КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
KULTURA

Бијенале цртежа шири границе, „Гран при“ иде у Јужну Кореју

„I inprint“ Ким Сунг Хеун из Јужне Кореје је похваљено, између осталог, због „изузетно занимљивог и неконвенционалног третмана уметничког дела“.

„I inprint“ Ким Сунг Хеун из Јужне Кореје је похваљено, између осталог, због „изузетно занимљивог и неконвенционалног третмана уметничког дела“.

“I inprint” e Kim Sung Heun nga Koreja e Jugut është vepra fituese e çmimit kryesor të edicionit të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit e cila zgjerohet ndërkombëtarisht. Mbi 70 për qind prej 38 pjesëmarrësve janë nga vendet e huaja. Juria ndërkombëtare, në përbërje të Aleksander Bassinit, Aleksandra Gieragas dhe Gani Llalloshi, janë ndarë edhe dy Çmime Speciale dhe një “Special Mention”

Edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit është hapur të premten mbrëma në Galerinë e Arteve të Prishtinës, ku janë shpallur edhe fituesit e çmimeve. Risia e këtij edicioni, sipas organizatorëve, ka qenë pjesëmarrja më e madhe e artistëve ndërkombëtarë, me mbi 70 për qind të pjesëmarrësve nga vende të ndryshme.

Çmimi kryesor i Bienales, “Grand Prix”, i është ndarë artistit Kim Sung Heun nga Koreja e Jugut, për veprën “I inprint”. Vendimi është marrë nga juria ndërkombëtare, në përbërje të së cilës kanë qenë Aleksander Bassin nga Sllovenia, Aleksandra Gieraga nga Polonia dhe Gani Llalloshi nga Kosova.

Kryetari i jurisë, Aleksander Bassin, ka thënë se vendimi për veprën fituese ka qenë unanim.

“Vendimi ynë ishte unanim”, ka thënë Bassin para të pranishmëve.

Në arsyetimin e jurisë për çmimin kryesor është vlerësuar, ndër të tjera, “një trajtim jashtëzakonisht interesant dhe jokonvencional i veprës së artit”.

Në ekspozitë, vepra e Kim Sung Heunit paraqitet përmes dy punimeve të vendosura pranë njëra-tjetrës. Të dyja janë në të bardhë dhe kanë sipërfaqe të punuara me gjurmë, vija dhe forma të ngritura, duke krijuar lojë të dallueshme midis dritës dhe hijes. Puna e materialit dhe e sipërfaqes e bën vizatimin të shtrihet përtej vijës së zakonshme në letër.

Dy Çmime Speciale janë ndarë për Ulpiana Kurtajn nga Kosova, për veprën “Aty ku hesht trupi”, dhe për Jasna Shikanja, nga Kroacia. Ndërsa “Special Mention” i është ndarë artistes Katarzanya Golebionska nga Polonia.

Edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit ka sjellë qasje të ndryshme ndaj vizatimit

Vepra e artistes Kurtaj është punim bardhezi ku në qendër është një pjesë e trupit dhe dora që e prek atë. Përmes një imazhi të afërt, artistja ka përqendruar vëmendjen në momentin e vogël të kontaktit fizik.

Kurtaj ka treguar se vepra është realizuar me laps në letër dhe se për të nuk ka përdorur asnjë mjet tjetër.

“Aty është ilustruar një moment i caktuar, ku është kapur pjesa e trupit dhe prekja e tij. Vepra do kohë për t’u zhvilluar, pasi duhet t’u hyhet detajeve, por kjo është kënaqësi për ne”, ka thënë Kurtaj.

Vepra është punuar këtë vit, disa muaj para Bienales, ndërsa realizimi i një pune të tillë merr dy deri në tri javë, varësisht prej përmasave. Titulli “Aty ku hesht trupi” lidhet me interesimin e saj për momentet e vogla të jetës së përditshme, të cilat shpesh kalojnë pa u vërejtur.

“‘Aty ku hesht trupi’ e ka pjesën e momentit të cilin e kemi brenda jetës së përditshme. Shumicën e kohës ne anashkalojmë gjërat e thjeshta dhe tentojmë t’i kapim të gjitha momentet e përgjithshme, pa u ndalur në kohë të caktuara të një momenti. Kështu që, kjo vepër e prek atë pjesën e një momenti kur trupi as nuk është shumë i prekur, as shumë i kapur”, ka thënë ajo.

Kurtaj ka treguar se me këtë praktikë artistike merret prej rreth dhjetë vjetësh, që nga fillimi i saj si artiste.

Çmimet janë ndarë nga anëtari tjetër i jurisë, Gani Llalloshi.

“Meqenëse Prishtina është qytet i madh dhe shumë i vjetër, çmimin kryesor e kemi çuar në Kore”, ka thënë Llalloshi.

Dy Çmime Speciale janë ndarë për Ulpiana Kurtajn nga Kosova, për veprën “Aty ku hesht trupi” (në foto)  dhe për Jasna Shikanja, nga Kroacia

Pjesëmarrja ndërkombëtare ka qenë një prej veçorive kryesore të këtij edicioni. Sipas organizatorëve, mbi 70 për qind e artistëve pjesëmarrës kanë qenë nga vende të tjera, ndërsa në listën e ekspozuesve janë përfshirë artistë nga Koreja e Jugut, Polonia, Suedia, Turqia, Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Zvicra, Shqipëria, Kanadaja dhe vende të tjera.

Kryetari i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, Kamuran Goranci, ka thënë se pikërisht ky zgjerim i pjesëmarrjes e ka bërë edicionin e sivjetmë më të ndërkombëtarizuar.

“Ekspozita ka mbi 70 për qind të artistëve ndërkombëtarë, që e arsyeton termin e saj ‘ndërkombëtar’. Pra, sivjet i kemi dhënë më shumë hapësirë karakterit të ndërkombëtarizimit të ngjarjes”, ka thënë Goranci.

Në hapjen e Bienales ka qenë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili, edhe në këtë ngjarje ka përsëritur refrenin e tij të përhershëm për meritat e tij në rikthimin e hapësirave kulturore dhe për nostalgjinë e tij për këtë hapësirë që nga fëmijëria dhe rikthimin e saj në funksion të jetës artistike.

“Kjo është mrekullia e kryeqytetit, që i bën bashkë këta artistë të mëdhenj dhe janë inspirim për gjeneratat e ardhshme, për të rinjtë dhe për komunitetin e shoqërinë tonë”, ka thënë Rama.

Ai ka treguar se e ka pyetur Gorancin nëse veprat e ekspozuara janë në shitje dhe ka propozuar që pranë tyre të vendosen edhe çmimet.

“Do të ishte mirë të ishin të vendosura edhe çmimet e secilit, që të jetë si një lloj ankandi për ata që u pëlqen, sepse në këtë mënyrë ne ndihmojmë edhe më shumë komunitetin artistik”, ka thënë Rama.

Edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit ka sjellë qasje të ndryshme ndaj vizatimit. Kjo qasje është pasuruar me pjesëmarrjen e artistëve si Adem Rusinovi, Agron Mulliqi, Musë Prelvukaj, Zake Prelvukaj, Shyqri Gjurkaj, Agim Salihu e Adem Dermaku e të tjerë.