КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Клинике за вантелесну оплодњу на Северном Кипру оптужене за обмањивање британских родитеља у вези са донорима

Клинике за вантелесну оплодњу на Северном Кипру оптужене за обмањивање британских родитеља у вези са донорима

Të paktën 30 fëmijë, shumica britanikë, dyshohet se janë ngjizur përmes trajtimeve IVF në Qipron Veriore me spermë ose vezë nga donatorë të ndryshëm nga ata të përzgjedhur nga prindërit. Një hulumtim i BBC-së ka ngritur dyshime për neglizhencë ose mashtrim dhe ka zbuluar se një klinikë ishte vendosur në listën e zezë nga banka më e madhe e dhuruesve të spermës në botë.

Të paktën 30 fëmijë, shumica prej tyre britanikë, dyshohet se janë ngjizur përmes trajtimeve IVF në Qipron Veriore, ku dyshohet se janë përdorur spermatozoide ose vezë nga donatorë të gabuar.

Në secilin rast, prindërit dyshojnë se klinikat nuk kanë përdorur donatorët që ata kishin përzgjedhur.

Kjo është një nga gjetjet e reja të një hulumtimi të BBC-së, i cili në fillim të këtij viti zbuloi shtatë rastet e para.

Të gjithë prindërit thonë se i kishin përzgjedhur me kujdes donatorët anonimë, duke u bazuar në të dhëna si historia mjekësore, pamja fizike, personaliteti, arsimi dhe interesat e tyre.

Megjithatë, ata kanë nisur të dyshojnë se spermatozoidet ose vezët e donatorëve që kishin kërkuar nuk janë përdorur në trajtimet e tyre të fertilitetit.

Gjysma e 30 fëmijëve kanë lindur pas procedurave të kryera në klinikën “Dogus IVF Centre”.

“Është absolutisht skandaloze”, tha Rachel, njëra prej nënave, e cila së fundmi mësoi se klinika i kishte përdorur spermatozoidet e një donatori tjetër nga ai që kishte zgjedhur.

Tre persona – Dr Firdevs Uguz Tip, Dr Sevket Alpturk dhe koordinatorja e pacientëve Julie Hodson – kanë qenë të përfshirë në trajtimin e shumë prej këtyre pacientëve në klinikën “Dogus”.

Prindërit dyshojnë se këta persona mund t’i kenë mashtruar ose keqinformuar. Firdevs i mohon të gjitha akuzat për shkelje, ndërsa Alpturk dhe Hodson nuk u janë përgjigjur pyetjeve të BBC-së.

BBC ka mësuar gjithashtu se banka më e madhe e dhuruesve të spermës në botë, “Cryos International”, e ka vendosur klinikën “Dogus” në listën e zezë që prej vitit 2016.

Në Qipron Veriore - një territor ku ligjet e Bashkimit Evropian nuk zbatohen dhe që njihet ligjërisht vetëm nga Turqia - klinikat e fertilitetit janë pak të rregulluara. Ato u ofrojnë pacientëve çmime më të ulëta, norma të larta suksesi dhe një përzgjedhje të gjerë të donatorëve të spermës dhe vezëve.

Territori i kontrolluar nga Turqia është një nga destinacionet më të njohura për britanikët që kërkojnë trajtime të fertilitetit jashtë vendit.

Në mars, BBC zbuloi për herë të parë këtë skandal në zhvillim, pasi një grup i vogël prindërish ngritën dyshime se ishin keqinformuar për identitetin e donatorëve.

Në përgjigje të akuzave, Ministria e Shëndetësisë e territorit tha se kishte nisur një hetim zyrtar. Megjithatë, ajo nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të BBC-së për informacion mbi ecurinë e hetimit.

Që atëherë, më shumë prindër kanë kontaktuar BBC-në dhe historitë e tyre kanë ngjashmëri shqetësuese.

Shumica thanë se klinikat ku ishin trajtuar u kishin premtuar donatorë të shëndetshëm dhe të kontrolluar nga Evropa Perëndimore, por nisën të dyshonin pasi fëmijët e tyre lindën.

Nga 30 fëmijët, 11 kanë kryer tashmë teste komerciale të ADN-së, të cilat tregojnë se ata kanë trashëguar prejardhje gjenetike nga Turqia ose vendet përreth.

Kjo ngre dyshime se donatorët e përzgjedhur nga prindërit nuk janë përdorur.

Shumica e fëmijëve që kanë kryer testet e ADN-së janë ngjizur përmes IVF-së, në periudhën 2012–2024, në klinikën “Dogus”.

Familjet tani kanë mbetur me shumë pikëpyetje, veçanërisht për identitetin e vërtetë të donatorëve biologjikë të fëmijëve të tyre dhe historinë e tyre mjekësore.

“Këto raportime janë thellësisht shqetësuese”, tha Laura Bridgens, themeluese e organizatës “Donor Conceived UK”. “Është një e drejtë themelore e njeriut që një person i lindur përmes dhurimit të spermës ose vezës të dijë të vërtetën për origjinën e tij”.

Në ditët e fundit, edhe Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe ka përditësuar këshillat e saj, duke paralajmëruar se trajtimet e fertilitetit në Qipron Veriore “bartin rreziqe” për shkak të mungesës së rregullimit. Ministria u bën thirrje personave që kërkojnë trajtime IVF në këtë territor të bëjnë kërkime të hollësishme paraprake.

Donatori i gabuar i spermës

Rachel thotë se për vite me radhë ka dyshuar se gjatë trajtimit në “Dogus IVF Centre” i është përdorur sperma e një donatori të gabuar.

Pas publikimit të artikullit të parë të BBC-së, ajo dhe djali i saj 13-vjeçar, Jonah, i cili ka lindur përmes dhurimit të spermës, vendosën të kryenin teste të ADN-së. Rezultatet treguan se dyshimet e saj mund të ishin të bazuara.

“Mendoja se klinika kishte bërë një gabim të vetëm”, tha ajo. Por pasi BBC informoi për familjet e tjera që kishin dalë me pretendime të ngjashme, ajo tha: “Tani duket sikur kjo është diçka shumë më e madhe dhe më mashtruese”.

Rachel zgjodhi klinikën “Dogus” në vitin 2012 për shkak të një koordinatoreje të pacientëve, Julie Hodson, të cilën e përshkruan si “të sjellshme dhe miqësore”. Roli i Hodson ishte të koordinonte komunikimin mes Rachel dhe Dr Firdevs Uguz Tip, e njohur profesionalisht si Dr Firdevs, e cila po kryente trajtimin e saj.

Rachel, e cila në atë kohë ishte 39 vjeçe, kishte nevojë për një donator sperme që vezët e saj të fekondoheshin në laborator. Më pas, embrioni do të vendosej në mitrën e saj.

Paketa e trajtimit IVF kushtonte rreth 4.000 euro, afërsisht 3,200 paund në atë kohë, një çmim dukshëm më i ulët se trajtimet e ngjashme në Britani. Paketa përfshinte edhe spermë nga banka më e madhe e spermës në botë, “Cryos International”, me seli në Danimarkë.

Rachel zgjodhi në faqen e “Cryos” një donator anonim danez. Në profilin e tij, ai njihej me emrin “Ditto” (jo emri i tij i vërtetë) dhe kishte deklaruar se do të ishte i gatshëm që fëmijët e tij biologjikë të mund ta zbulonin identitetin e tij pasi të mbushnin 18 vjeç.

“Doja që fëmija im të kishte mundësinë të kontaktonte me donatorin”, tha Rachel. “Për një fëmijë që përpiqet të kuptojë se kush është dhe nga vjen, kjo mund të jetë shumë e rëndësishme.”

Disa koordinatore të pacientëve në klinikën IVF, përfshirë Hodson, i thanë Rachel se Dr Firdevs do të kujdesej për porositjen e spermës nga donatori.

Rachel udhëtoi drejt Qipros Veriore për trajtimin e fertilitetit dhe pak kohë më pas mbeti shtatzënë.

Ajo thotë se dyshimet e para se Ditto nuk ishte donatori i saj lindën kur koordinatorët e pacientëve, përfshirë Hodson, refuzuan vazhdimisht t’i dërgonin një raport mjekësor që konfirmonte se ishte përdorur sperma e tij.

Kur lindi, edhe pamja fizike e Jonah ngriti pikëpyetje. Ai ndryshonte shumë si nga Rachel, ashtu edhe nga përshkrimi fizik i donatorit në profilin e Dittos.

Tani, pas 13 vjetësh pasigurie, testet e ADN-së të Rachel dhe Jonah tregojnë se ai është djali i saj biologjik, por se Ditto nuk ishte donatori i spermës.

Pasi pa rezultatet e testeve të ADN-së, BBC News kontaktoi “Cryos”. Nga aty thanë se nuk kishte asnjë të dhënë se i kishin dërguar ndonjëherë spermë klinikës “Dogus”. Kjo ndodh pavarësisht se “Dogus” e kishte reklamuar për shumë vite bashkëpunimin me bankën e spermës si një nga avantazhet kryesore të saj.

Kjo i forcon më tej dyshimet e disa familjeve se ato janë mashtruar lidhur me identitetin e vërtetë të donatorëve të spermës të përdorur në trajtimet e tyre.

Dhe numri i rasteve mund të jetë edhe më i madh.

Rachel thotë se ajo që është zbuluar nuk ndryshon aspak dashurinë që ka për Jonah. Por ajo që e shqetëson më shumë është mundësia që Jonah të ketë humbur të drejtën për të kontaktuar në të ardhmen me babanë e tij biologjik.

Ajo gjithashtu nuk e di nëse sperma e donatorit të vërtetë të Jonah është përdorur në trajtime të tjera IVF. “Nuk do të habitesha nëse atje do të kishte vëllezër ose motra të tij biologjike”, shton ajo.

Neglizhencë apo mashtrim?

Kur BBC ua prezantoi gjetjet e hulumtimit të fundit një grupi ekspertësh të fertilitetit, ata u shprehën të tronditur nga fakti se 30 fëmijë mund të jenë prekur nga kjo situatë.

Ekspertët thanë se përdorimi aksidental i spermës së një donatori të gabuar gjatë një procedure IVF është jashtëzakonisht i rrallë. Sipas tyre, fakti që një gabim i kësaj përmase mund të ketë ndodhur në raste të shumta ngre dyshime për “neglizhencë” ose “mashtrim”.

Sipas “British Fertility Society”, kjo tregon për një “problem sistematik që shkon përtej një mjeku të vetëm dhe një klinike të vetme”.

Nga 15 rastet e lidhura me klinikën ‘Dogus”, tre anëtarë të stafit janë përfshirë vazhdimisht.

Dr Sevket Alpturk është pronari dhe “menaxheri përgjegjës” i klinikës. Sipas autoriteteve të Qipros Veriore, ai ka përgjegjësinë për miratimin përfundimtar të të gjitha procedurave dhe aktiviteteve të klinikës.

Ai ka trajtuar prindërit e gjashtë fëmijëve në “Dogus”, të cilët i kanë thënë BBC-së se dyshojnë se gjatë procedurave mund t’u jenë përdorur vezë ose spermë nga donatorë të gabuar.

BBC ia ka parashtruar këto akuza Alpturk, por ai nuk është përgjigjur në pyetje.

Nëntë fëmijët e tjerë të lidhur me klinikën “Dogus” janë trajtuar nga Firdevs. Megjithatë, ajo thotë se Alpturk ishte përgjegjës për miratimin përfundimtar të procedurave në klinikë dhe mohon se ka keqinformuar ndonjëherë pacientët.

Firdevs ka qenë gjithashtu mjeke në nëntë raste të tjera të ngjashme në dy klinika të tjera, pasi u largua nga “Dogus” në vitin 2015.

Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në “Miracle IVF”, klinikë të cilën ajo aktualisht e drejton. Ajo këmbëngul se klinika ka respektuar gjithmonë ligjin. Firdevs thotë gjithashtu se pacientët e saj nënshkruajnë formularë pëlqimi ku shpjegohet mënyra se si përzgjidhen donatorët. Megjithatë, shumë prej prindërve me të cilët ka folur BBC thonë se nuk janë informuar siç duhet.

Personi i tretë i lidhur me shumë prej rasteve në “Dogus” është Julie Hodson, e cila ishte kontakti kryesor për shumicën e pacientëve britanikë.

Në email-et që u dërgonte pacientëve, ajo thoshte rregullisht se Firdevs do të porosiste në emër të tyre spermën nga banka “Cryos”.

Megjithatë, Firdevs i ka thënë BBC-së se porositja e spermës nuk ishte pjesë e detyrave të saj dhe se nuk e dinte që pacientëve u ishte thënë e kundërta.

BBC e ka pyetur Hodson nëse ajo kishte dështuar qëllimisht të bënte porositë pranë ‘Cryos”, ose nëse nuk ua kishte përcjellë kërkesat e pacientëve stafit të “Dogus”. Ajo nuk është përgjigjur në asnjë prej përpjekjeve për ta kontaktuar.

Hodson dhe Firdevs janë akuzuar gjithashtu se kanë minimizuar ose injoruar shqetësimet e pacientëve që i kontaktuan pasi dyshuan për donatorë të gabuar.

Duke reaguar ndaj gjetjeve të BBC-së, drejtori ekzekutiv i “Cryos”, Ole Schou, tha se ishte “i tronditur kur dëgjoi se sa familje mund të jenë prekur”.

Banka e spermës i tha BBC-së se e kishte vendosur klinikën “Dogus” në listën e zezë në vitin 2016, për shkak të shqetësimeve se klinika nuk kishte porositur spermën e “Cryos” për një paciente, pavarësisht se i kishte thënë asaj se do ta bënte këtë.

“Cryos” ka pezulluar gjithashtu bashkëpunimin me Firdevs dhe “Miracle IVF”, deri në përfundimin e hetimit të autoriteteve të Qipros Veriore.

Firdevs thotë se tashmë është shpallur e pafajshme për çdo shkelje të ligjit, por BBC nuk ka mundur ta konfirmojë këtë pretendim me Ministrinë e Shëndetësisë së territorit.

Mund të mos mësojmë kurrë se kush ishte përfundimisht përgjegjës për përdorimin e spermës dhe vezëve nga donatorë të gabuar te këta prindër.

Për pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij, Jonah mendonte se kishte gjysmën e prejardhjes daneze. Por testet e ADN-së kanë zbuluar se ai ka prejardhje gjenetike nga Turqia dhe Evropa Jugore.

“Fatmirësisht, Jonah ishte shumë i interesuar të mësonte për prejardhjen e tij”, tha Rachel. “Megjithatë, ajo që ka ndodhur nuk është në rregull. Është diçka shumë serioze dhe mund të kishte qenë jashtëzakonisht traumatike për të”.