КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Нема ништа горе него то учинити себи.

Kur po shikoj se çka po ndodh nga të dyja anët e kufirit, po e gjej një të përbashkët që me gjasë e kemi gjenetike: piromania. Ndërto e kall. Ndreq e prish. Pikëlluese

Krizën piramidale të 1997-s e mbaj mend nëpërmjet pamjeve që i transmetonte televizioni publik italian RAI, nëpërmjet satelitit, natyrisht.

Egërsia e shpërfaqur pas humbjes së parave nëpër “bankat” që u ofronin kamatë të majme “kursimtarëve” të parë, e që mandej kolapsuan në ato që njihen si skema piramidale, qe e paimagjinueshme. 

U dogjën ndërtesa institucionesh, në rend të parë komisariatet policore, gjykatat dhe zyrat e administratës publike. U dogjën arkivat shtetërore dhe shteti humbi kontrollin mbi territorin që në jo pak vende qeveriseshin nga “Komitetet e shpëtimit”, që dikur u shndërruan në banda krimi.

Gjendja e kaosit zgjati gjashtë muaj dhe nisi të qetësohej vetëm pas ardhjes së trupave italiane, që kishin për detyrë të siguronin shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe korridoret për këtë detyrë. Në emër të sigurimit të korridoreve, morën nën kontroll aeroportin dhe portet detare.

Gjërat nisën të ktheheshin në “normale” vetëm pasi Sali Berisha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të shtetit dhe pasi u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, prej të cilave doli qeveria që e zëvendësoi atë të “Shpëtimit kombëtar” me në krye Bashkim Finon. Edhe pse jo jetëgjatë, kjo qeveri ia doli ta ndalte shpërthimin e një lufte qytetare, vëllavrasëse.

* * *

Pas gati 30 vjetësh, dhunë e ngjashme duket në ekranet televizive dhe në rrjete sociale. Për dallim nga koha e piramidave, tash teknologjia e bën të mundur që të përcillet gjendja derisa ngjarjet zhvillohen. Dhe ajo çka shihet në ekrane është shumë e shëmtuar.

Protesta e qetë e qytetarëve që i kundërshtonin projektet megalomane në Zvërnec u mbajt e gjallë pesë muaj – pa ndonjë incident për të cilin do të kemi mundur të dëgjonim. 

Revolucioni i Flamingove u përkrah dhe përshëndet si një lëvizje qytetare e dinjitetshme që e shpreh revoltën e vet me qetësi, fjalime e poezi, ndërkohë që bart dy kërkesa: dorëheqjen e kryeministrit si dhe arrestimin e shefave të qeverisë dhe të opozitës.

Përnjëherë, së paku kjo është përshtypja jonë që i shikojmë ngjarjet nga distanca, një grup i madh nxënësish dhe studentësh iu bashkuan “flamengove” për ta shtuar revoltën ndaj pushtetit, që me muaj dhe nëpërmjet eksponentit të saj kryesor, tallej me lëvizjen dhe vetë protestuesit.

Kërkesat e nxënësve dhe studentëve ishin sociale: kushte më të mira shkollimi; ndihmë të shtuar financiare; mundësi punësimi dhe masa qeveritare për frenimin e inflacionit dhe shtrenjtimit të jetesës. 

Se kush e nisi i pari, zor se do të dihet ndonjëherë. 

Sipas policisë, ishin studentët të parët që e nisën duke hedhur gurë, vezë, ngjyrë dhe petardë mbi ndërtesën e Ministrisë së Arsimit. Policia ndërhyri për t’i ndalur. 

Sipas protestuesve, ishte policia ajo që provokoi – me prani të madhe policësh dhe me ndërhyrje brutale. Hidhërim të madh shkaktoi pamja e djaloshit që bartej për këmbë e duar, ndërkohë që këmba e thyer rrinte varur, si të ishte e shkëputur. 

Edhe kjo pamje do të ketë ndikuar në përshkallëzimin e protestës. Masa, tash shumë më agresive, ka nisur të përdorë kokteje mollotovi, ndërkohë që policia hedh gaz lotsjellës dhe përdorë topat e ujit. Ka ndërtesa të djegura, inventar urban të dëmtuar, rrethoja të këputura dhe shumë shporta e kontejnerë bërlloku të shkatërruara nga zjarri.

Tash kërkesa e vetme duket të jetë dorëheqja e kryeministrit, që komunikon me publikun nëpërmjet reelsave në FB.

Dhe qysh po shkojnë punët, nuk po duket se ka bile përpjekje afrimi dhe ulje në tavolinë për t’u munduar t’i jepet zgjidhje këtij problemi. 

E ky problem vetëm e hapë kutinë që çon nga problemet ekzistenciale të popullsisë: jeta në Shqipëri është e shtrenjtë, e papërballueshme për një pjesë të madhe të popullsisë. 

Ndërkohë, shumë i pakuptimtë shkatërrimi i së mirës publike. Kjo si ajo meseleja, “nëse nuk mundem magarit, po i mëshoj samarit”. E në fund, të gjitha riparimet bëhen me paratë e buxhetit, aty ku kontribuon popullata e punësuar. Dhe pa garanci se edhe në tenderët e riparimit nuk do të ketë korrupsion.

* * *

Protesta në Shqipëri përshkallëzoi fiks një javë pasi protestat në Prishtinë u ndalën me kalimin e ligjit për amendamentimin e Ligjit për Specialen. 

Ajo tashmë kishte përshkallëzuar një ditë më herët, me hedhje petardësh nga protestuesit dhe gazit lotsjellës e topave të ujit nga policia. Ambienti qe tepër i tensionuar dhe panevojshëm i dhunshëm. 

Para aktgjykimit, njëri nga udhëheqësit e veteranëve, kishte thënë, “nëse i dënojnë, e kallim Kosovën”. Pse me e kallë? Dhe po të kallej nga shqiptarët, a nuk do të ishte kjo një atu për Serbinë që të thotë: “në luftë nuk ishim ne që e kallëm, e kallën ata vetë”.

Thuajse po kërkohej një shkas, edhe më i vogli, që dhuna të shpërthente në masë.

Protesta u shpërnda në çastin kur u miratua ligji, i cili është në kundërshtim me nenin 161 të Kushtetutës. Përmbajtja e tij ka për qëllim shfuqizimin e prerogativave kushtetuese, gjë që nuk bëhet, pa u ndryshuar e plotësuar Kushtetuta.

Por, një javë më vonë, në një intervistë televizive, Daut Haradinaj, zyrtar i Aleancës, deklaroi, po e parafrazoj, se gjatë protestës në Prishtinë, "me dhjetëra protestues kanë pasur bomba me vete atë natë në xhep", sepse veteranët dhe qytetarët ishin aq të revoltuar me vendimet e Hagës, saqë situata mund të përshkallëzonte në gjakderdhje nëse nuk do të miratohej ligji në Kuvend. 

Thashetheme për protestues të armatosur ka pasur shumë gjatë ditëve të protestës, e sidomos të hënën kur u hallakat protesta. Nuk e di nëse edhe Haradinaj me këtë rast i është bashkuar atyre, apo nëse njëmend ka pasur informata për vërtetësinë e kësaj që po e thotë. Po qe se kjo që e thotë është e vërtetë, dhe nëse këtë çështje nuk e ka paraqitur tek organet e rendit, atëherë kjo është një copë vetinkriminimi: moslajmërimi i një vepre penale potenciale, është vepër penale.

* * *

Pra, nën supozimin se paska pasur dhjetëra protestues me bomba në xhep, atëherë logjikisht konkludohet se armatosja e tyre paska qenë veprim i organizuar, se dikush i ka furnizuar këta njerëz me bomba. Se bombat nuk janë bonbone që i bli në kioskë, por kanë nevojë për leje të veçanta importi, magazinimi e shpërndarjeje. Pos, natyrisht, nëse nuk janë prodhuar në kushte shtëpie.

Po qe se kjo që e thotë Haradinaj është e vërtetë, shtrohet pyetja se kë e kanë pasur ndërmend ta sulmonin këta njerëz me këto bomba? Kuvendin? Deputetët? Qeverinë? Policinë? Qytetarët? Për më tepër, për çka? 

Diskursi i imponuar nga PDK-ja se me aktgjykimin dënohet UÇK-ja dhe e gjithë Kosova, shumë shpejt u pranua si i vërtetë. Për krejt ata që nga i gjithë gjykimi i mbajnë mend vetëm shpalljen e dënimeve dhe që me vite e kanë ushqyer mitin e çlirimit, kjo edhe mund të jetë përshtypja. 

Pra, edhe kjo mund të ketë qenë shtysa që i bëri të protestonin duke e kërkuar “drejtësinë” në adresë të gabuar dhe me mjetin e gabuar: një ligj përmbajtjen e të cilit e kanë ditur vetëm hartuesit e tij.

* * *

Pas përcjelljes, kryesisht në qetësi dhe nga larg, së asaj që po ndodhte në Kuvend, BE-ja doli me nja dy deklarata zyrtare dhe një reagim të ashpër diplomatik të komisionares Kos. Ky reagim do të duhej marrë si porosi shumë serioze për implikimet që ky ligj mund të ketë në shtegtimin e Kosovës drejt BE-së. 

Fakti se kalohet një ligj, duke e shkelur një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi, pa e njoftuar palën tjetër të kësaj marrëveshjeje dhe pa i marrë fare parasysh pasojat politike që kjo mund të na i shkaktojë, sidomos në raport me BE-në, tregon për mosrespektimin e një shtylle fundamentale të një shteti: respektimin e sundimit të ligjit.

 

E perspektiva evropiane, sado e largët për ne, megjithatë është shumë më e mirë se çka kemi tash. Se nuk është vetëm Shqipëria e shtrenjtë dhe e papërballueshme me një pjesë të madhe të popullatës. Se nuk mund të jetë prioritet kombëtar një ligj, para mirëqenies dhe përparimit të përgjithshëm të Kosovës.

* * *

Kur po shikoj se çka po ndodh nga të dyja anët e kufirit, po e gjej një të përbashkët që me gjasë e kemi gjenetike: piromania. Ndërto e kall. Ndreq e prish. 

Pikëlluese

[емаил заштићен]