КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
HRONIKA

Осам година затвора због трговине људима и злостављања ментално хендикепиране жене

Осам година затвора због трговине људима и злостављања ментално хендикепиране жене

Është dënuar personi që për më shumë se një vit, në një objekt në fshatin Gadime të Lipjanit, e trafikoi dhe e keqtrajtoi një grua me probleme të shëndetit mendor. Avokati i viktimës thotë se përtej dënimit, ky rast ka sjellë ndryshime të ndjeshme në jetën e 32-vjeçares dhe në mënyrën se si ajo trajtohet nga njerëzit përreth saj.

Për më shumë se një vit, një 32-vjeçare me aftësi të kufizuara mendore, në vend të kujdesit dhe mbrojtjes që i nevojitej, u përball me trafikim dhe keqtrajtim.

Për vuajtjet e saj, Bislim Syla u dënua të premten me tetë vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai u shpall fajtor për veprat penale të trafikimit me njerëz dhe lëndimit të lehtë trupor.

Gjykata, në verdiktin e dhënë një ditë më parë, konstatoi se viktima është abuzuar për më shumë se një vit në një objekt të fshatit Gadime të Lipjanit.

“I akuzuari B.S., është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vjetësh, ndërsa të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës. 

Hamdi Jashari është avokat i viktimës. Ai thotë se vendimi i gjykatës ishte i pritshëm, duke pasur parasysh provat e administruara gjatë procesit gjyqësor.

“Gjatë krejt procesit është vërtetuar shumë bindshëm trafikimi që ai ia ka bërë të dëmtuarës, forma e trafikimit gjë që është vërtetuar dhe dëshmuar përmes dëshmitarëve të cilët kanë qenë njerëz të rrethit të të akuzuarit, tani i shpallur fajtor”, ka thënë Jashari. 

Ndërkaq, avokati Shkëlqim Jakupi, i cili e ka mbrojtur Sylën, thotë se aktgjykimi i Themelores do të apelohet, pasi vlerëson se vepra penale e trafikimit nuk është provuar me asnjë provë ligjore.

“Vetë dëshmitari kryesor në Gjykatë ka deklaruar se e dëmtuara ka qenë një lëmoshëkërkuese e pavarur, po ashtu ne kemi paraqitur prova si: dëshmitarë dhe videoincizime me të cilat shihet e dëmtuara duke kërkuar lëmoshë në vazhdimësi në mënyrë të pavarur, derisa i mbrojturi im gjendej në masën e paraburgimit”, u shpreh Jakupi. 

E, avokati i viktimës thotë se përtej dënimit me burgim, ky rast ka sjellë ndryshime të ndjeshme në jetën e 32-vjeçares dhe në mënyrën se si ajo trajtohet nga njerëzit përreth saj.

“Ky raste në vetë nuk është vetëm një proces gjyqësor, një proces sikur të tjerët, më tepër e vlerësoj si mesazh i cili duhet me shku përtej vendimit gjyqësor. Inicimi i këtij rasti në mënyrë drastike mos të them, por në mënyrë të ndjeshme e ka përmirësuar mënyrën e jetesës dhe trajtimin e të njëjtës prej qytetarëve”, shtoi Jashari. 

Syla ishte akuzuar edhe më herët për dhunë në familje, por rasti në Gjykatën Themelore në Ferizaj u trajtua pasi ndaj tij nisi procesi gjyqësor në Prishtinë për trafikimin dhe keqtrajtimin e viktimës me aftësi të kufizuara mendore.

Në shkurt të vitit 2025, Syla u arrestua nga Policia nën dyshimin për dhunë në familje, disa ditë pasi fotografitë e viktimës së rrahur u shpërndanë në rrjetet sociale.

Ndërkaq, viktima vazhdon të jetojë në Gjilan, së bashku me nënën e saj. Institucionet kishin qenë në dijeni për gjendjen e saj, por ajo kishte refuzuar të strehohej.