Pamjet e pështira të Kuvendit gjatë kësaj jave na ofrojnë shembuj të grave të dobëta. Uroj që gratë e Kosovës të ndjekin modelet e grave të forta shqiptare
Mami kishte zgjedhur të studionte. Ishin vitet gjashtëdhjetë dhe një zgjedhje e tillë kishte qenë traumatike për disa. Një pjesë e rrethit të saj të gjerë kishte zgjedhur të mos i fliste. Jo se kishte bërë ndonjë hajni a mashtrim, a i kishte hedhur ujë dikujt, a e kishte rënduar me fjalë dikë, po se kishte marrë një stivë librash dhe kishte vendosur të mësonte, të bëhej shkencëtare. U bë mësimdhënëse universitare. Ata/ato që s’i folën, mbetën aty ku kishin qenë. Ajo e vazhdoi udhën e saj me ata/ato që po e pranonin dhe e përkrahnin. Nuk u përla me askë. Vetëm vazhdoi rrugën. Ishte pjesë e një brezi shembullor të grave të forta.
Shpesh në kohët e fundit dëgjoj shprehjen “grua e fortë” dhe pjesën “e fortë” nëpër diskutime e shoh të përkufizuar ndryshe-ndryshe. E forta te mami ishin studimi dhe integriteti që të mos i nënshtrohej asnjë parashkrimi a presioni shoqëror që do ta cenonte dinjitetin e saj.
Gjashtëdhjetë vjet më pas, forca e gruas shqiptare ka goditur rrëmbyeshëm. Majlinda Kelmendi e solli medaljen e parë olimpike për Kosovën me punë, përkushtim e sakrificë për vite të tëra në tatami. Blerta Basholli e mori Sundance-in me “Zgjoi”-n për një grua që familja dhe fshati e dënonin se guxonte të punonte. Ndërsa ende në narrativa Ismail Kadare përmendet si Shkrimtari, Lea Ypi e ka librin të përkthyer në tridhjetë gjuhë, Ledia Xhoga hyri në konkurrencë për Booker Prize e Doruntina Basha merr çmime për dramaturgji dhe filmat me skenarë të saj marrin çmime ndërkombëtare. Justina Shiroka-Pula është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Dua Lipa e ka çuar emrin e Kosovës në skena ku tërë politika e jashtme nuk ka arritur kurrë. Mira Murati ka qenë drejtuese e kompanisë që nxori ChatGPT-në, fizikania Laura Mersini ka shpjeguar teorinë e origjinës së universit brenda multiversit. Shkenca, arti, kultura dhe sporti shqiptar po kremtohen falë këtyre grave.
Këto ma përkufizojnë gruan e fortë: person me shumë integritet e dinjitet që çan përpara kundër gjasave dhe pritshmërive, duke u mbështetur në dije, angazhim e vetëmohim.
Këtë javë telefoni më shfaqi pamjet e deputeteve që i hedhin ujë njëra-tjetrës, synojnë dhunë fizike e çirren me grimasa të shëmtuara (sa të shëmtuar janë njerëzit, kur bëjnë grimasa të maliciozitetit). Kryesisht pasi ndonjë burrë kishte bërë: “skëps”. Ishin pamjet që përkufizojnë paedukatën dhe primitivizmin. Portalet dhe kafenetë do të vlojnë me gjykimet e tyre. Po të ziheshin burrat, nuk do të ishte kaq lajm i madh publik. Mirëpo, ky shkrim nuk është për këtë. Është për mënyrën se si e sheh edukatën një pjesë e shoqërisë, si ajo pjesa e familjes dhe e rrethit shoqëror që kishte zgjedhur të mos i fliste nënës sime. Ajo pjesë e shoqërisë kujton se të jesh i/e fortë do të thotë të rrihesh, të bërtasësh, të hedhësh ujë e të mos heqësh dorë nga fjala jote edhe kur e di se e ka bërë mut krejt. Ato janë përkufizimi tipik i grave të dobëta. Sepse të jesh i/e paedukuar është e lehtë. E kundërta - të kesh integritet, dije, dinjitet - është tmerrësisht e vështirë.
такође Прича о два генерала и посети ХагуMami u bë biologe. Kishte një kureshtje për krijesat pa shtyllë kurrizore. Gjithë shekullin e saj si mësimdhënëse ua mësoi studentëve dhe studenteve kandrrat, mollusqet, fluturat e krimbat. Gjithë jetën, ndërkohë, ndërsa i studionte pakurrizorët, më mësoi se çfarë do të thotë të kesh shtyllë kurrizore: integritet, dinjitet e karakter. Rruazë për rruazë, libër pas libri, sakrificë pas sakrifice, nëpër një rrugë që kalon nga guximi dhe nuk përfundon për qejfin e askujt.
Me fjalë të tjera: Karakteri i dobët nuk ka gjini