КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

Калас: Русија угрожава животе у Европи хибридним нападима

каиа каллас

Rusia po rrezikon jetët në Evropë përmes sulmeve hibride, përfshirë sabotimet dhe shkeljet e hapësirës ajrore, ka deklaruar shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

Duke folur në Bruksel së bashku me kryeministrin moldav, Vasile Tofan, Kallas tha se në javët e fundit është shënuar rritje e sulmeve hibride dhe përpjekjeve për sabotim që i atribuohen Rusisë, raporton Reuters.

Ajo tha se raketat dhe dronët rusë kanë shkelur sërish hapësirën ajrore të Moldavisë gjatë fundjavës, duke e cilësuar këtë si të papranueshme.

Më 30 shtator, Rusia ndërmori një valë të gjerë sulmesh ajrore ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Sulmet goditën objekte energjetike dhe infrastrukturë në Kiev dhe në rajone të tjera, në një nga sulmet më të mëdha të muajve të fundit ndaj sistemit energjetik ukrainas.

Në të njëjtën ditë, Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë njoftoi se tre dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi javën e kaluar për rritje të sulmeve hibride ruse ndaj Gjermanisë. 

Ai tha se Berlini do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa vendi përgatitet për një dimër që pritet të jetë ndër më të vështirët që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022.

Autoritetet gjermane kanë paralajmëruar vazhdimisht për një fushatë hibride ruse, që sipas tyre përfshin sulme me dronë dhe sulme kibernetike. Berlini e ka akuzuar Moskën edhe për një përpjekje për sulm me dron në aeroportin e Leipzigut në muajin gusht.

Moska i ka mohuar akuzat e qeverive perëndimore dhe shërbimeve të inteligjencës se qëndron pas këtyre sulmeve.