КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Олуја погодила Француску, најмање четири особе погинуле

Francuska

Të paktën katër persona kanë humbur jetën në Francë dhe një tjetër është lënduar nga përmbytjet e shkaktuara nga stuhia Adam.

Stuhia ka shkaktuar përmbytje të mëdha në jug të Francës të martën, duke mbuluar rrugët me ujë dhe duke ndërprerë transportin.

Mes viktimave janë dy gra, përkatësisht 86 dhe 26 vjeçe, të cilat u gjetën të mbytura në një bodrum në rajonin Bouches-du-Rhône.

Moti i keq ka goditur edhe Korsikën. Mediat lokale raportuan se të martën një automjet është marrë nga rrjedha e ujërave të përmbytjes. Njëri prej personave që ndodheshin brenda kishte arritur të shpëtonte duke dalë nga dritarja, ndërsa një tjetër është gjetur i vdekur. Autoritetet nuk kanë publikuar ende hollësi të tjera për viktimën e katërt.

Në qytetet Mouriès dhe Saint-Martin-de-Crau, mes Montpellier dhe Marsejës, dhjetëra banorë janë strehuar në qendra emergjente pasi zonat u përmbytën. Zyrtarët njoftuan se një person ishte lënduar në atë zonë.

Edhe rrugët dhe linjat hekurudhore në rajon janë përballur me ndërprerje, ka shkruar në një postim në platformën X ministri i Transportit, Philippe Tabarot.

Në Francë parashikohet mot edhe më i keq. Stuhia Austen, një sistem i ri atmosferik që po lëviz nga Atlantiku, pritet të mbërrijë në veriperëndim të vendit.

Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, ka lëshuar alarm portokalli për erëra të forta në pesë departamente perëndimore, nga mbrëmja e së enjtes deri të premten.

Alarmi përfshin Côtes-d'Armor, Finistère, Morbihan, Ille-et-Vilaine dhe Manche.