КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Амерички адвокат у центру неких од највећих правних битака

Роб Бонта

Në vitin 2022, Bonta u zgjodh për një mandat të plotë si Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë. Dhe ditën kur mikja e tij Harris humbi zgjedhjet presidenciale, pjesa tjetër e mandatit të tij u bë e qartë: ai do të ishte, siç shkroi një nga gazetarët kryesorë të shtetit, “fytyra e rezistencës ligjore të Kalifornisë” ndaj presidentit Donald Trump.

Si prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta përfaqëson teknikisht interesat e vetëm një shteti. Por gjatë vitit të fundit, profili i tij është rritur ndjeshëm, ndërsa ai udhëheq disa nga betejat më të mëdha ligjore të botës së biznesit, me potencialin për të ndryshuar mënyrën se si njerëzit në të gjithë vendin konsumojnë informacionin, lajmet dhe argëtimin.

Muajin e kaluar, Bonta ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje historike prej 18 miliardë dollarësh me “Meta”, duke udhëhequr dhjetëra prokurorë të përgjithshëm shtetërorë në një proces gjyqësor ku pretendohej se platformat e gjigantit teknologjik kishin dëmtuar shëndetin mendor të të rinjve.
Tani, ai po kërkon ndryshime më të gjera në industrinë e rrjeteve sociale, duke paralajmëruar TikTok-un dhe YouTube-in e Google se edhe ndaj tyre mund të veprojë një koalicion shtetesh, nëse nuk bien dakord për përditësime të masave të sigurisë.

Në të njëjtën kohë, Bonta po udhëheq përpjekjet për të ndaluar Paramount-in të blejë Warner Bros.Discovery, një bashkim që synon të riformësojë Hollivudin dhe biznesin e lajmeve televizive. 
Duke u përballur me kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe Hollivudin, Bonta ka sfiduar industritë më të rëndësishme të Kalifornisë dhe drejtuesit më të fuqishëm të korporatave, disa prej të cilëve kanë kërkuar mbështetje nga administrata Trump.

Por për Bontan, këto çështje kanë nxjerrë në pah punën e përditshme të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Kalifornisë, e cila ka më shumë se 5,000 punonjës.

Kryeprokurori i Kalifornisë, i cili ka thënë se karriera e tij është frymëzuar nga heroi imagjinar i drejtësisë Atticus Finch, ka një histori përballjesh të vështira. Kjo përfshin 87 padi kundër administratës Trump, të cilat, sipas zyrës së Bontës, kanë mbrojtur më shumë se 200 miliardë dollarë në fonde të shtetit.

Vështirë se kalon një ditë pa një ose dy njoftime nga zyra e Bontës. Një ditë muajin e kaluar, njoftimi kishte të bënte me arrestime për trafikim njerëzor. Të nesërmen, me mbrojtjen e tokave publike. Ditën pas saj, me kundërshtimin e një rregulli federal që kufizon votimin me postë.

“Si Departamenti i Drejtësisë i shtetit më të madh në vend, ne kemi një mundësi unike për të mbuluar një gamë të gjerë çështjesh”, tha Bonta në një deklaratë për CNN. “Qoftë siguria publike, mjedisi, kujdesi riprodhues, strehimi dhe ligjet antitrust, apo qoftë përballja me rritjen e kostos së jetesës dhe mbrojtja e demokracisë dhe të drejtës themelore për të votuar, ne po trajtojmë çështje që kanë ndikim thelbësor në mënyrën se si kalifornianët jetojnë jetën e tyre”, shtoi ai.

Bonta do të kërkojë rizgjedhjen këtë vjeshtë, por puna e tij si prokuror i përgjithshëm mund të shërbejë gjithashtu si trampolinë drejt një posti më të lartë. Disa prokurorë të përgjithshëm të Kalifornisë kanë vazhduar më pas karrierën si guvernatorë. Për Kamala Harris, kjo detyrë ishte pjesë e rrugës që e çoi drejt postit të zëvendëspresidentes së Shteteve të Bashkuara.

Bonta e ka shqyrtuar vazhdimisht mundësinë për të kandiduar vetë për guvernator të Kalifornisë, por hoqi dorë nga gara për shkak të numrit të madh të kandidatëve këtë vit. Çështjet e tij të bujshme kundër Trumpit dhe kompanive të mëdha e kanë bërë atë një të ftuar të rregullt në televizionet kabllore, duke e ekspozuar ndaj votuesve dhe donatorëve të rinj (persona të pasur që japin para për fushata politike ose për politikanë), por gjithashtu duke nxitur kritika se ai motivohet nga politika dhe publiciteti.

“Në fund të fundit, vendimi për të ndërmarrë një veprim ligjor është politik dhe prokurori i përgjithshëm po përpiqet t’u sinjalizojë votuesve se i dëgjon ata dhe përfaqëson interesat e tyre”, tha Eric Goldman, profesor i drejtësisë në Shkollën Juridike të Universitetit Santa Clara.

Një yll në ngritje në politikën e Kalifornisë

Bonta, 53 vjeç, lindi në Filipine nga prindër misionarë të krishterë dhe emigroi në Kaliforni kur ishte foshnjë. Prindërit e tij punuan për lëvizjen sindikaliste “United Farm Workers” kur Bonta ishte fëmijë.
Bonta mbaroi shkollën e mesme si nxënësi me rezultatet më të larta, përpara se të merrte diplomën universitare dhe atë të drejtësisë në Universitetin Yale, ku luajti edhe në ekipin e futbollit.

Përpara emërimit si prokuror i përgjithshëm në vitin 2021, ai ishte anëtar i Asamblesë së Kalifornisë dhe zëvendësprokuror i qytetit në San Francisko. Gjatë kohës në Asamblenë e Kalifornisë, Bonta punoi për reformimin e sistemit të garancisë së lirimit nga burgu, një nismë politikisht e rrezikshme për shkak të mungesës së interesit nga donatorët e pasur dhe kundërshtimit të fortë nga industria e garancive të lirimit.

“Ai nuk u tërhoq”, kujtoi Robert Hertzberg, i cili ishte lider i shumicës në Senatin e Shtetit të Kalifornisë nga viti 2019 deri në 2022 dhe punoi me Bontën për këtë legjislacion.

Në vitin 2022, Bonta u zgjodh për një mandat të plotë si Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë. Dhe ditën kur mikja e tij Harris humbi zgjedhjet presidenciale, pjesa tjetër e mandatit të tij u bë e qartë: ai do të ishte, siç shkroi një nga gazetarët kryesorë të shtetit, “fytyra e rezistencës ligjore të Kalifornisë” ndaj presidentit Donald Trump.

Një ditë pasi u shpall fitorja e Trumpit në zgjedhjet e vitit 2024, Bonta mbajti një konferencë për shtyp përpara urës Golden Gate dhe tha: “Mund të jeni të sigurt se, si Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë, nëse Trumpi sulmon të drejtat tuaja, unë do të jem aty. Nëse Trumpi sulmon liritë tuaja, unë do të jem aty”. 

Në ditën e parë të plotë të Trumpit në detyrë, në janar 2025, Bonta dhe prokurorë të tjerë të përgjithshëm demokratë të shteteve, ngritën padi kundër urdhrit ekzekutiv të Trumpit që synonte t’i jepte fund shtetësisë automatike për personat e lindur në SHBA. Gjykata Supreme e rrëzoi urdhrin e Trumpit në qershor 2026.

Marrëveshja me “Metan”

Rreth 10 ditë pas nisjes së gjyqit mes “Metas” dhe katër shteteve, përfshirë Kaliforninë, dhe pak para se drejtuesi i Instagramit, Adam Mosseri, të rikthehej në dëshmitar, kompania pranoi marrëveshjen.
Marrëveshja, të cilën Bonta e quajti “transformuese”, përfshin ndryshime të gjera në masat mbrojtëse për adoleshentët në platformat e “Metas”.

“Meta po gënjente prindërit, nuk po u jepte prindërve informacionin që u nevojitej për të ndërmarrë hapa për të mbrojtur fëmijët e tyre dhe ne kemi nxjerrë në dritë të vërtetën”, tha Bonta për CNN.

“Meta” nuk pranoi fajësi si pjesë e marrëveshjes dhe 18 miliardë dollarët janë vetëm një pjesë e vogël e 200 miliardë dollarëve që kompania fitoi vitin e kaluar. Megjithatë, marrëveshja mund të çojë në ndryshime më të gjera në industri, pasi “Meta” tha se do të paguajë vetëm 70% të kësaj shume nëse TikTok dhe YouTube bien dakord për ndryshime të ngjashme.

Disa e shohin këtë element të pazakontë të marrëveshjes si një sukses të madh për 
“Metan”.

“’Meta’ ka vendosur 5 miliardë dollarë për të nxitur disa nga autoritetet më të fuqishme të zbatimit të ligjit në vendin tonë që të bëjnë punën e saj të pistë”, tha Goldman, “në mënyrë që rivalët e ‘Metas’ të bëjnë ndryshime dhe kompania të mos mbetet në disavantazh konkurrues”.

Siguria e fëmijëve në rrjetet sociale nuk është e vetmja betejë e Bontës kundër industrisë së teknologjisë. Zyra e tij ka në proces gjyqësor çështje kundër gjashtë kompanive teknologjike, përfshirë veprime antimonopol kundër “Apple” dhe “Live Nation”.

Në fillim të këtij viti, ai njoftoi një hetim ndaj kompanisë “xAI” të Elon Musk, lidhur me akuzat se chatbot-i i saj “Grok” po krijonte imazhe eksplicite dhe pa pëlqim të grave dhe fëmijëve.
Bonta ka mbështetur gjithashtu legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve nga chatbot-ët e inteligjencës artificiale që shërbejnë si shoqërues virtualë.

Përballja me “Paramountin”

Çështja e 12 shteteve që kërkojnë bllokimin e bashkimit mes “Paramount” dhe “Warner Bros.Discovery”, pritet të shkojë në gjyq në mars.

Bonta është bërë fytyra e kësaj çështjeje, pjesërisht sepse Kalifornia është shtet më i madh dhe shtëpia e “Paramountit”, por edhe sepse Bonta ka kërkuar vetë vëmendjen përmes intervistave të shpeshta dhe postimeve në rrjetet sociale.

Zyra e tij kaloi muaj duke shqyrtuar bashkimin, duke përçarë Hollivudin gjatë këtij procesi.

Aleatët e “Paramountit” e kanë akuzuar Bontën se po dëmton industrinë dhe po luan politikisht duke bllokuar një bashkim gjigant mediatik që qeveria federale e ka miratuar tashmë. Por ekipi i Bontës është i palëkundur në qëndrimin se qeveria e Trumpit është e korruptuar dhe neglizhente, duke favorizuar miqtë e presidentit në dëm të publikut të gjerë.

Bonta i tha CNN-it se zyra e tij po plotëson boshllëqet e lëna nga qeveria federale. 

“Veçanërisht në një kohë kur një administratë federale nuk po kryen punën kritike që administratat federale tradicionalisht kanë bërë, si zbatimi i ligjeve për të drejtat civile, mbrojtjen e konsumatorëve ose ligjeve antimonopol, besoj se u takon shteteve si Kalifornia të ndërhyjnë dhe të bëjnë më shumë”.
Drejtuesit e “Paramountit” argumentojnë se marrëveshja me ‘WBD-në” është në favor të konkurrencës dhe se padia e shteteve është e destinuar të dështojë në gjykatë.

Por padia ka bllokuar “Paramountin” dhe “WBD-në”, duke bërë që “Paramount” të deklarojë publikisht mundësinë e largimit nga Kalifornia. Bonta e ka quajtur këtë kërcënim “shantazh”, por drejtues të tjerë politikë në Kaliforni kanë shprehur shqetësim për këtë mundësi.

Një zëdhënës i “Paramountit” nuk pranoi të komentonte për Bontën për këtë artikull.

Bonta ka thënë gjithashtu se preferon t’i zgjidhë çështjet në tryezën e negociatave dhe jo në gjykatë. Por muajin që shkoi ai ndërpreu negociatat mes palëve. Ai akuzoi “Paramountin” se kishte nxjerrë në media detaje të një takimi dhe se po “luante lojëra”, gjë që kompania e mohoi.

Ndërsa marrëveshja gjithëpërfshirëse me “Metan” tregon gatishmërinë e Bontës për të arritur marrëveshje, ai i tha Politicos se çështja e “Paramountit” është ndryshe.

“Ka një dallim: ‘Meta’ gjithmonë do të qëndronte këtu, nuk e kërcënoi kurrë largimin”, tha ai. 
“’Paramount’ mund të bëjë të njëjtën gjë....Ata duket se duan të shantazhojnë dhe kërcënojnë”.

Megjithatë, bisedimet për një marrëveshje pritet të zhvillohen gjatë javëve të ardhshme. Por ndërsa “Paramount” dhe “WBD-ja” shpresojnë për një zgjidhje të shpejtë të një përplasjeje që po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme, përballë tyre kanë një kundërshtar që, siç tregon historia, nuk ka gjasa të tërhiqet.