КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Путин поново прети Западу нуклеарним оружјем

Владимир Путин

Фото: Ассоциатед Пресс

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Rusia do të përdorë të gjitha armët që ka në dispozicion nëse e konsideron se enklava e saj në Baltik, Kaliningradi, po sulmohet drejtpërdrejt, transmeton “BBC”.

Putini këmbënguli se Moska "nuk po kërcënon askënd" dhe thjesht po u përgjigjet deklaratave të liderëve perëndimorë se Rusia po përgatitet për luftë në vitin 2029 ose 2030.

Gjatë gjithë kësaj jave, Rusia e ka akuzuar NATO-n se po përgatitet ta bllokojë territorin e saj, i cili kufizohet me Lituaninë dhe Poloninë, duke paralajmëruar se do të ishte madje e gatshme të përdorte armë bërthamore nëse Perëndimi do të përpiqej ta shkëpuste Kaliningradin nga pjesa tjetër e Rusisë.
NATO është përpjekur ta qetësojë situatën, duke theksuar se është një aleancë mbrojtëse dhe duke i bërë thirrje Moskës t’i ndalë "kërcënimet e saja bërthamore".

Aleatët perëndimorë janë përballur me një rritje të të ashtuquajturave incidente të luftës hibride, të cilat i atribuohen Rusisë, veçanërisht në Poloni dhe në vendet baltike muajt e fundit.

Vetëm javën e kaluar, Polonia tha se një helikopter rus kishte hyrë gabimisht në territorin e saj pranë Kaliningradit, ndërsa Lituania tha se popullsia e saj ndihej "vazhdimisht e kërcënuar" nga Rusia, pjesërisht për shkak të dronëve që hynin në hapësirën ajrore të vendit.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të enjten se vendi i tij po përgatitet për sulme të tjera hibride, "përfshirë edhe sulme serioze", pasi një dron i armatosur me eksplozivë u gjet në gusht në pistën e Aeroportit të Leipzigut, pranë avionëve ukrainas të ngarkesave.

Në një fjalim të gjerë në forumin e politikës së jashtme Valdai, Putin i tha audiencës se besonte se konfliktet ndërkombëtare kishin shumë gjasa të vazhdonin, por do të përmirësoheshin ndërsa "hegjemonia perëndimore" dobësohej.

Megjithëse vetë lideri rus e filloi luftën në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ai përsëri e fajësoi Perëndimin për provokimin e pushtimit, duke argumentuar se Moska thjesht ishte detyruar të mbrohej dhe të merrte armët.

Ai këmbënguli gjithashtu se sulmet e Rusisë ndaj objektivave ekonomike ukrainase ishin një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të Ukrainës ndaj rafinerive të naftës të Rusisë dhe anijeve të saja në Detin e Zi.

"Tani nga çdo drejtim po marrim thirrje 'le të ndalojmë'. Por ata e nisën", tha ai.

Putin pranoi se Kievi kishte "arritur disa rezultate" nga sulmet ndaj rafinerive të naftës dhe se Rusia kishte humbur rreth 1% të Bruto Produktit Vendor të saj. Ukraina këmbëngul se i nisi sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës sepse ajo ndihmonte Kremlinin ta financonte luftën.

Rusia ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shtuar sulmet çdo dimër që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Edhe infrastruktura tjetër civile goditet rregullisht, ndërsa një urë kryesore në Kiev u sulmua me dronë të enjten.

"Nëse bëhet fjalë për një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Federatës Ruse, në këtë rast po flasim për Kaliningradin, por ndoshta edhe për disa territore të tjera, sigurisht që çështja e përdorimit nga Federata Ruse të të gjitha armëve që ka në dispozicion vendi ynë do të jetë në mënyrë të pashmangshme dhe të menjëhershme në rend dite", tha ai.

Ai e akuzoi NATO-n se po zhvillon manovra detare në Detin Baltik, të cilat, sipas tij, përbëjnë kërcënime serioze ndaj Kaliningradit. Nëse territori do të vihej nën bllokadë nga Perëndimi, tha ai, Rusia do të ishte e gatshme të përdorte të gjitha mjetet dhe forcat, përfshirë armët bërthamore.

"Ne nuk po kërcënojmë askënd. Ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd në vitin 2029, në vitin 2030, në vitin 2050. Por nëse përballemi me një agresion, do të duhet të përgjigjemi. Qytetarët e vendeve evropiane duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për këtë."

Ai shtoi se, ndonëse ishte i vetëdijshëm për kapacitetet bërthamore të vendeve si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, tha se armët që ka në dispozicion Rusia ishin të pakrahasueshme.

Zyrtarët perëndimorë kanë kohë që kanë frikë se, në vend që ta pushtojë Kaliningradin, Rusia do të përdorte distancën relativisht të shkurtër midis enklavës dhe aleatit Bjellorusi – të njohur si Korridori Suwalki – nëse do të përpiqej të pushtonte me forcë territorin e Lituanisë.

Kryeministri i Lituanisë i tha BBC-së javën e kaluar se vendi i tij kishte hartuar plane evakuimi në rast se Rusia do të pushtonte dhe se mijëra trupa të NATO-s janë të stacionuara atje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e bëri të qartë të mërkurën se asnjë nga "stërvitjet apo aktivitetet" e aleancës nuk përbënin kërcënim për Moskën dhe se mesazhet e Kremlinit ishin "absolutisht të pajustifikuara dhe jo të dobishme".

Putin kaloi një pjesë të kohës duke folur për vendet kryesore në botë që kanë në dispozicion armatime që mund të "zhdukin të gjithë jetën ose të paktën ta çojnë Tokën drejt pasojave katastrofike", dhe tha se, për fat të keq, askush nuk mund të ishte i sigurt se ato nuk do të përdoreshin kurrë.

Ai bëri analogjinë me një armë që ndodhet në skenën e një teatri – nëse ajo është e varur aty në fillim të shfaqjes, sigurisht që do të qëllohet në fund.

Ai dukej se bënte thirrje për rishkrimin e rregullave të luftës dhe paralajmëroi për rrezikun në rritje të inteligjencës artificiale.

"Automatizimi dhe digjitalizimi i luftës çojnë në gamifikimin e saj. Kjo çon në degradimin dhe kthimin e njerëzimit drejt barbarisë," tha ai.