КОХА.нет

Подржите TIME. Сачувајте истину.
Кошарка

Трепча и Башкими почињу такмичење у ФИБА купу Европе

Трепча

Dy skuadrat kryesore të basketbollit në vend, Trepça e Bashkimi, të mërkurën fillojnë garimin në FIBA Europe Cup.

Të dy skuadrat i luajnë në shtëpi ndeshjet e para të stinorit të rregullt të FIBA Europe Cup, përkatësisht të fazës grupore.

Kampionia në fuqi, Trepça, e pret skuadrën greke Promitheas Patras. Ndeshja zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ndërsa fillon në ora 18:30.

Ndeshja pritet të jetë shumë sfiduese për “xehtarët”. Skuadrat greke janë të nivelit serioz evropian. Për më tepër, Trepça nuk po kalon moment të mirë. Si asnjëherë në vitet e fundit, ka tri humbje rresht. U mposht fillimisht nga Peja në “Minatori” në Superligë. Më pas humbi nga Bashkimi në Rahovec në ndeshjen për Superkupë, ndërsa të shtunën pësoi nga Bashkimi edhe në Prizren, në ndeshjen kampionale. Te Trepça priten ndryshime në përbërje dhe ndeshja me skuadrën greke nuk vjen në momentin e përshtatshëm.

Në Grupin A, ku garon Trepça, janë edhe Opava e Çekisë, Gladiators Trier nga Gjermania, Spliti kroat dhe Batumi i Gjeorgjisë.

Në fazën grupore Trepça i ka plot dhjetë ndeshje. Dy të parët në grup avancojnë në raundin tjetër të FIBA Europe Cup. Kampionia e Kosovës, Trepça, hoqi dorë nga Liga e Kampionëve dhe kërkon suksesin në FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët i garave kontinentale.

Të mërkurën nga ora 19:00, Bashkimi e pret në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren skuadrën nga Letonia, Valmiera Glass.

Bashkimi garon në Grupin F, ku janë edhe Kalevi i Estonisë, Korfezi turk, Elan Chalon nga Franca dhe Manchesteri anglez.

Për dallim nga Trepça, Bashkimi është në moment të mirë. Ka tri fitore në Superligë dhe po ashtu për herë të parë fitoi Superkupën e Kosovës. Të dy skuadrat llogarisin edhe në përkrahjen e tifozëve me synim për të nisur mbarë garimin evropian.

Në FIBA Europe Cup tashmë ka garuar Peja. Në raundin kualifikues skuadra pejane pësoi dy humbje nga skuadra e njohur rumune, Dinamo Bukureshti, dhe nuk avancoi në stinorin e rregullt. 

Në stinorin e rregullt janë plot 48 skuadra.