КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

Ирски савез ће зажалити што је дозволио утакмице са Израелом

изера

Futbollisti me plot 324 ndeshje në Premier Leaguen angleze, Kevin Kilbane, ka thënë se Federata e Futbollit e Irlandës do të pendohet që ka lejuar zhvillimin e ndeshjeve mes Irlandës dhe Izraelit.
Në një shkrim të publikuar të hënën në “Irish Times”, Kilbane ka paraqitur qëndrimin e qartë se ndeshjet me Izraelin është dashur të bojkotohen nga Irlanda.

Në Irlandë përkrahja për Palestinën është e madhe. Dhe zërat që nuk është dashur të luhet me Izraelin janë të shumtë. Por federata e këtij vendi vendosi ndryshe.

Irlanda e Izraeli janë në një grup në Ligën e Kombeve të UEFA-s, së bashku edhe me Kosovën e Austrinë. Të enjten në Prishtinë, Irlanda luan me Kosovën. Ndërkohë të dielën Izraeli e pret Irlandën në Debrecen të Hungarisë. Edhe ndeshja e Irlandës si vendase me Izraelin zhvillohet në terren neutral, përkatësisht në Baçka Topola të Serbisë, më 4 tetor.

Kilbane është legjendë e futbollit irlandez. Për Irlandën i ka 111 ndeshje e tetë gola. Në Premier League ka luajtur për Hull Cityn, Wigan Athletic, Evertonin e Sunderlandin. 

Ai ka shkruar se nuk beson që Irlanda do të lihej në baltë nëse do të kishte qëndrim të prerë kundër ndeshjeve me Izraelin.

“Republika e Irlandës nuk duhet të luajë kundër Izraelit. As në Dublin, as në Hungari dhe përfundimisht jo në ndeshjen në ‘shtëpi’ në Serbi. Jo përderisa forcat izraelite po kryejnë gjenocid. Ne si irlandezë mund t’i kishim përballuar së bashku pasojat. Federata e Futbollit të Irlandës do të kishte mbështetjen time si ish-lojtar i Irlandës. Më pëlqen të mendoj se edhe zëra të tjerë do ta kishin mbështetur atë, nëse UEFA do të kishte vendosur sanksione të rrepta. Ose ndonjë sanksion. Por mbajtja e këtij qëndrimi kërkonte qasje të pazakontë për federatën – do të duhej të tregonte guximin e vazhdueshëm përballë vallëve të pashmangshme të kritikave nga Izraeli dhe aleatët e tij”, ka shkruar 49-vjeçari Kilbane.

Sipas tij, bojkoti do ta shfaqte federatën organizatë të fuqishme sportive irlandeze me busullë morale. Ai nuk beson se UEFA do ta përjashtonte Irlandën, apo se do ta dënonte rëndë, nëse qëndrimi i saj do të mbështetej nga vende të tjera. 

“Por fillimisht duhet të mbash qëndrim. Nuk besoj se do të ishim lënë në baltë. Refuzimi për të luajtur kundër Izraelit do të kishte nxitur një zinxhir reagimesh mbështetëse, të ngjashëm me atë që përjetoi javën e kaluar reperi Macklemore”, ka shkruar Kevin Kilbane.

Nga Federata e Futbollit e Irlandës kanë thënë se UEFA ka refuzuar kërkesën që Irlanda e Izraeli të jenë të ndara në shortet e ardhshme. Sipas drejtuesve të federatës irlandeze, arsyetimi i UEFA-s është se “Irlanda dhe Izraeli nuk ishin asnjëherë në konflikt direkt”.