferizaj.

Sipas dosjes së tenderit, hapësira e “Odës” ka ndryshuar funksione disa herë, nga qendër bowlingu deri te klub nate, para se të shndërrohej në teatër. Synimi i projektit të renovimit është rikthimi sa më pranë gjendjes origjinale dhe përshtatja e hapësirës me standardet aktuale të një teatri, duke pasur parasysh se objekti është nën mbrojtje si monument i trashëgimisë kulturore.

Drejtori i qendrës “Multimedia”, Jeton Neziraj, ka thënë se mungesa e hapësirave nuk është vetëm problem i organizatës që drejton, por i gjithë skenës teatrore në Prishtinë.

“Na ka paralizuar punën dhe zhvillimin e aktiviteteve mungesa e hapësirës, pra mungesa e hapësirave në Prishtinë, sepse nuk po flasim vetëm për ‘Odën’, e cila është në proces rinovimi, por po flasim për komplet skenën kulturore, ose më specifikisht atë teatrore në Prishtinë, e cila është e bllokuar”, ka thënë Neziraj. 

Fundi i vitit të ardhshëm është afati i përfundimit të punimeve në teatrin “Oda”, ndërkohë që rinovimi po bëhet pa gjetur zgjidhje për organizatat që kanë vepruar aty

Ai ka treguar se alternativat në kryeqytet janë të kufizuara dhe se hapësirat që ekzistojnë janë të zëna nga aktivitetet e institucioneve përkatëse.

“E dimë që kanë mbetur dy gjysmëhapësira, prej të cilave njëra është deri diku e përdorshme. Po i referohem pak teatrit ‘Dodona’, i cili ka skenën që është vazhdimisht e zënë me aktivitetet e vetë Teatrit, si dhe sallën ‘A’, të cilën aktualisht jemi duke e shfrytëzuar për projektin e radhës. Po mbajmë prova kështu, anekënd, sepse aty zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Pastaj është Teatri Kombëtar, i cili po ashtu është pothuajse i papërdorshëm për ne, sepse ka programin e vet dhe një program të ngjeshur me aktivitete që i planifikon dhe i programon vetë”, ka thënë ai.

Pasojat, sipas tij, janë parë edhe në komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun.

Ka përmendur rastin e shfaqjes në të cilën është autor “Prishtina, vrasje e paralajmëruar e një ëndrre”, të cilën “Multimedia” e kishte luajtur për herë të fundit në prill, e mungesa e hapësirës ka pamundësuar vazhdimin e shfaqjeve.

“Në rastin e shfaqjes ‘Prishtina, vrasje e paralajmëruar e një ëndrre’, të cilën për herë të fundit e kemi luajtur në prill, nëse nuk gaboj, prej asaj kohe nuk kemi pasur hapësirë fizike ku ta japim. Në fund, rreth pesëdhjetë veta nga publiku janë kthyer pa e parë shfaqjen, sepse vërtet ka pasur interesim të madh kur është luajtur në Teatrin Kombëtar, në prill. Prej asaj kohe, thjesht nuk kemi mundur ta shfaqim para publikut për mungesë të hapësirës”, ka treguar dramaturgu Neziraj duke konsideruar se janë të bllokuar. 

“Pra, jemi të bllokuar edhe për sa i përket komunikimit me publikun, por edhe për sa i përket mbajtjes së provave. Jemi zhvendosur në njëfarë ekzili artistik, të brendshëm, dhe në një situatë që na ka zhvendosur krejt jashtë atij habitati tonë të zakonshëm të punës”, ka shtuar ai.

Mungesa e hapësirës në Prishtinë ka ndikuar edhe në produksionet që “Multimedia” i realizon në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare.

Neziraj ka treguar se një koproduksion i madh që ishte planifikuar të realizohej në Kosovë është zhvendosur në Shkup.

“Një koproduksion të madh që është dashur të realizohej këtu në Kosovë, tash e kemi zhvendosur në Shkup. E kam fjalën për shfaqjen ‘Unrecognised’, të cilën e realizojmë me një teatër të Tbilisit, të Gjeorgjisë, si dhe me tri teatro të tjera të Suedisë, përfshirë edhe Teatrin Mbretëror të Suedisë. E kemi zhvendosur në Shkup, në Teatrin Shqiptar, ku po i mbajmë provat dhe premierën. Edhe shfaqjen tjetër të radhës e kemi zhvendosur në Prizren. Domethënë, krejt ekipi tash është zhvendosur atje dhe po realizojmë bashkëpunim me Teatrin e Prizrenit”, ka thënë ai.

Sipas Nezirajt, kjo situatë ka krijuar kontrast të fortë midis zhvillimit ndërkombëtar të organizatës dhe kushteve në të cilat ajo është e detyruar të punojë brenda vendit.

“Pra, jemi gjuajtur në margjina, kështu, për sa i përket hapësirës. Dhe më e keqja është që nuk duket se kush brengoset për këtë situatë. Edhe ne kemi pasur njëfarë vetëkënaqësie me faktin që ‘Oda’ po rinovohet dhe më në fund kemi për të pasur një hapësirë të dinjitetshme, por në të vërtetë po e kuptojmë që, ndërkohë që muajt po kalojnë, ne jemi të parealizuar për sa i përket zhvillimit normal të aktiviteteve”, ka deklaruar ai në një bisedë për KOHËN. 

Mungesa e hapësirave ka prekur edhe programet që tradicionalisht janë zhvilluar në Prishtinë. “Theatre Showcase”  këtë vit do të mbahet në Prizren dhe me program të reduktuar.

“Është një situatë absurde, sepse, në një anë, puna jonë, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe prezantimet tona ndërkombëtare kanë ardhur duke u rritur. Madje edhe niveli i atyre prezantimeve është ngritur vërtet”, ka thënë Neziraj.

Ai ka përmendur prezantimet e ardhshme në disa prej skenave të rëndësishme evropiane. Por, sipas Nezirajt, realiteti brenda Kosovës është krejt tjetër.

“Ndërkohë, brenda vendit situata është reduktuar në atë fillim kur e kemi nisur, kur është dashur të punojmë në kushte primitive, pra nomadë dhe nëpër hapësira të ndryshme. Një javë prova aty, mandej të zhvendosemi në një hapësirë tjetër, në një magazinë. Nuk dua ta krahasoj, por është gati si në periudhën e viteve ’90, me kushte bazike të punës, me entuziazëm, por çfarë të bësh me entuziazmin kur janë të gjitha këto kufizime bazike?”, ka thënë Neziraj i cila ka vënë theksin edhe te Teatri Kombëtar, i cili vazhdon të funksionojë në kushte të përkohshme.

“Ndërkohë që institucionet dhe këto hapësira kulturore rinovohen, vitet kalojnë. U bënë pesë vjet që Teatri Kombëtar është zhvendosur në atë birucë. Kjo do të thotë pesë vjet pothuajse të humbura, sepse ajo çka prodhohet në atë teatër është gati bazike, rudimentare, të themi artistikisht, sepse hapësira është e tillë që e kufizon dhe kushtet janë të atilla që nuk janë dinjitoze për punë”, ka deklaruar ai.

Por, sipas tij, gjatë procesit të renovimit nuk është siguruar një hapësirë alternative për organizatat që e kanë pasur “Odën” si bazë të punës.

“Nuk kemi hezituar të gjuhemi në këtë proces të rinovimit, për faktin se e kemi konsideruar të domosdoshëm. Por, në anën tjetër, kemi qenë aq të hutuar nga fakti që hapësira e ‘Odës’ po rinovohet, saqë kemi kërkuar, në fakt, nuk na është ofruar nga askush ndonjë hapësirë tjetër alternative, qoftë për prova apo për skenografi në ndonjë magazinë”, ka treguar ai.

Ndërsa “Multimedia” përballet me zhvendosjen e produksioneve, edhe teatri “Oda” po kërkon mënyra për të vazhduar aktivitetet jashtë hapësirës së tij.

Drejtori i teatrit “Oda”, Florent Mehmeti, ka thënë se afati i punimeve është paraparë deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa mungesa e hapësirave mbetet një prej problemeve kryesore për funksionimin e teatrit.

“Është goxha problem çështja e hapësirave. Tash kemi pasur festivalin ‘Hapu’, i cili është mbajtur jashtë, por që na është dashur hapësirë për prova. Jemi duke u gjendur si po mundemi. Është presion bukur i madh edhe ndaj Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar, ku ne e kemi pasur një premierë, por edhe aty është pak problem orari. Jemi në pritje për të na lajmëruar se në çfarë kohe mund të kemi shfaqje. Kam bërë kërkesë qysh në korrik për disa data, por ende nuk kam marrë përgjigje”, është shprehur ai. 

Për të vazhduar aktivitetin, “Oda” ka shfrytëzuar edhe hapësira të institucioneve të tjera.

“Kemi marrëveshje me Fakultetin e Arteve për fuqizimin e artistëve të rinj, në kuadër të saj gjithashtu shfrytëzojmë disa hapësira të Fakultetit të Arteve. Jemi gjendur kështu duke shfrytëzuar hapësira të tilla, sikur edhe ish-bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’. Me një fjalë, jemi nomadë për momentin”, ka thënë Mehmeti.

Sa i përket dinamikës së punimeve në objektin e “Odës”, Mehmeti ka thënë se aktualisht ritmi është i mirë, por përfundimi në kohë mbetet për t’u parë.

“Dinamika e punëve është e mirë. Ka edhe premtime që do të përfundojë para kohe, por ajo pritet të shihet. Nuk e di saktë, por të them të drejtën, unë jam i lumtur nëse kryhet në kohë dhe nuk e ka fatin e të tjerave që dinë të stërzgjaten”, ka deklaruar ai.

Mehmeti ka treguar se gjatë procesit kanë paraqitur edhe disa kërkesa për ndërhyrje shtesë.

“Ka pasur disa kërkesa nga ana jonë për disa përmirësime, të cilat janë zgjatur nga Ministria e Kulturës. Nuk është intervenuar për t’i bërë disa përmirësime të një shtylle në pjesën e foajeut dhe disa detaje të tilla, të cilat nuk kanë qenë fillimisht të planifikuara, por gjatë përpunimit të projektit, veç kur kemi parë duke u realizuar. Kemi kërkuar të gjendet zgjidhje tjetër, por që ende nuk është ekzekutuar”, ka thënë Mehmeti.

Renovimi i “Odës” po ndodh në një kohë kur skena teatrore e Prishtinës po përballet me mungesë të hapësirave. Kjo periudhë renovimesh ka nxjerrë në pah nevojën për hapësira alternative dhe për një plan që do t’u mundësonte organizatave teatrore të vazhdonin punën edhe gjatë periudhave kur skenat kryesore nuk janë funksionale.