КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

Припреме за Европско првенство које Албанија организује са земљом која велича ратне злочинце се настављају.

АФФ

Ndonëse maksimalisht mundohet ta shmang emrin e Serbisë, Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon përgatitjet për Kampionatin Evropian U21, që vitin tjetër e organizon së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë, përkatësisht me shtetin që edhe së fundi bëri bujë për të keq. 

Glorifikimi i kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, bëri që të ketë kritika të shumta ndaj Serbisë, ndër të tjera edhe sa i takon futbollit. Huliganët e dy klubeve më të mëdha të Serbisë, Cërvena Zvezdës dhe Partizanit, të dielën mbrëma bënë koreografi gjigante kushtuar Mlladiqit. Zvezda madje e kujtoi kriminelin Mlladiq në faqen zyrtare. Javën e kaluar u dënua nga UEFA për nderimin që i bëri kriminelit në një ndeshje evropiane.

Por pretendimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, fyerjet e vazhdueshme të huliganëve serbë ndaj Kosovës e shqiptarëve dhe madhështimi i figurave kriminale, si ajo e Mlladiqit të vdekur në burgun e Hagës, nuk ndalin përgatitjet për Evropianin e 21-vjeçarëve që vitin e ardhshëm mbahet në Tiranë, Elbasan e Shkodër, por edhe në Beograd, Baçka Topola, Loznicë e Leskovc. 

Shorti i Evropianit do të tërhiqet më 26 nëntor në Beograd.

Të hënën përfaqësues të UEFA-s kanë nisur inspektime të reja në stadiumet ku do të organizohen ndeshjet e Evropianit, ka njoftuar FSHF-ja. Por Federata Shqiptare e Futbollit në asnjë vend nuk e ka përmendur organizimin e përbashkët me Serbinë, në lajmin e publikuar të hënën. Këtë praktikë e përdor vazhdimisht.

“Përgatitjet për Kampionatin Evropian U21, që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, po hyjnë në një tjetër fazë të rëndësishme. Përfaqësues të UEFA-s kanë nisur sot turin e inspektimeve në stadiumet që do të presin ndeshjet e këtij kompeticioni. Stacioni i parë është stadiumi ‘Loro Boriçi’ në Shkodër, ndërsa vizitat do të vijojnë në ‘Elbasan Arena’ dhe më pas në Tiranë, në ‘Arena Kombëtare’ dhe ‘Arena e Demave’”, shkruan FSHF-ja në njoftim.

Organizimi i Evropianit së bashku me federatën serbe kishte kundërshtues të shumtë në fillim, sidomos në mesin e tifozëve shqiptarë. Por FSHF-ja vazhdoi me projektin dhe ndërkohë kundërshtimet u zbehën dhe thuajse u zhdukën. 

Ndërkohë FSHF-ja i kushton goxha publicitet ndërtimit të dy fushave të futbollit në Luginën e Preshevës. Njëra do të ndërtohet në Komunën e Preshevës dhe njëra në Komunën e Bujanocit. FSHF-ja më herët kishte organizuar edhe një turne të futbollit në Luginë.

“Kjo nuk është vërtet një detyrë institucionale e Federatës, sepse ne duhet të organizojmë dhe të mbështesim futbollin brenda kufijve shtetërorë shqiptarë. Por është një detyrë morale e jona për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve tanë. Në fund të fundit, e kemi një obligim moral që t’i ndihmojmë ata për të qenë sa më shumë afër futbollit”, ka thënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, lidhur me projektin për dy fushat. Për këtë projekt FSHF-ja ka kërkuar edhe përkrahjen e bizneseve. 

“Detyrë institucionale”, FSHF-ja nuk e kishte organizimin e përbashkët të Evropianit me Serbinë. Por vendosi për këtë hap, ndonëse Serbia vazhdon të angazhohet kundër Kosovës e futbollit të saj, bënë përpjekje për të madhështuar kriminelët e luftës dhe huliganët serbë fyejnë shqiptarë sa herë të kenë mundësi.