Sot Kosova po e sfidon sistemin ndërkombëtar i cili e bëri ekzistencën e saj të mundur. Do të ishte miopi e paparë strategjike nëse Kosova sot ngatërron mbështetjen e rendit perëndimor ndërkombëtar me përjashtimin tonë nga rregullat e rendit ndërkombëtar
Çfarë është Republika e Kosovës? Kush është karakteri ynë politik? Në historinë tonë moderne përgjigja në këto pyetje ka qenë vetë evidente: Kosova është histori suksesi e rendit perëndimor ndërkombëtar dhe të drejtës ndërkombëtare.
Ky rend ndërkombëtar ka çliruar Kosovën nga një agresor i dhunshëm i cili në rajonin tonë realizoi krimet më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ky rend ndërkombëtar bombardoi për 78 ditë një shtet sovran duke vendosur një precedent të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare – atë se sovraniteti absolut i shtetit përfundon kur ai shtet shndërrohet në kasaphane të popullit të vet.
Ky rend ndërkombëtar angazhoi në shërbim të Kosovës një nga projektet më intensive ndërkombëtare të shtetndërtimit i cili kulmoi me shpalljen e pavarësisë. KFOR-i, UNMIK-u, OSBE-ja, ICO-ja, EULEX-i, Ahtisaari, dhe të tjerë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol kyç në ndërtimin e rrëfimit të Kosovës si shembull i ndritshëm i rendit perëndimor ndërkombëtar.
E drejta ndërkombëtare legjitimoi këtë angazhim ndërkombëtar perëndimor. Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Paralelisht me këtë rendi ndërkombëtar perëndimor ndihmoi Kosovën që të njihet ndërkombëtarisht nga pjesa dërrmuese e botës.
Ndërkohë, Kosova hartoi kushtetutë më moderne evropiane, duke ofruar garanci më të larta për komunitetin joshumicë. Ndërtoi institucionet qendrore dhe lokale, zgjedhje pas zgjedhjesh dëshmoi pjekuri dhe vitalitet demokratik, ngriti një ekonomi të lirë të tregut dhe ndërmori një program intensiv të modernizimit infrastrukturor. E gjithë kjo u bë e mundur falë rendit perëndimor ndërkombëtar i cili qëndroi në anën tonë në ditët më të zeza dhe më të bardha.
Thënë ndryshe historia moderne e Kosovës është histori suksesi e rendit perëndimor ndërkombëtar. Ne këtë e kuptojmë sot, sepse këtë na lejoi koha që të kuptojmë, por disa mendje të urta e kanë ditur këtë që në krye të herës. “I hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, por me garanci ndërkombëtare”, thoshte Ibrahim Rugova.
Pra, e bëra këtë udhëtim në kohë për të na kujtuar se Kosova është histori suksesi e rendit, vlerave dhe normave ndërkombëtare. Ky është karakteri ynë politik.
Sot ky karakter i yni politik po sfidohet. Përpjekjet e Kosovës për të ndryshuar obligimet e veta ndërkombëtare të lidhura me ngritjen e Gjykatës Speciale në Hagë janë sfidimi i drejtpërdrejtë i rendit institucional dhe ndërkombëtar mbi të cilin është ngritur karakteri ynë politik. Është sikur ajo thënia - të presësh degën mbi të cilën je ulur.
Thënë ndryshe Kosova po e sfidon sistemin ndërkombëtar i cili e bëri ekzistencën e saj të mundur. Po sfidojmë arkitekturën historike mbi të cilën qëndron shteti i Kosovës. Do të ishte miopi e paparë strategjike nëse Kosova sot ngatërron mbështetjen e rendit perëndimor ndërkombëtar me përjashtimin tonë nga rregullat e rendit ndërkombëtar. Është koha që ne të kuptojmë se pjesëmarrja në rendin ndërkombëtar nuk është rrugë njëkahëshe. Nuk është meny suedeze. Ai nuk mund të përdoret kur është në interesin tonë, por të injorohet kur nuk na pëlqen. Arritja më e madhe historike e Kosovës është që ka transformuar përpjekjet për shtetin e Kosovës në afirmimin e normave ndërkombëtare. Kësisoj sot Kosova është shembull i asaj çfarë rendi perëndimor ndërkombëtar mund të arrijë. Tani ne rrezikojmë që të degradojmë shtetësinë tonë mbrapa në varrezat politike të “eksepsionalizmit” dhe “sovranizmit” të shekujve të kaluar.
Nga ana tjetër Kosova është në të drejtën e saj t’i konsiderojë vendimet e Hagës si të padrejta. Ato janë qëndrimet legjitime historike, politike dhe ligjore. Sidoqoftë sfidimi i këtyre vendimeve duhet të ndodhë vetëm brenda normave dhe rregullave që janë pjesë e rendit perëndimor ndërkombëtar, jo duke i sfiduar ato. Të sfidosh ato është të sfidosh themelet mbi të cilat qëndron i gjithë rrëfimi i historisë sonë moderne.