Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka vlerësuar se Qeveria po e pengon zhvillimin ekonomik me veprimet e marra që kanë prekur bizneset. Sipas tij, bizneset po përballen me mungesë mbështetjeje institucionale.
“Ka pasiguri të madhe dhe zhgënjim të madh të bizneseve që janë në Kosovë, me dëshpërim të madh sepse nuk po kanë mbështetje institucionale. Është shqetësuese kur çdo biznes i bën thirrje Qeverisë i thotë ‘krejt çka bën, vetëm mos më pengo, më lë të punoj’. Qeveria le që nuk po merr veprime, por me hapat që po ndërmerr po e pengon zhvillimin ekonomik”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Ahmeti ka theksuar se investimet e huaja orientohen kryesisht në patundshmëri dhe se kjo nuk gjeneron zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
“Gjendja nuk është fare e mirë. Investimet e jashtme kur futemi në statistika shihet se të gjitha janë duke shkuar në investime në blerje të patundshmërive, ajo është ekonomi e vdekur. Kjo shkon duke e bë gjendjen ekonomike edhe më të rëndë në vend”.
Ai ka vlerësuar se një nga sfidat kryesore për bizneset vendore dhe investitorët potencialë janë vendimet që, sipas tij, merren në mënyrë ad-hoc nga institucionet.
“Një prej sfidave aktuale në bizneset në Kosovë dhe ato që mund ta konsiderojnë Kosovën si vend investimi janë vendimet apo hapat ad-hoc që po merren nga institucionet. Sektorët në Kosovë janë goditur shumë me rritjen e çmimit të energjisë dhe procesin e liberalizimit të tregut”, u shpreh Ahmeti.
такође
Мурат позива на састанак ради повећања минималне зараде, предузећа то виде као политичку кампању
Ahmeti ka përmendur se Kosova po importon edhe zhavorr nga Serbia, ndonëse, siç theksoi ai, vendi ka burime të mjaftueshme, por se mungesa e licencave bllokon shfrytëzimin e tyre.
“Shihen të dhënat e Doganës. Shumicën e zhavorrit sot jemi duke e bë prej Serbisë e importojmë, është e tmerrshme. Edhe bazën kryesore për investime kapitale ne e marrim prej Serbisë kur ne kemi mjaftueshëm gurë në Kosovë, por nuk kanë licenca sepse ligji e ka bllokuar krejt sistemin”, përfundoi Ahmeti.