КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Прослављен рођендан Дритера Аголија кућом-музејем у његовом родном месту

Дритеро Аголли - кућа-музеј

Në shtëpinë-muze të Dritëro Agollit në Devoll, ekspozohen sende personale të shkrimtarit, makina e shkrimit, stilolapsa, libra nga biblioteka e tij dhe fotografi

Në ditën kur Dritëro Agolli do të festonte 95-vjetorin e lindjes, në vendlindjen e tij në Menkulas të Devollit është përuruar shtëpisë-muze në nderim të shkrimtarit të madh. Në ceremoni, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka vlerësuar figurën e Dritëro Agollit si një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, i cili, përmes veprës së tij, e bëri vendlindjen pjesë të pandashme të identitetit kombëtar.

“Njeriu largohet nga vendlindja për të njohur botën, por ka njerëz që, përmes veprës së tyre, e bëjnë vendlindjen të njohur për botën. Dritëro Agolli i bëri të dyja këto”, citohet të ketë thënë Begaj.

Hapja e shtëpisë-muze, përfaqëson një akt mirënjohjeje kombëtare ndaj shkrimtarit, por edhe një investim me vlerë për trashëgiminë kulturore.

“Inaugurimi i kësaj shtëpie-muze sot është jo vetëm një akt mirënjohjeje ndaj një shkrimtari të shquar, por edhe një shembull i përgjegjësisë që komunitetet lokale duhet të kenë për historinë dhe identitetin e tyre. Kjo nuk është thjesht shtëpia e kujtesës së një individi. Është një pasuri e re kulturore e Devollit, një adresë e re për vizitorët, studiuesit dhe të rinjtë, një hapësirë që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore kombëtare”, ka thënë Begaj. Ai ka theksuar aftësinë e Dritëro Agollit për të pasqyruar jetën dhe botën shpirtërore të njerëzve të zakonshëm, mjeshtërinë e përdorimit të gjuhës shqipe, çka e bëri një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të letërsisë shqipe.

“Dritëro ishte shkrimtar që nuk i shihte njerëzit nga lart. Ai qëndronte mes tyre. Prandaj lexuesi shqiptar e ndiente të afërt: në poezinë e tij gjente ndjenjat e veta, në prozën e tij njihte njerëzit që kishte takuar, ndërsa në humorin e tij zbulonte të vërteta që shpesh nuk mund të thuheshin ndryshe”, ka thënë ai. 

Në shtëpinë-muze në Devoll ekspozohen sende personale të shkrimtarit, makina e shkrimit, stilolapsa, libra nga biblioteka e tij dhe fotografi. Familjarët kanë kontribuar me materiale për ta pasuruar ekspozitën.

Punimet për shtëpinë-muzeu kishin nisur në qershorin e vjetmë kur prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, kishte bërë të ditur se ky projekt vjen falë një bashkëfinancimi nga Këshilli i Qarkut në Korçë dhe Bashkisë së Devollit. Në atë ceremoni, ku ishin të pranishme autoritetet vendore, ishte vendosur guri themeltar për projektin e paralajmëruar kaherë e tash, siç ishte përshkruar, “është konceptuar si një muze që i shkon për shtat një kolosi të letërsisë shqipe dhe një devolliu të mirë, atij që e ngriti lart emrin e Devollit dhe të devollinjve kudo”.

Dritëro Agolli ishte një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur shqiptarë. Ai lindi më 13 tetor 1931 në fshatin Menkulas të Devollit. Studioi për gazetari në Leningrad dhe punoi për shumë vjet si gazetar dhe shkrimtar. Ndër veprat e tij më të njohura janë romani satirik „Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, poema “Nënë Shqipëri” dhe romani “Komisari Memo”. Në krijimtarinë e tij trajtoi jetën e njeriut të zakonshëm, shoqërinë shqiptare dhe problemet e kohës. Ai ishte gjithashtu deputet dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Dritëro Agolli vdiq më 3 shkurt 2017 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në letërsinë shqipe.

Shtëpia-muze në Devoll, hapet dy vjet pas një tjetër institucioni muzeor në emër të tij në Tiranë. 
“Shtëpia Studio Agolli” në Tiranë është muzeu i vendosur në apartamentin ku shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, jetoi me familjen e tij nga viti 1974 deri në vdekjen e tij, më 3 shkurt 2017. U hap për publikun më 13 tetor 2024, në ditëlindjen e shkrimtarit, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e jetës dhe veprës së tij letrare. Ndodhet në “Rrugën e Dibrës”, në Pallatin me Kuba, përballë Hotel Tiranës, dhe është pjesë e projektit muzeor që përfshin edhe shtëpinë-studio të shkrimtarit Ismail Kadare.

Brenda muzeut ruhen shumë objekte personale që tregojnë jetën e përditshme dhe veprimtarinë krijuese të Dritëro Agollit, si makina e shkrimit, librat, dorëshkrimet, fotografitë, stilolapsat dhe orenditë e tij. Hapësirat janë organizuar në mënyrë tematike për të paraqitur aspekte të ndryshme të jetës së shkrimtarit, duke përfshirë punën e tij si poet, romancier dhe gazetar. Një vend të veçantë zë edhe “Dhoma e Zylos”, e frymëzuar nga romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një prej veprave më të njohura të autorit, në të cilën ai trajton me humor dhe ironi burokracinë dhe dukuritë shoqërore të kohës. Vizitorët mund të njihen gjithashtu me poezitë e tij, disa prej të cilave paraqiten përmes regjistrimeve me zërin e vetë shkrimtarit. “Shtëpia Studio Agolli” nuk është vetëm një hapësirë ku ekspozohen sende historike, por edhe një vend që përcjell atmosferën në të cilën shkrimtari jetoi, lexoi dhe krijoi veprat e tij.