КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Како су радници у Шри Ланки открили масовну гробницу са 572 људи

Шри Ланка

Për ekzistencën e saj ishte përfolur edhe më parë – një ushtar që po gjykohej për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje të re gjatë luftës civile shkatërruese të vendit, kishte folur për një varrezë masive ku ishin varrosur qindra trupa. Grupet për të drejtat e njeriut thanë se bëhej fjalë për civilë të zhdukur

Kur një varrezë masive u zbulua në veri të Sri Lankës shkurtin e kaluar, kjo ndodhi krejtësisht rastësisht.

Punëtorët po hapnin tokën për të zgjeruar një hapësirë për djegie trupash në zonën Chemmani, në rajonin e Jaffnës, kur papritur zbuluan mbetje njerëzore, duke nxitur nisjen e një hetimi.

Deri në gusht, arkeologët kishin përfunduar fazën e tretë të gërmimeve në këtë vend, gjatë së cilës gjetën mbetjet skeletore të 572 personave, përfshirë fëmijë dhe foshnja.

Mes të vdekurve u gjetën edhe sende që u përkisnin atyre gjatë jetës si: byzylykë, një çantë shkolle dhe një shishe qumështi.

Besohet se ky është vendi i varrezës masive më të madhe të zbuluar ndonjëherë në Sri Lankë.

Për ekzistencën e saj ishte përfolur edhe më parë – një ushtar që po gjykohej për përdhunimin dhe vrasjen e një gruaje të re gjatë luftës civile shkatërruese të vendit, kishte folur për një varrezë masive ku ishin varrosur qindra trupa. Grupet për të drejtat e njeriut thanë se bëhej fjalë për civilë të zhdukur.

Por deri tani nuk kishte prova.

Dhe ndërsa zbulimi është tronditës, ai ka sjellë shpresë për njerëz si Jeyaruby Jeyabalan, babai i së cilës ishte mes mijëra njerëzve që u zhdukën gjatë luftës që zgjati për dekada. Jeyabalan dhe familje të tjera si e saja shpresojnë se përgjigjet për atë që u ndodhi të afërmve të tyre ndodhen mes këtyre trupave.

Shumë tamilë (një grup etnik që jeton kryesisht në Sri Lankë dhe në Indi, veçanërisht në shtetin Tamil Nadu), besojnë se varreza përmban viktima të vrasjeve jashtëgjyqësore të kryera gjatë luftës civile. Ata kërkojnë një hetim dhe drejtësi.

Por procesi i gërmimeve në Chemmani ka përparuar ngadalë, duke vënë në provë durimin e familjeve që kërkojnë përgjigje për të afërmit e tyre të zhdukur.

Zbulimi i qindra mbetjeve pranë një varreze masive të identifikuar më herët ka nxitur zemërim te tamilët, të cilët prej kohësh kërkojnë një hetim të plotë për zhdukjet.

Shumë prej tyre kanë frikë se varreza masive përfundimisht do të zhduket nga vëmendja e publikut për shkak të mungesës së vullnetit politik për të zbardhur të vërtetën, ndaj varreza është kthyer në një pikë grumbullimi për protesta të reja në veri të Sri Lankës.

Dy dekada në pritje të përgjigjeve

Sri Lanka, veçanërisht veriu dhe lindja e dominuar nga tamilët, vuajti nga dekada konflikti. Lufta, e cila zgjati nga viti 1983 deri në vitin 2009, e ndau vendin ishullor përgjatë vijave etnike. Rebelët e Tigrave Tamilë luftuan për krijimin e një shteti të pavarur në veri-lindje të vendit, për shkak të asaj që ata e cilësonin si diskriminim sistematik nga qeveria e dominuar nga sinhalezët.

Konflikti zgjati 26 vjet dhe luftimet vranë rreth 100 mijë njerëz. Gjithashtu, rreth 23 mijë persona, kryesisht tamilë, rezultojnë të zhdukur.

Si forcat e sigurisë, ashtu edhe Tigrat Tamilë akuzohen për mizori dhe krime.

Në vitin 1995, pas një konflikti të përgjakshëm, ushtria e Sri Lankës mori kontrollin e gadishullit të Jaffnës nga Tigrat Çlirimtarë të Tamil Eelamit (LTTE). Kjo u konsiderua një pikë kyç kthese në luftë, e cila përfundoi me mposhtjen e Tigrave në vitin 2009.

Teksa zgjeruan kontrollin në fund të viteve 1990, i gjithë rajoni i Chemmanit u bë pjesë e një zone me siguri të lartë dhe u mbush me kampe ushtarake, pika kontrolli dhe poste sigurie. Edhe në Chemmani kishte një kamp ushtarak pranë varrezave.

Në atë kohë, disa e përshkruanin rajonin e Jaffnës si një “burg të hapur”, ndërsa forcat e sigurisë akuzoheshin për zhdukjen e mijëra civilëve, gjë që qeveritë e Sri Lankës e kanë mohuar gjithmonë.

“Isha 12 vjeçe kur babain tim e morën forcat e ushtrisë së Sri Lankës në një pikë kontrolli pranë zonës së Chemmanit, në shtator të vitit 1996. Ende nuk e dimë se çfarë ndodhi me të”, i tha BBC-së Jeyaruby Jayapalan, e cila tani jeton në Jaffna.

Ajo kujton se, pasi mësuan për zhdukjen e tij, familja u kap nga paniku dhe vizitoi kampe ushtarake dhe stacione policie në të gjithë Jaffnën, në një kërkim të dëshpëruar për informacion, por pa sukses. Ai nuk u kthye kurrë.

Babai i saj, Kandaiah Jayapalan, ishte punonjës i qeverisë dhe gjithashtu drejtonte një kafene buzë rrugës, jo shumë larg Chemmanit.

“Shkova te varreza masive e Chemmanit së bashku me shumë të tjerë, me shpresën se do të gjeja disa përgjigje. Por nuk gjetëm asnjë provë materiale. Ne duam një analizë të detajuar mjeko-ligjore të mbetjeve njerëzore”, thotë Jeyaruby

Dy javë para se Kandaiah Jayapalan të zhdukej, një nxënëse 18-vjeçare tamile, Krishanthi Kumaraswamy, u zhduk në të njëjtën zonë.

Në vitin 1998, një gjykatë në Colombo dënoi me vdekje pesë ushtarë për përdhunimin dhe vrasjen e Kumaraswamyt, si dhe për vrasjen e tre anëtarëve të familjes së saj. Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare në atë kohë. Trupat e tyre u gjetën më vonë të varrosur në zonën e Chemmanit.

Ky është ndër rastet më famëkeqe të konfliktit, dhe varreza që po hetohet aktualisht ndodhet brenda një rrezeje prej 100 metrash nga vendi ku u gjetën mbetjet e Kumaraswamyt dhe personave të tjerë.

Në një dëshmi tronditëse në gjykatë, një nga ushtarët e dënuar, Somaratne Rajapakse, pretendoi se 300 deri në 400 persona, të vrarë në mesin e viteve 1990, ishin varrosur në Chemmani.

Pretendimi i tij çoi në gërmimet e para në Chemmani një vit më vonë, gjatë të cilave hetuesit zbuluan më shumë se 10 skelete njerëzore. Aktivistët për të drejtat e njeriut besonin se këto mbetje lidhen me persona që ishin zhdukur gjatë luftës civile, por pati pak ndjekje gjyqësore të çështjes.

Aktivistët thonë se, për shkak se lufta me rebelët tamilë ishte ende në zhvillim, qeveria e asaj kohe nuk e ndoqi hetimin dhe nuk shpjegoi arsyen.

Zbulimi i një tjetër varreze masive në të njëjtën zonë ka rikthyer thirrjet për përgjegjësi.

“Inspektimet paraprake sugjerojnë se ky nuk ishte një vend i zakonshëm varrimi dhe nuk përputhet me praktikat e zakonshme hindu të varrimit”, thotë Gehan Gunatilleke, komisioner i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Sri Lankës, i cili kreu inspektime në Chemmani vitin e kaluar.

Aktivistët dhe ekspertët thonë se, ndërsa disa dhjetëra trupa duket se janë varrosur në mënyrë formale, shumica dërrmuese e mbetjeve tregon një histori tjetër.

Shumica e mbetjeve njerëzore u gjetën pa rroba, të vendosura ngjeshur së bashku dhe, në disa raste, të grumbulluara njëra mbi tjetrën. Varret ishin të cekëta, me trupat e varrosur vetëm një deri në dy metra nën sipërfaqe.

“Ekziston një mundësi e arsyeshme që varrosjet të kenë qenë të paligjshme dhe të jenë kryer pas vrasjeve jashtëgjyqësore”, tha Komisioni i të Drejtave të Njeriut të Sri Lankës në një raport vitin e kaluar.

Hetimet e mëparshme nuk kanë çuar në ndjekje penale

Familjet e personave të zhdukur gjatë konfliktit i janë përgjigjur zbulimit duke organizuar protesta dhe ceremoni përkujtimore.

Mes tyre është edhe Suseela, një grua 65-vjeçare që po kërkon djalin e saj, Gnanaseelan Ravi, i cili u mor nga ushtria e Sri Lankës në vitin 2007, kur ishte 24 vjeç.

“Ai ishte djali im i vetëm dhe qaj çdo ditë duke e kujtuar. Jeta ime është bosh pa të”, i tha ajo BBC-së.

Ajo shkoi te varreza e Chemmanit, por nuk gjeti asnjë provë, si rroba apo sende personale, që të sugjeronte se djali i saj ishte varrosur aty. Testet e ADN-së mbi mbetjet njerëzore ende nuk janë kryer.

Të gjitha mbetjet e nxjerra deri tani nga Chemmani janë ruajtur në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të Universitetit të Jaffnës, nën mbikëqyrjen e gjykatës.

“Po përgatisim një raport paraprak dhe ai do t’i dorëzohet gjykatës deri në fund të shtatorit”, i tha BBC-së profesori Raj Somadeva, arkeologu kryesor i varrezës masive.

Disa prej mostrave pritet të dërgohen jashtë vendit për analiza të hollësishme, me qëllim përcaktimin e moshës së mbetjeve. Do të nevojiten analiza të veçanta mjekësore për të përcaktuar shkaqet e mundshme të vdekjes.

Më shumë se 20 varreza masive janë zbuluar në të gjithë Sri Lankën gjatë dekadave të fundit, por asnjëra nuk është lidhur përfundimisht me zhdukjet e detyruara ose me vrasjet e dyshuara jashtëgjyqësore në veri dhe jug të vendit, dhe asnjë rast nuk ka çuar në ndjekje penale.

Duke pasur parasysh dështimin e autoriteteve për të hetuar varrezat masive të mëparshme, shumë tamilë janë skeptikë për atë që mund të arrijë hetimi i ri.

Ata i referohen rezultatit të hetimit për një tjetër varrezë masive, e cila u zbulua në qytetin Mannar, në veriperëndim të vendit, në vitin 2018, ku u gjetën më shumë se 350 mbetje skeletore.

Hetimet nuk dhanë rezultate përfundimtare, duke lënë shumë familje të zhgënjyera.

Ata kërkojnë që Sri Lanka t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Qeveria e presidentit, Anura Kumara Dissanayake, këmbëngul se po bashkëpunon plotësisht me hetimin.

Pasi erdhi në pushtet në shtator 2024, Dissanayake premtoi se do të punonte për drejtësinë dhe pajtimin etnik. Por qeveria e tij kundërshton me forcë çdo mekanizëm ndërkombëtar për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës të kryera gjatë konfliktit etnik, duke zhgënjyer tamilët.

“Ne do të vazhdojmë punën e gërmimeve në Chemmani”, i tha BBC-së ministri i Drejtësisë i Sri Lankës, Harshana Nanayakkara.

“Duhet të analizojmë skeletet dhe të zbulojmë se si kanë vdekur këta njerëz. Më pas duhet të kryejmë testet e ADN-së”, shtoi ai.

Ministri këmbëngul se qeveria u ka kërkuar gjithashtu familjeve të japin mostrat e tyre të ADN-së, në mënyrë që ato të analizohen më vonë me mbetjet.

Gjatë inspektimit të tij në Chemmani në qershor, ministri premtoi hetime për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën dhe për t’i dhënë fund kësaj çështjeje. Ai premtoi gjithashtu se do të siguroheshin fondet e nevojshme për gërmimet.

Zëdhënësi i ushtrisë së Sri Lankës, gjeneral brigade Waruna Gamage, i ka hedhur poshtë akuzat se forcat e sigurisë kanë varrosur civilë pasi i kanë masakruar.

“Të gjitha akuzat duhet të provohen në gjykatë”, i tha ai BBC-së.

Thirrje për ndihmë ndërkombëtare

Vonesat në hetimin e krimeve të së kaluarës kanë nxitur kritika të ashpra nga grupet për të drejtat e njeriut.

Pas vitesh presioni ndërkombëtar, në vitin 2018 qeveria krijoi një organ të pavarur, Zyrën për Personat e Zhdukur (OMP), për të hetuar zhdukjet. Por të prekurit thonë se kjo zyrë nuk ka bërë shumë përparim në gjetjen e të afërmve të tyre të zhdukur.

“Shumë raste të zhdukjeve të detyruara, torturave dhe vrasjeve mbeten të bllokuara, ndërsa familjet e viktimave dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut përballen me kërcënime dhe frikësime”, tha Human Rights Watch në një raport të publikuar në fillim të këtij muaji.

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Sri Lankës të kërkojë ndihmë ndërkombëtare për identifikimin e viktimave, për të zbuluar se si kanë vdekur dhe kush është përgjegjës.

“Kjo është një situatë ku viktimat janë thellësisht të zhgënjyera, kanë jetuar me dhimbje për dekada dhe kanë humbur besimin te hetimet e mëparshme”, i tha BBC-së Rory Mungoven, drejtuesi për rajonin Azi-Paqësor në Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Besoj se përfshirja e ndihmës ndërkombëtare do të ndihmonte në rritjen e besimit te këto hetime”, theksoi ai.

Qeveritë e njëpasnjëshme të Sri Lankës i kanë kundërshtuar fuqishëm thirrjet për hetime ndërkombëtare mbi mizoritë e dyshuara të kryera gjatë luftës.

Gjatë udhëtimeve të mëparshme për raportime në Sri Lanka, ekipi i BBC-së kishte takuar prindër dhe familjarë të personave të zhdukur, të cilët për dekada kishin bërë fushatë për zbardhjen e së vërtetës. Disa prej tyre kanë vdekur që atëherë, pa mësuar kurrë fatin e të dashurve të tyre.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se qeveria e presidentit Dissanayake tani ka mundësinë të shkëputet nga një model i gjatë vonesash dhe mohimesh dhe të vendosë përgjegjësinë për shkeljet e rënda të kryera gjatë konfliktit.

Suseela është e vendosur të zbulojë të vërtetën.

“Nuk e di sa gjatë do të jetoj me këtë pasiguri, por dua t’i jap fund kësaj pritjeje dhe të di të vërtetën”, thotë ajo.