Për më shumë se dy dekada, industria e ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Filipineve. Megjithatë, me përhapjen e inteligjencës artificiale (AI), shumë punonjës po përballen me pasiguri, humbje të vendeve të punës dhe nevojën për t’u rikualifikuar, teksa kompanitë përpiqen të balancojnë teknologjinë me fuqinë punëtore.
Për 15 vjet me radhë, Lisa, nënë e vetme, siguroi jetesën duke punuar si autore e përmbajtjeve.
Ajo nisi të shkruante menjëherë pas përfundimit të studimeve universitare, punoi për vite si bashkëpunëtore e pavarur (freelancer) dhe më pas ndoqi rrugën e shumë të rinjve filipinas duke iu bashkuar një kompanie shumëkombëshe në industrinë e ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja (outsourcing).
Lisa thotë se nuk e kishte ndier kurrë të nevojshme të përdorte inteligjencën artificiale (AI) në punën e saj.
“Jam në gjendje ta kryej punën time, i respektoj afatet dhe i përmbush detyrat. Sipas mendimit tim, nuk kishte nevojë për inteligjencën artificiale”, tha ajo për BBC.
Vetëm tetë muaj pasi kishte nisur punën në kompaninë e fundit dhe një muaj para se kontrata e saj të bëhej e përhershme, Lisa u pushua nga puna.
такође
Туризам на Куби нагло опада због пораста тензија са САД
Ajo tregon se, gjatë muajve të fundit para largimit, kompania kishte angazhuar një agjenci të marrëdhënieve me publikun për të prodhuar materiale të krijuara nga inteligjenca artificiale, ndërsa ajo dhe kolegët e saj kishin për detyrë t’i redaktonin ato. Sipas saj, përvoja dhe aftësitë e tyre u përdorën gjithashtu për të trajnuar sistemin e inteligjencës artificiale sipas stilit të shkrimit të kompanisë.
“Ndihem sikur ia hapa gropën vetes. Ishim ne ata që e trajnuam inteligjencën artificiale, e cila më pas na zëvendësoi”, shprehet ajo.
Lisa, emër i ndryshuar për të mbrojtur identitetin, është një nga disa ish-punonjës të sektorit të ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja që folën për BBC-në duke kërkuar të mbeten anonimë. Ata kishin nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti në këmbim të pagesës së largimit nga puna dhe druhen se një deklaratë publike mund t’ua vështirësojë gjetjen e një vendi të ri pune në një industri ku rrjeti profesional është relativisht i vogël.
Përvoja e tyre ngre një pyetje të rëndësishme për ekonomitë në zhvillim, si Filipinet: çfarë ndodh kur inteligjenca artificiale fillon të automatizojë vendet e punës që për vite me radhë kanë ndihmuar miliona njerëz të ngjiten në shtresën e mesme të shoqërisë?

Ndërtimi i një industrie
Çdo mbrëmje, rreth orës 17:00, qindra punonjës me kartat identifikuese të kompanive dalin nga ndërtesat shumëkatëshe të zyrave në lagjen Cubao të Manilës.
Kjo është një nga zonat e kryeqytetit ku kompani shumëkombëshe ofrojnë shërbime të ndryshme për klientë nga e gjithë bota, përfshirë qendrat telefonike, kontabilitetin, zhvillimin e programeve kompjuterike dhe krijimin e përmbajtjeve për marketing.
Për më shumë se dy dekada, këto qendra biznesi janë bërë simbol i një prej historive më të suksesshme ekonomike të Filipineve.
Në fillim të viteve 2000, Filipinet u promovuan si një alternativë anglishtfolëse ndaj Indisë për ofrimin e shërbimeve të biznesit për kompani të huaja.
Qeveritë e njëpasnjëshme ofruan lehtësime fiskale, investuan në infrastrukturë dhe inkurajuan kompanitë shumëkombëshe të hapnin filiale të mëdha në vend.
Korporata globale si “Accenture”, “Concentrix” dhe “Teleperformance” ndërtuan qendra të mëdha operacionale, duke punësuar qindra mijëra filipinas.
Sot, industria e ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja punëson rreth 1.9 milionë njerëz dhe gjeneron afro 40 miliardë dollarë të ardhura në vit, duke përbërë rreth 10% të ekonomisë së vendit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo industri është veçanërisht e ekspozuar ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), rreth 12.7 milionë filipinas - më shumë se një në katër të punësuar - punojnë në profesione që mund të preken nga inteligjenca artificiale gjeneruese. Kjo është përqindja më e lartë në Azinë Juglindore.
ILO vlerëson se shumë vende pune nuk do të zhduken plotësisht, por do të transformohen. Megjithatë, natyra e punëve të shërbimit që dominojnë në Filipine e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtij ndryshimi.
Jack Madrid, president i Shoqatës së Industrisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Shërbimeve të Biznesit në Filipine (IBPAP), pranon se inteligjenca artificiale tashmë po integrohet gjerësisht në këtë sektor.
Sipas tij, më shumë se dy të tretat e kompanive anëtare të IBPAP-it po zhvillojnë pilot projekte që përdorin inteligjencën artificiale.
“AI-ja ka potencialin të automatizojë proceset me një ritëm shumë më të shpejtë. Natyrisht, ekziston një kategori vendesh pune që mund të automatizohen ose tashmë janë automatizuar”, thotë Madrid.
Megjithatë, ai thekson se shumica dërrmuese e punonjësve të prekur janë transferuar në role të tjera brenda të njëjtave kompani.
Sipas tij, ngadalësimi i punësimeve nuk lidhet vetëm me inteligjencën artificiale.
“Kemi vënë re një ngadalësim të vendimeve për investime lidhur me proceset që kompanitë zgjedhin t’ua besojnë kompanive në vende të tjera. Kjo lidhet edhe me kërkesën më të ulët globale, por edhe me pasigurinë se si bizneset do ta përdorin përfundimisht këtë teknologji”, shpjegon ai.
Megjithatë, Madrid pranon se sfida është serioze.
“Nuk mund të bëjmë kurrë mjaftueshëm për t’u përgatitur. Rëndësia e rikualifikimit profesional nuk mund të theksohet sa duhet”, përfundon ai.

Presioni për automatizim
Mary, një tjetër ish-krijuese e përmbajtjeve, emri i së cilës është ndryshuar për të ruajtur anonimitetin, tregon se kompania ku punonte i inkurajonte punonjësit të përdornin inteligjencën artificiale si mjet për të rritur produktivitetin.
Megjithatë, në vend që t’ia lehtësonte punën, ajo thotë se inteligjenca artificiale ia shtoi përgjegjësitë.
“Duhej të redaktonim më shumë dhe të verifikonim vazhdimisht faktet, sepse informacioni që prodhonte inteligjenca artificiale shpesh ishte i pasaktë. Në të vërtetë, kjo nënkuptonte më shumë punë për ne”, thotë ajo.
такође
Трка за спасавање историјског блага Газе од израелских бомби
Ashtu si Lisa, edhe Mary u pushua më vonë nga puna.
Ekspertët thonë se kompanitë po përballen me presion të madh për ta përdorur inteligjencën artificiale, me synimin për t’i ulur kostot dhe për ta rritur produktivitetin.
“Teleperformance”, operatori më i madh në botë i qendrave telefonike dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj privatë në Filipine, ka deklaruar se inteligjenca artificiale duhet të shërbejë për të mbështetur punonjësit, e jo për t’i zëvendësuar ata.
Sipas kompanisë, inteligjenca artificiale do të merret me detyrat rutinë, ndërsa punonjësit do të angazhohen në role më komplekse. “Teleperformance” ka bërë të ditur gjithashtu se planifikon të rikualifikojë stafin e saj.
Edhe “Accenture” ka deklaruar se inteligjenca artificiale gjeneruese do të ndryshojë pothuajse çdo profesion, por nuk do të eliminojë domosdoshmërisht vendet e punës. Kompania ka premtuar të investojë miliarda dollarë në zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale dhe në trajnimin e punonjësve.
“Concentrix”, kompania më e madhe në Filipine që ofron shërbime biznesi për kompani të huaja, thekson se sistemet e inteligjencës artificiale duhet të mbeten nën mbikëqyrjen e njerëzve dhe është angazhuar për trajnimet e punonjësve në përdorimin e teknologjive të reja.
Sipas Paul Quintos, studiues në Universitetin e Filipineve në Diliman, disa drejtues kompanish në Filipine janë të rezervuar ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale dhe dëshirojnë që zbatimi i saj të ecë më ngadalë.
Ata shqetësohen për numrin e madh të punonjësve që mund të humbin vendet e punës.
“Por ekziston një presion shumë i madh nga klientët e huaj për ta përfshirë inteligjencën artificiale në proceset e punës. Për ta, kjo është një mënyrë e rëndësishme për t’i ulur kostot”, thotë ai.
Kompanitë filipinase që ofrojnë shërbime për kompani të huaja konkurrojnë drejtpërdrejt me kompani rivale në Indi dhe vende të tjera për të siguruar kontrata nga korporatat shumëkombëshe.
Gjithnjë e më shumë, këta klientë presin që partnerët e tyre të mos ofrojnë vetëm fuqi punëtore me kosto më të ulët, por edhe të integrojnë inteligjencën artificiale në shërbimet që ofrojnë.
Megjithëse në mbarë botën janë investuar qindra miliarda dollarë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, Quintos thotë se ende ka pak prova të qarta se sa e rrit produktivitetin kjo teknologji në shumë vende pune.
“Ekziston edhe një term që quhet ‘AI washing’” shprehet ai.
Sipas tij, disa kompani pretendojnë se pushimet nga puna janë pasojë e përdorimit të inteligjencës artificiale, kur në fakt ato lidhen me rënien e kërkesës në treg ose me ngadalësimin e ekonomisë.
Ai shton se fajësimi i inteligjencës artificiale për largimet nga puna e bën ristrukturimin e kompanive të duket si një hap drejt përparimit teknologjik, në vend që të shihet si reagim ndaj kushteve ekonomike.
Tranzicioni i radhës
Organizatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve i kanë thënë BBC-së se ligjet aktuale të punës në Filipine rregullojnë procedurat e pushimit nga puna, por ofrojnë pak udhëzime se si kompanitë duhet ta fusin inteligjencën artificiale në vendet e punës ose si duhet të konsultohen me punonjësit për përdorimin e saj.
Për më tepër, sektori i ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja në Filipine nuk ka sindikata, gjë që u lë shumë punonjësve pak mundësi për të ndikuar në mënyrën se si zbatohen teknologjitë e reja.
Qeveria filipinase pranon se, së bashku me sektorin privat, ka përgjegjësi për rikualifikimin e punonjësve dhe paralajmëron se vendi rrezikon të mbetet pas konkurrentëve si India dhe Singapori.
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, mendoj se jemi disi prapa. Duhet të ecim më shpejt për t’i kapur të tjerët”, thotë Leandro Aguirre nga Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e Filipineve.
“Duhet t’i dyfishojmë përpjekjet tona për t’i përgatitur njerëzit, në mënyrë që ata të mos zëvendësohen nga teknologjia, por të përfitojnë dhe të kenë sukses në këtë garë të re të inteligjencës artificiale”.
Qeveria është zotuar të ofrojë programe rikualifikimi për më shumë se 300 mijë punonjës të këtij sektori. Megjithatë, Aguirre pranon se Filipinet mund të kenë nevojë të rishikojnë modelin ekonomik që i shndërroi në një qendër të rëndësishme të ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja.
“Ne jemi mbështetur shumë te investimet e huaja direkte. Por mendoj se duhet të përqendrohemi më shumë edhe te talenti vendas dhe te kompanitë vendore”, thotë ai.
Sipas Aguirres, synimi është krijimi i kompanive filipinase që zhvillojnë inteligjencë artificiale dhe që mund të krijojnë vende pune me vlerë më të lartë.
Ai kundërshton kërkesat për miratimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës për inteligjencën artificiale, duke argumentuar se ligjet ekzistuese për punën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen e konsumatorit mund të përshtaten më shpejt përmes rregulloreve dhe udhëzimeve të reja.
“Përfitimet e inteligjencës artificiale duhet të arrijnë te njerëzit. Nuk duhet të përfitojnë vetëm punëdhënësit”, thekson ai.
такође
Свет у Трамповим рукама
Për më shumë se dy dekada, Filipinet ndërtuan një nga industritë më të suksesshme në botë të ofrimit të shërbimeve për kompani të huaja, duke u mbështetur te aftësitë dhe profesionalizmi i qytetarëve të tyre.
Inteligjenca artificiale mund të mos i japë fund këtij modeli ekonomik, por po e ndryshon atë me shpejtësi dhe ka rrezik që një pjesë e punonjësve të mbetet pas në këtë transformim.