КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Увод у албанологију уз пицу Маргарита и министарске чоколаде

Një vizitë në Napoli me shokun tim që kishte merak të bëhej bloger. Ai imagjinonte të bënte foto në restaurante të bukura e me pamje në det. Unë synoja të vizitoja gjurmë arbërore, civilizime të dikurshme dhe art barok. Një ndeshje civilizimesh dhe epokash

Shoku im ka qejf të udhëtojë dhe të më dërgojë foto nga udhëtimet e tij. Unë e tall: „O ti Kullën e Ajfelit e ke parë veç në ekranin e telefonit, duke bërë selfie“, ose: „Ti i pi supat e ftofta, se të shkon koha duke bërë foto të tavolinës me ushqimet në restaurant”. 

Më ka dërguar foto të bukura, këto kohët e fundit, nga Parisi, Venecia, Roma, Rovinji, La Valeta, Vjena, Barcelona, San Tropeja. Është turist tipik i kohës sonë. Merr llajke dhe komente. 

Këtë herë po vinte në Napoli me mua, me mua që ende e dua përjetimin në udhëtim më fort se llajket e komentet. 

Vendi i parë ku u cakërruam qe Castel Nuovo. 

Sa hymë në harkun e triumfit në kështjellë, ai nisi të ofshante e të turfullinte. „Mure e gurë, burrë i dheut, mure e gurë. Kështjellë. E vjetër“. E unë po e shihja Skënderbeun më 1461 tek po hynte nëpër urën e drunjtë bashkë me kalorësit e tij për ta takuar Ferdinandin, të cilin e kishte ndihmuar duke i dërguar ushtarë një vit më herët. 

„O nuk dalin në foto, përfytyrimet e tua“, më tha.

Shoku im është ngapak edhe koprrac dhe mezi pranoi të paguante biletën për të hyrë në Kishën Santa Maria la Nova. 

Aty është varri i Konstantin Kastriotit, ipeshkv i Isernias, nip i Gjergjit dhe i biri i Gjonit. Ka vdekur në Napoli më 1500 si 23-vjeçar. Në anën tjetër është edhe një mbishkrim me një alfabet të panjohur. Më të vëllanë tim qemë përpjekur ta deshifronim nëse teksti ishte në gjuhën shqipe e që do të dilte si tekst i rrallë arbërisht i asaj kohe. Doli se nuk ishte. Konstantini ishte varrosur nga e gjyshja Donika. Në Kishë është edhe varri i Maria Balshës, nga dera e Balshajve, që kishte shkuar qysh fëmijë me Donikën në Napoli. 

Po fotografoja mbishkrimin në gjuhën latine te varri i Konstantinit.

„Çka po i flet murit? A i flet murit burri shtatëqind dërhem?” – po më tallte. „Plus bën foto, ku s’merr asnjë llajk”.

Ai, ndërkohë, po bënte një selfie te statuja e Vlad Drakulit (drak - dragoi nga draco të latinishtes dhe ul nyja e rumanishtes; draco etimologjikisht në shqipen ka dhënë dreq), bashkëkohës i Skënderbeut, luftëtar rumun kundër osmanëve, emrin e të cilit shkrimtari Bram Stoker e kishte shfrytëzuar për të sajuar figurën fiktive të gjakpirësit Drakulla. Vladi nuk është i varrosur aty dhe shërben vetëm si karrem për turistë që bëjnë selfie.

„Mos, se nuk do ta dinë njerëzit se cili je ti e cili Drakulla, kur ta shohin fotografinë“, i thashë për t’ia kthyer. U bë se nuk po më dëgjonte.

Jo larg që aty është Chiesa dei Greci. 

„Çka po më çon te grektë?“ – më pyeti shoku.

„Hajt se pa pare e ke këtë herë“, ia ktheva.

„Pa pare hyrja, a?“

Greçi quhet katundi i vetëm arbëresh në rrethinën e Napolit. Kisha është themeluar në shekullin XVI nga mërgimtarët ortodoksë arbëreshë nga Morea (Peloponezi i sotëm në Greqi) pas vdekjes së Skënderbeut. Në kishë gjejmë emrin „Dei Coronei“, sipas Koronës, vendit nga kishin ardhur emigrantët dhe emigrantet.

Tre vjet më parë, e pata vizituar dhe prifti ortodoks grek nuk dukej në qejf. Ishte vendosur një saksi mbi shqiponjën me dy krena në hyrje dhe një tjetër për të mbuluar shënimin në mur për Demetrio Lecca Epirotin, të lindur në Dhërmi më 1779 dhe të vdekur në Napoli më 1862. E pata njoftuar ambasadoren e atëhershme të Kosovës, Lendita Haxhitasim, por edhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme. Nuk e di në ka qenë reagimi i tyre apo çfarë, por këtë herë, tre vjet më pas, shenjat shqiptare nuk mbaheshin fshehur në këtë kishë. 

„Veç nëpër do kisha po më çon“, m’u ankua shoku. 

„Po fotografoje shqiponjën me dy krena“, i thashë.

„Njëqind fotografi me shqiponja i kam“, ma ktheu. „Hajde, te deti diku…“

Porti i Napolit m’u duk vend i përshtatshëm. Ishte ky vend ku takoheshin arbëreshët e Italisë me arvanitët e Greqisë dhe me shqiptarët e viseve të ndryshme në shekujt XVIII dhe XIX, dhe ku shkëmbeheshin, pos mallrave edhe idetë. Ato ide mund ta kenë sjellë edhe përfytyrimin e një identiteti të përbashkët e që do ta frymëzonte Jeronim de Radën të krijonte veprën e parë nacional-romantike shqiptare, „Këngët e Milosaos” (1836) dhe të hapte gazetën e parë, „L’Albanese d’Italia” (1848).

„Port, burrë i dheut, port! A kurrë s’ke parë port, a?”     

Thashë mos do t’i dukej interesante ndërtesa e Universitetit L’Orientale. Aty është Katedra më e vjetër universitare e shqipes në botë. Dy herë kam qenë për të mbajtur ligjërata. Herën e parë qeshë ftuar nga Italo Fortino, profesori dhe albanologu arbëresh, nga San Benedetto Ullano, vëllai i Eleuterios së ndjerë, zyrtar i lartë në Vatikan. Katedra qe themeluar dhe i qe ofruar De Radës që, megjithatë, kishte qenë tepër në moshë të shtyrë për të mbajtur mësim, kështu që nderin e mësimdhënësit të parë e kishte pasur Zef Skiroi, duke nisur punë më 1900. 

„Nuk kam ardhë në Napoli, me më çu në shkollë“, protestoi shoku, dukshëm i lodhur nga teket e mia. 

I thashë se të nesërmen do të doja të vizitonim Pompein dhe pikturën e Caravaggios në Pio Monte della Misericordia.

„Çka?! Këtu ndahen rrugët tona“, më tha prerazi.

Nuk pati kush të më fotografonte sytë e bërë duç duke parë në kilometrat rrugë nëpër Pompei, as gojën e hapur, duke u mahnitur me „Shtatë veprat e mëshirës“ të Caravaggios.

Nja 41.000 hapa më pas, nga të cilët dy në kaka të qenit, u takuam sërish, kur erdhi koha e bukës. Te Da Michele. I pa pllakat Michelin në mure dhe çmimoren. Gjashtë euro e gjysmë për një pizza margherita. E provoi kafshatën e parë. Nuk po fliste e as fotografonte. Për herë të parë, prej se ka blerë smartfon, hëngri një ushqim pa iu ftohur. 

Po get, i pëlqeu. 

Pastaj shkuam te Scaturchio për ministeriale, medaljone çokolate me histori njëshekullore, të prodhuara mu në atë objekt. 

„Kurrë më nuk do të ha pica dhe çokolat-bonbone, pas ditës së sotme, përveç kur të vij në Napoli“, më tha. 

Me fjalë të tjera: As unë nuk do të ha më pica e ministeriale. Përveç në Napoli.