КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
колона

Благослов погрешних одлука

Asgjë nuk do të përfundojë javën tjetër kur Komisioni Evropian do të publikojë planet e tij për zgjerimin. Në fakt ai do të jetë vetëm fillimi i një diskutimi kompleks politik ku fjalën kryesore do ta kenë vendet anëtare të BE-së. Por sidoqoftë, një gjë është tani më e qartë – nëse deri dje pyetja kryesore në BE ishte: A duhet të zgjerohemi?, sot pyetja kryesore në BE është: Si të zgjerohemi? Dhe kjo në vetvete është tregues se jetojmë në një epokë të re të zgjerimit

Nganjëherë në jetë idetë më të mira lindin nga marrja e vendimeve të gabuara. Kështu ishte me vendimin e Putinit për pushtimin e Ukrainës. Ky vendim tragjik ka shkaktuar lëvizje tektonike në arkitekturën e sigurisë evropiane, duke zgjeruar NATO-n, duke forcuar BE-në dhe duke e izoluar Rusinë. Të gjitha këto janë rezultatet e kundërta nga çfarë Putini kishte synuar. 

Një nga pasojat e pushtimit rus të Ukrainës ishte edhe kthimi i vëmendjes së BE-së te rëndësia e zgjerimit. Para vitit 2022 zgjerimi i BE-së ishte temë e varrosur. Varrin e tij e kishte hapur në vitin 2014 presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, z. Jean-Claude Juncker, i cili publikisht bëri thirrje për ndalim të procesit të zgjerimit. Ky nuk ishte qëndrim i tij personal, por vendim politik i BE-së. Pas fjalimit të tij ajo që ishte “Ministria e Zgjerimit” u ndryshua në “Ministrinë e Fqinjësisë” – ndryshim ky që në vetvete dërgonte mesazh të qartë politik për degradimin e procesit të zgjerimit. Thënë ndryshe tani BE-ja dhe ne nuk ishim një familje që synonim të bëhemi bashkë, por fqinjë në mes të të cilëve duhet ngritur një mur. Që ky nuk ishte vetëm qëndrim i Komisionit Evropian u pa edhe nga samitet e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së të cilët çdo herë e më pak diskutonin zgjerimin dhe zëvendësonin atë me diskutimin për menaxhimin e migrimit dhe çështjeve të ndërlidhura. Thënë ndryshe ne ishim tani një problem që duhet menaxhuar, jo një zgjidhje që duhet materializuar. 

E gjithë kjo ndryshoi me pushtimin rus të Ukrainës. Brenda nate Ukraina dhe Moldavia fituan statusin e vendit kandidat dhe filluan negociatat e anëtarësimit. Mali i Zi dhe Shqipëria avancuan ndjeshëm procesin negociator, ndërsa Bosnja dhe Gjeorgjia fituan statusin e vendit kandidat. Ne fituam liberalizimin e vizave. 

Këtë vit nga ana tjetër BE-ja dhe Kanadaja kanë filluar diskutimin për avancimin e marrëdhënieve të tyre me dhënien e statusit të “vendit të asociuar” Kanadasë. Ndërsa vetëm dje kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, z. Andy Burnham, ka thënë se “BREXIT ka shkaktuar më shumë të këqija se të mira” dhe se qeveria e tij është duke konsideruar të gjitha opsionet, përfshirë “kthimin në BE”. 

Pra qartazi sot jetojmë në një epokë krejt tjetër nga viti 2014. Kjo epokë e re do të arrijë kreshendon e vet javën tjetër kur presim që Komisioni Evropian të publikojë dokumentet të cilat do të propozojnë përfundimin e procesit negociator për katër vendet: Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Dhe nga ato që tashmë janë bërë publike, duket se po mendohet për një zgjerim shumë ndryshe nga ai që kemi njohur deri tani. 

Së pari, Komisioni Evropian po mendon t'u japë vendeve më të avancuara një “udhërrëfyes” me hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pra, me këtë Komisioni po synon të konkretizojë vullnetin politik të liderëve të BE-së përmes një instrumenti praktik i cili do të udhëheqë vendet më të avancuara drejt anëtarësimit në BE. Me një anë kjo do të motivojë jashtëzakonisht shumë katër vendet në fjalë që të investojnë në përmbushjen e reformave të kërkuara, por nga ana tjetër do të rrisë presionin mbi vendet anëtare të BE-së që të nderojnë premtimin e dhënë për zgjerimin. 

Së dyti, paketa parashikon sanksione të ashpra ndaj vendeve të reja të cilat devijojnë nga vlerat e BE-së – nga kufizimi i përkohshëm i të drejtave të anëtarësimit, deri te përjashtimi i plotë nga BE-ja. Ky është një mësim i drejtpërdrejtë nga raundet e mëparshme të zgjerimit dhe gjithë asaj që kemi parë në Poloni dhe Hungari. Thënë ndryshe BE-ja nuk do të lejojë në të ardhmen që një vend i ri i BE-së të minojë funksionimin e gjithë BE-së.

Së treti paketa parashikon masa tranzitore të cilat e bëjnë vendin e ri anëtar të BE-së një lloj vendi anëtar me asterisk. Pra, vendi i ri nuk do të gëzojë menjëherë të gjitha privilegjet që gëzojnë vendet e vjetra anëtare. Merrni shembull fondet bujqësore, që nga data e pranimit të Malit të Zi në BE ai do të gëzojë vetëm 40% të fondeve bujqësore në krahasim më vendet e vjetra anëtare. Me kalimin e çdo viti ky përfitim i Malit të Zi do të shkojë duke u rritur. Kjo në vetvete nuk është lajm i ri, por duke pasur parasysh që kanë kaluar trembëdhjetë vjet nga zgjerimi i fundit do të jetë kurioze për të parë se si do të duken masat e reja transitore. 

Së katërti, propozohet një metodologji e re e integrimit gradual, e cila synon të fillojë t’i trajtojë vendet kandidate gjithnjë e më shumë si pjesë të BE-së përpara se të bëhen formalisht anëtare. Praktikisht kjo do të nënkuptonte fillimin e përfitimit nga fondet e BE-së, përpara se ato të anëtarësohen në BE. Pra një lloj vazhdimi i punës së bërë me Planet e Rritjes tanimë të zbatuara në të gjitha vendet e rajonit. Ky propozim do të jetë një lloj ngushëllimi për vendet të cilat nuk konsiderohen front-runners pra, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Kosova. 

Natyrisht asgjë nuk do të përfundojë javën tjetër kur Komisioni Evropian do t’i publikojë planet e tij për zgjerimin. Në fakt ai do të jetë vetëm fillimi i një diskutimi kompleks politik ku fjalën kryesore do ta kenë vendet anëtare të BE-së. Por sidoqoftë, një gjë është tani më e qartë – nëse deri dje pyetja kryesore në BE ishte: A duhet të zgjerohemi?, sot pyetja kryesore në BE është: Si të zgjerohemi? Dhe kjo në vetvete është tregues se jetojmë në një epokë të re të zgjerimit.