КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
СВЕТ

6 милиона расељених Авганистанаца суочава се са новим животом под владавином талибана

afgan-taleban

Numri i afganëve të detyruar të kthehen vetëm këtë vit nga Pakistani dhe Irani ka arritur tashmë në një milion, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR... Shumë prej të kthyerve nuk kanë shkelur në Afganistan prej dekadash. Shumë prej tyre, si Nazia, nuk kanë qenë kurrë më parë atje.

Të moshuarit shtrembërojnë fytyrën nga dhimbja, duke çaluar me paterica, ndërsa fëmijët me sy të zgurdulluar shikojnë përreth, duke mbajtur në krahë pulat që kanë marrë me vete nga shtëpitë që u detyruan të lënë pas.

“Ndihesh mirë kur je në vendin tënd”, thotë Nazia, 35 vjeçe, vetëm pak minuta pasi kalon nga Pakistani, ku ka lindur, në Afganistan.

Pika kufitare e Torkhamit, e njohur si “Zero Point”, është vendi ku përfundon një jetë e vështirë dhe fillon një tjetër.

“Por unë nuk kam qenë kurrë më parë në Afganistan dhe shumë njerëz këtu nuk kanë as bukë mjaftueshëm për të ngrënë”, psherëtin Nazia, ndërsa me dy nga fëmijët e saj në krah ecën drejt sporteleve të regjistrimit, të zbukuruara me flamuj të bardhë e të zinj të talebanëve.

Pothuajse e gjithë familja e saj, tetë motrat dhe fëmijët e tyre, janë dëbuar këtë vit drejt Afganistanit nga Pakistani ose Irani.

Ata janë pjesë e lëvizjes më të madhe ndërkufitare të njerëzve në botë.

Miliona afganë kanë kaluar kufijtë drejt Pakistanit dhe Iranit për dekada me radhë, duke kërkuar strehim ose punësim, dhe numri i atyre që largohen nga Afganistani ka vazhduar të rritet që nga marrja e pushtetit nga talebanët në gusht të vitit 2021.

Tani, shumica po detyrohen të kthehen, pasi këto dy vende fqinje kanë ashpërsuar masat kundër migrantëve pa dokumente. Nazia dhe familja e saj ishin pa dokumente, por OKB-ja dhe organizatat e të drejtave të njeriut thonë se operacionet e sigurisë po shtrihen shumë përtej këtij grupi, duke përfshirë edhe afganët e regjistruar. Pakistani tani deklaron publikisht se as afganët me karta “Proof of Registration” nuk përjashtohen nga dëbimi. Dhe nuk ka ndonjë shenjë se dëbimet do të ndalen.

Numri i afganëve të detyruar të kthehen vetëm këtë vit nga Pakistani dhe Irani ka arritur tashmë në një milion, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR.

“Në më pak se tre vjet, kemi parë gjashtë milionë njerëz, një popullsi që në vetvete është sa ajo e një vendi të vogël, të kthehen në Afganistan”, vëren Charlie Goodlake, zëdhënës i UNHCR-së në Afganistan.

“Në historinë e kohëve të fundit, nuk kemi parë kurrë një lëvizje kthimi në këtë përmasë”, thekson ai, ndërsa qëndron në vapën përvëluese në një fshat me tenda pranë kufirit.

Është një peizazh i shkretë, me strehimore të ndërtuara prej mbulesave dhe plastikës, shumë prej të cilave tashmë janë grisur dhe dëmtuar. Ato janë ngritur nga OKB-ja dhe organizata të tjera humanitare për t’u ofruar strehim për disa net njerëzve që mbërrijnë e që nuk kanë se ku të shkojnë.

Shumë prej të kthyerve nuk kanë shkelur në Afganistan prej dekadash. Shumë prej tyre, si Nazia, nuk kanë qenë kurrë më parë atje.

“U largova 45 vjet më parë, gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit, dhe shumica e vëllezërve të mi kanë lindur në Pakistan”, shpjegon Sarwari, i cili mbërriti disa ditë më parë së bashku me shtatë vëllezërit dhe familjet e tyre, në një kolonë prej 40 personash dhe me rrëmujën e sendeve të tyre të pakta, të ngarkuara në një kamion të vjetër pakistanez.

“Qëndruam atje për një kohë të gjatë, ndaj sigurisht që më theu zemrën kur na dëbuan nga shtëpia jonë”, thotë ai.

“Por, pavarësisht gjithë asaj dhimbjeje, jam edhe i lumtur sepse më në fund jam i lirë nga ngacmimet e policisë pakistaneze”, shton ai.

Çdo familje me të cilën ekipi i BBC-së ka folur, ka treguar se ka përjetuar paragjykime dhe ngacmime nga autoritetet në Pakistan.

Qeveria pakistaneze nuk u është përgjigjur pyetjeve të BBC-së, por një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka theksuar se “Qeveria e Pakistanit merr masat e nevojshme për të parandaluar çdo rast ngacmimi apo keqtrajtimi të shtetasve afganë në Pakistan. Nëse kanë ndodhur incidente të tilla, ato janë sporadike dhe trajtohen plotësisht në përputhje me ligjin”.

Akuzat për rrezik dhe barrë

Si Pakistani, ashtu edhe Irani thonë se ka ardhur koha që afganët të kthehen në shtëpi, duke akuzuar disa prej tyre se përbëjnë rrezik për sigurinë, ndërsa të tjerë se janë barrë financiare.

Dëbimet nga Pakistani dhe abuzimet e pretenduara u përshkallëzuan pas një rritjeje të madhe të luftimeve mes Pakistanit dhe Afganistanit tetorin e kaluar. Në shkurt, “Human Rights Watch” theksoi “bastisjet derë më derë, kontrollet e shtëpive gjatë natës dhe arrestimet pa urdhër”.

Në Iran, i cili vitin e kaluar deklaronte se strehonte më shumë se katër milionë afganë pa dokumente, dëbimet masive u përshpejtuan pas luftës 12-ditore me Izraelin dhe SHBA-në në qershor 2025.

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran, me bazë në Nju Jork, akuzoi autoritetet se po përdornin klimën pas luftës për të “ngjallur dyshime ndaj migrantëve afganë – duke i akuzuar për spiunazh dhe duke i etiketuar si spiunë të mundshëm të Izraelit”.

Agjencia e OKB-së për refugjatët vazhdon të theksojë parimin humanitar se çdo kthim duhet të jetë “vullnetar, i sigurt dhe dinjitoz”.

Por në Torkham, kunata e Sarwarit, Zarina, vajton për të ardhmen e pasigurt që i pret.

“Nuk kemi burime për të nisur një biznes apo për të siguruar jetesën dhe nuk kemi as një tendë ku të jetojmë”, thotë ajo.

Gratë e cenuara

Brenda tendës së transitit, e cila ofron pak mbrojtje nga temperatura përvëluese prej 41 gradësh celsius, Zarina ulet pranë një grupi grash dhe fëmijësh të shqetësuar.

A janë të shqetësuar për të ardhmen e grave dhe vajzave në një vend ku talebanët i kanë ndaluar gratë nga pjesa më e madhe e jetës publike, përfshirë arsimin e mesëm dhe universitetin?

Zarina, 40 vjeçe, kthehet dhe bën një shenjë me krah: “Shikojini, të gjitha janë vajza. Sigurisht që jam e shqetësuar”, thotë ajo.

Disa të kthyer nuk janë vetëm të shqetësuar, ata janë të tmerruar.

“Unë nuk dal nga kjo shtëpi”, thotë me ankth një ish-punonjës i forcave afgane të sigurisë, i dëbuar fillimisht nga Irani dhe më pas nga Pakistani, kur ekipi i BBC-së e takon larg kufirit, në një shtëpi ku shpreson të jetë i sigurt.

“Ne të gjithë jetojmë me frikë, përfshirë gruan dhe fëmijët e mi, të cilët gjithashtu kanë frikë të dalin jashtë”, shton.

Ai nuk i beson amnistisë së qeverisë talebane, e shpallur disa ditë pasi talebanët u kthyen në pushtet, e cila deklaronte se ish-zyrtarët e qeverisë, pjesëtarët e forcave të sigurisë dhe nëpunësit civilë nuk do të përballeshin me hakmarrje dhe inkurajoheshin të ktheheshin në punë.

“Nuk kam besim te amnistia e tyre, sepse shumë nga kolegët e mi janë vrarë”, thotë ai.

Ai shton se rasti i tij ishte regjistruar nga OKB-ja, por u dëbua përpara se të mund të transferohej në një vend më të sigurt.

Vështirësitë financiare e thellojnë dhimbjen. Shkurtimet e mëdha të ndihmave të huaja në mbarë botën janë veçanërisht të rënda për Afganistanin, ku talebanët vazhdojnë të jenë nën sanksione të lidhura me terrorizmin dhe të drejtat e njeriut.

Pakistani konfirmoi se 16,000 afganë të cenueshëm kanë marrë tashmë një përjashtim të përkohshëm nga dëbimi për arsye humanitare, një vendim i mirëpritur nga OKB-ja.

Por burimet vlerësojnë se numri i afganëve në Pakistan që rrezikojnë dëme serioze, përfshirë gratë dhe vajzat që do t’u mohohej arsimi, mund të arrijë deri në 250,000.

Në kompleksin elegant të Ministrisë së Jashtme në Kabul, ministri i Jashtëm i talebanëve, Amir Khan Muttaqi, përpiqet të duket i qetë.

“Pa dyshim që kemi nevojë për njëfarë ndihme”, pranon ai. “Ka presion për shkak të kthimit të tyre, por në planin afatgjatë, kjo do t’u sjellë dobi si atyre, ashtu edhe Afganistanit”, thotë ai.

Në vitet e para pasi talebanët morën pushtetin në vitin 2021, disa prej ministrave të tyre i minimizonin çështjet humanitare, duke thënë se Zoti do të kujdesej për gjithçka.

Tani OKB-ja vlerëson se 21.9 milionë njerëz, pothuajse gjysma e popullsisë së vendit, këtë vit kanë nevojë për ndihmë për të mbijetuar. Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, javën e kaluar njoftoi se një milion fëmijë përballen me kequshqyerje që është “kërcënuese për jetën”.

“Asnjë vend në botë nuk do të mund ta përballonte i vetëm një krizë të tillë”, vlerëson zëdhënësi i UNHCR-së, Goodlake, ndërsa pranon përpjekjet e qeverisë talebane për t’i ndihmuar të kthyerit në momentin e mbërritjes.

“Por ne e dimë gjithashtu se shumë prej kufizimeve dhe dekreteve që ata kanë vendosur, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave, nuk na ndihmojnë të sigurojmë mbështetje ndërkombëtare”, shton ai.

Muttaqi përsërit qëndrimin e qeverisë së tij se çështje si arsimimi i vajzave janë “çështje të brendshme” që afganët duhet t’i zgjidhin vetë.

Kufizimet e rënda ndaj jetës së vajzave dhe grave janë një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare të talebanëve dhe u kanë kushtuar atyre shumë. Pesë vjet më vonë, vetëm një vend, Rusia, e ka njohur zyrtarisht regjimin e tyre.

Por kur pyetet për këtë, Muttaqi i referohet thellimit të lidhjeve diplomatike dhe ekonomike me fqinjët si Kina dhe India, si dhe me shtetet e Azisë Qendrore.

Sa i përket izolimit relativ të Kabulit nga vendet perëndimore, ai pyet: “Ata që nuk kanë pasur marrëdhënie me ne gjatë pesë vjetëve të fundit, çfarë kanë arritur?”. Më pas, ai i përgjigjet vetë pyetjes: “Asgjë.”

Kjo fjalë, “asgjë”, u tha nga çdo familje që BBC-ja takoi në “Zero Point”, por në një kuptim krejt tjetër.

Të gjithë po nisnin udhëtimin më të vështirë drejt shtëpisë, duke filluar gjithçka nga e para, me pothuajse asgjë.