КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
ФУДБАЛ

Аслани се враћа, Хофенхајм још не

Фисник Асллани

Fisnik Asllani u kthye titullar për herë të parë në këtë edicion te Hoffenheimi. Ai pati formë të mirë me Kosovën dhe realizoi gol ndaj Austrisë në Ligën e Kombeve. Formën e mirë e përcolli edhe te Hoffenheimi duke asistuar, por Hoffenheimi nuk e gjen ende këndelljen.

Të shtunën në xhiron e pestë të Bundesligës, Hoffenheimi pësoi humbje 3:2 në shtëpi, ndonëse ishte në epërsi 2:1 prej minutës së 53-të, kur sulmuesi i Kosovës asistoi për Bambase Conten. Bernardo më pas u përjashtua nga loja në minutën e 65-të dhe Hoffenheimi pësoi dy gola në minutën e 83-të dhe 94-t, për humbjen e katërt të sezonit. Për Asllanin që luajti deri në minutën e 63-të ishte asistimi i parë i sezonit. Leon Avdullahu në mesfushë e kompletoi ndeshjen kurse Albian Hajdari mungoi shkaku i lëndimit.

“Është rezultat i tmerrshëm. I kemi imagjinuar ndryshe gjërat sot. Nuk ishte keq e tërë ndeshja dhe duhet ta mbajmë kokën lart. Po luanim mirë, por pësuam dy gola pas kartonit të kuq. Do të kthehemi në fushë të enjten. Një ndeshje e rëndësishme na pret para dhe duhet ta tregojmë çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Na lejohet të jemi të dëshpëruar sot, por do t’i nxjerrim përfundimet e duhura”, ka deklaruar Asllani pas ndeshjes për faqen zyrtare të klubit.

Hoffenheimi mbetet në vendin e parafundit me tri pikë pas pesë ndeshjeve të luajtura. E ka vetëm një fitore ndaj Stuttgartit.

Të enjten nga ora 21:00 luan ndaj Beshiktashit turk në ndeshjen e xhiros së dytë të fazës së ligës në “Europa League”.

Të shtunën në Bundesligë dështoi edhe skuadra më e madhe gjermane, Bayern Munich. Bayerni barazoi 2:2 në udhëtim tek Augsburgu. Bavarezët e pësuan golin më të shpejtë në histori të Bundesligës, pas gabimit të portierit Manuel Neuer. Pas vetëm tetë sekondash lojë, Neuer gaboi dhe kjo u shfrytëzua nga Robin Fellhauer që shënoi për 1:0. Bayerni priti deri në minutën e 55-të për barazimin e rezultatit me Ismael Saibarin, ndërsa Rodrigo Ribeiro realizoi për 2:1, nëntë minuta më vonë. Luis Diazit iu anuluan dy gola nga VAR-i për pozitë jashtë loje, ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Nathaniel Broën, në minutën e 81-të.

Arijon Ibrahimoviqi luajti tek Augsburgu deri në minutën e 82-të.

Bayerni tani ka 11 pikë, dy më pak se lideri Dortmundi.